Greqisë i plotësohen kërkesat
Jorgos Papandreu
Greqia ka marrë frymë e lehtësuar pas një marrëveshjeje të arritur në konsultimet maratonë që përfunduan në orët e para të mëngjesit të së shtunës në samitin e Brukselit.

“Athina ka arritur të marrë atë çka kërkuar - ka deklaruar më pas në një konferencë shtypi kryeministri grek - pra shtyrjen e afatit të shlyerjes së borxhit në 7.5 vjet nga 3 që ishte tani dhe paralelisht, reduktimin e normës së interesit në 4,2% nga 5.2% për borxhin prej 110 miliardë eurosh që BE dhe FMN i dhanë Greqisë në majin e kaluar”.

Sipas z.Papandreut nga kjo marrëveshje vendi ka fituar më shumë se 6 miliardë euro, ndërsa ka theksuar se nuk do të nevojiten masa të reja në kurriz të popullit.

Marrëveshja e nënshkruar në samitin e Brukselit përmban edhe rritjen me 440 miliardë euro tani dhe 500 miliardë euro pas vitit 2013 të fondit të Mekanizmit Mbështetës për vendet në nevojë të BE.

Gjithashtu mekanizmi mund të blejë bono qeveritare nga çdo vend, duke krijuar dhe taksën europiane për transaksionet financiare, të cilat janë karakterizuar si premisë për të ardhmen.

Papandreu ka nënvizuar se vullneti i qeverisë që ai drejton është të kryhen sa më shpejt privatizimet në sektorin ekonomik të vendit si dhe të shfrytëzohet pasuria publike në mënyrë që Greqia të përfitojë më shumë se 50 miliardë euro për të lehtësuar në një shkallë prej 20% borxhin e saj kolosal.

Pavarësisht programit rigoroz të kursimeve dhe masave të rrepta financiare qeveria greke vazhdon të jetë nën presion në tregjet botërore financiare sepse ekonomia e vendit ende nuk po jep shenjat e rimëkëmbjes.
Shtuar më 13/03/2011, ora 20:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori