Gjiganti botëror vjen në Shqipëri, "Hilton" hap hotelin më të ri në Tiranë (FOTO LAJM)

Pëlqej
Brandi botëror i hoteleve "Hilton" ka bërë investimin e parë në Shqipëri duke hapur Hilton Garden Inn në kryeqytetin shqiptar. Tregu i hotelerisë prej rreth 100 milion euro në vit është në zgjerim duke tërhequr edhe vëmendjen e gjigantit botëror, i cili pas qyteteve të rajonit si Beogradi, Zagrebi apo Podgorica, tashmë do të jetë edhe në Tiranë.

I pozicionuar në Bulevardin “Gjergj Fishta”, hoteli është i vendosur vetëm dy kilometra larg qendrës së qytetit dhe vendndodhjes së bizneseve, duke ofruar qasje të lehtë tek kompanitë e biznesit dhe atraksionet e vendit.

Në vitin 2017, Shqipërinë e kanë vizituar më shumë se 5 milionë vizitorë dhe vizitorët e huaj në Shqipëri arritën numër rekord.

Me lulëzimin e turizmit, Hilton Garden Inn Tirana u ofron udhëtarëve në Shqipëri mikpritjen e markës së mirënjohur.

Të gjithë mysafirët në Hilton Garden Inn në mbarë botën akomodohen në dhoma me çmim të përballueshëm, pajisje moderne dhe kanë premtimin e “Hilton Garden Inn”, e cila afirmon qëllimin e markës për të bërë çdo mysafir të ndihet rehat.

"Jemi të lumtur që kemi sjellë përvojën e Hilton Garden Inn në Tiranë", tha Michael Walker, Menaxher i Përgjithshëm. "Me dhomat e tij të rehatshme, gamën e gjerë të opsioneve për ushqimin dhe hapësirat për takime dhe evente, Hilton Garden Inn Tirana synon të bëhet zgjedhja e preferuar për vizitorët në qytet.", vijoi ai.

Hapja e hotelit zgjeron ndikimin global të Hilton në më shumë se 106 vende dhe territore.

Në një intervistë për Albeu.com, Menaxheri i Përgjithshëm Michael Walker tha se bëhet fjalë për një investim 19 milion euro, i cili ofron risitë më të fundit të teknologjisë sa i përket dhomave dhe sallave të konferencave dhe sigurisht duke patur shefa, ndër më të mirët e rajonit në kuzhinë.

Intervista

1. Cila është oferta e Hilton për tregun e hotelerisë në Shqipëri?

Hilton Garden Inn Tirana ka një total prej 143 dhomash duke përfshirë 2 suita dhe 7 dhoma familjare deluxe.

Më shumë se 40 dhoma kanë ballkone të mëdha të gjera dhe të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha shërbimet dhe lehtësitë që mund të priten nga një markë ndërkombëtare hoteli duke përfshirë WiFi falas.

Gjithashtu disponon edhe restorantin tonë të plotë a-la-carte, lounge bar dhe tarracë në natyrë.

Një nga karakteristikat e hotelit është një kat i plotë me hapësirë rreth 1200 metra katrorë i dedikuar totalisht për konferenca dhe aktivitete të ndryshme.

2. Pak muaj më parë, nga Shqipëria u largua një markë e njohur hotelesh. Çfarë ofron ndryshe për ju tregu shqiptar?

Ne nuk komentojmë strategjinë e konkurentëve, por ndjehemi të sigurt se tani është koha e duhur për të bërë debutimin tonë në Shqipëri.

3. Pse Hilton dhe jo një hotel më pranë qendrës së Tiranës?

Shërbimi që ne ofrojmë. Kontakti personal ku ekipi e di saktësisht se çfarë ju duhet para se të dini se keni nevojë për të.

Ata marrin sinjale, ju njohin ju si mysafir, e dinë atë që ju dëshironi, kur e doni, dhe jua ofrojnë atë si një mysafir para se të dini se e doni.

Përveç të qenit një hotel fantastik i ri me shërbim të shkëlqyer, Hoteli është në një vend të mrekullueshëm, brenda mundësive të qendrës së qytetit dhe atraksioneve, por në të njëjtën kohë është shumë mirë i lidhur me aeroportin dhe autostradën e re me mbikalimin e ri, kështu që ju mundëson që të jeni shumë shpejt brenda dhe jashtë qytetit.

4. Ka një rritje të ofertës së hoteleve këto vitet e fundit në Shqipëri, do të konkurroni ju me ta apo prisni që të tjerët të ndjekin standardet tuaja?

Hilton Garden Inn është markë e nivelit të mesëm të grupit të markave Hilton, e vlerësuar me disa çmime dhe ne jemi të kënaqur që po sjellim përvojën e Hilton Garden Inn në Tiranë.


5. Gjatë viteve të fundit, Hilton është fokusuar në zgjerimin e kapaciteteve akomoduese në vendet në zhvillim. Fakti që po investoni këtu do të thotë se keni parashikime pozitive për ekonominë shqiptare?

Hilton është në një fazë të fantastike rritje, dhe në nivel global kemi hapur më shumë se një hotel në ditë vitin e kaluar. Hilton po rritet në bazë të menaxhimit dhe të drejtave franchise, që do të thotë që ne punojmë me pronarët dhe zhvilluesit (që investojnë në pasuri të paluajtshme) për të prezantuar markat tona.

Hilton nuk investon direkt në pasuri të patundshme.
Investuesi me të cilin Hilton ka hyrë në partneritet në këtë projekt është z. Ali Selmani, i cili deklaron se vlera totale e investimit që është rreth 19 milion Euro.

Si pjesë e Strategjisë Hilton Globale të Zhvillimit, Hilton synon në mënyrë aktive të fitojë terren në të gjitha vendet dhe territoret ku aktualisht nuk kemi prezencë.

Ne duam të jemi kudo ku mysafirët tanë duan të qëndrojnë.

6. Sa punonjës parashikoni të punësoni si fillim dhe cili prisni të jetë efekti i parë në ekonominë e vendit i këtij investimi?

Aktualisht kemi 52 punonjës. Vetëm unë dhe 3 punonjës të tjerë jemi të huaj, kurse i gjithë ekipi është rekrutuar në nivel lokal.

Ne shpresojmë që ekipi ynë të rritet ndërkohë që edhe ne rritemi në Tiranë dhe aktualisht kemi disa vende të lira për departamentin e Ushqimit e Pijes si dhe departamentin e Shitjeve.

Zhvillimi i hotelit në vetvete përfshinte edhe një numër kontraktorësh dhe biznese lokalë që punuan shumë për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti dhe vënien në punë të hotelit.

Me hapjen e hotelit të parë Hilton këtu, ne gjithashtu po shtojmë një tjetër mundësi fantastike të destinacionit për anëtarët tanë krijues dhe besnikë të programit Hilton Honours, pasi sa më shumë vizitorë ta vizitojnë Hotelin, aq më e lartë është mundësia që ata gjithashtu t’i shpenzojnë paratë e tyre gjetkë në Shqipëri.

Shtuar më 06/09/2018, ora 14:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori