Vetëm 50 vjeç, COVID-19 i merr jetën mamisë në Elbasan
Greqi / Fundi i klanit Papandreu
Le Figaro

Papandreu? Për herë të parë qysh nga viti 1923, asnjë nga familja Papandreu nuk do të zerë vënd në Parlamentin grek. Fundi i një familje mitike e krijuar si një dinasti.

Ish kryeministri grek George Papandreu, i cili dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2011, pasi i zbuloi botës defiçitin e madh të financave greke, nuk arriti të bëjë kthimin e tij në Parlament. Partia e tij, e themeluar në vigjilje të zgjedhjeve më 2 janar të këtij viti dhe e quajtur Lëvizja e demokratëve socialistë, mori vetëm 2.6% të votave, duke mos e kaluar pragun e 3%, që nevojitet për të hyrë në Parlament.

Dy parti tre familje

Fitorja e partisë Syriza i dha fund dyzet viteve alternimi të pushtetit midis dy partive kryesore, Demokracia e Re dhe Pasokut, të cilat e ndanin pushtetin qysh me rënien e kolonelëve në vitin 1974.

Në këto dy parti, tre familje të mëdha furnizonin rregullisht kuadro drejtues dhe parlamentarë:
Karamanlisët, Micotaqët dhe Papandretë, që i kanë dhënë Greqisë jo më pak se gjashtë kryeministra dhe dhjetë mandate gjatë periudhës së pasluftës.

Një oligarki e vërtetë, e fshirë nga kriza dhe nga fitorja e të riut Alexis Tsipras, i cili pa mbështetjen e asnjë klani, arriti në shkallën më të lartë të pushtetit.
Zhdukja e emrit Papandreu nga Vuli (parlamenti grek) është i gjithi një simbol.

Qysh pas luftës, klani Papandreu ka dominuar të majtën. Babai Georgios (1888-1968) ka qenë tre herë kryeministër, nën logon e qendrës së majtë: midis vitit 1944 dhe 1945, në vitin 1963 dhe nga viti 1964 deri në vitin 1965. Pas grushtit të shtetit të kolonelëve më 21 prill 1967, ai u arrestua dhe u burgos, ku vdiq pas pak kohe. Varrimi i tij ishte rasti i manifestimit të parë popullor kundër kolonelëve.

Djali i tij Andrea (1919-1996) mori stafetën dhe themeloi PASOK-un (Lëvizja socialiste Panhelenike) në vitin 1974, parti e cila e solli të majtën në pushtet në vitin 1981. Ai u bë asokohe kryetar i qeverisë për më shumë se dhjet vjet, nga viti 1981 deri kur vdiq, me një ndërprerje tre vjet, nga viti 1993 deri në vitin 1996.

Skandalet financiare

I rritur jashtë shtetit, George, djali dhe nipi i kryeministrit hyri në politikë kundër dëshirës së tij dhe u bë president i PASOK-ut në vitin 2004. Më pas, humbet zgjedhjet dhe në vitin 2009 e rifiton pushtetin. Disa ditë pas ardhjes në pushtet, ai zbuloi publikisht gjëndjen katastrofike të financave greke.

Greqia u përfshi në një krizë të pashembullt. Në tetor të vitit 2011, ai propozoi një referendum për masat shtrënguese, por nën presionin e Eurogrupit u detyrua të hiqte dorë. Asokohe dha dorëheqjen dhe u zëvëndësua nga Lukias Papadimos, ish-zëvendës president i Bankës qendrore evropiane.

Praktikat klienteliste dhe skandalet financiare të klanit Papandreu u denoncuan rregullisht. Kurset në universitetin e Harvardit të George Papandreut, të paguara me një shumë 46 000 euro në muaj ngjallën një zemërim tek populli grek, i varfëruar nga kriza dhe masat shtrënguese ekonomike të marra nga qeveria greke.

Nëna e ish-kryeministrit Margarita Papandreu, u akuzua për një skandal financiar në prill të vitit 2012: gazetat greke zbuluan se ajo figuronte në listën e Kristin Lagarde, të 2000 grekëve që kishin vendosur paratë e tyre në Zvicër, me një shumë prej 550 milion dollarë. /albeu.com/

Shqipëroi: Bota.al
Shtuar më 26/01/2015, ora 20:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori