Fullani nesër në Apel, hetim edhe bankave të nivelit të dytë
Pëlqej
Dita e nesërme do të përcaktojë fatin e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg apo jo. Por, ndërsa sytë e të gjithëve janë përqendruar tek ish-guvernatori, hetimet e organit të akuzës vazhdojnë dhe pritet që të dalin në dritë detaje të reja për supervjedhjen e 713 milionë lekëve në arkën e Thesarit në Bankën e Shqipërisë.

Ditën e hënë, prokurori i Tiranës, Ramadan Troci pritet që të sekuestrojë dokumentacionin e kompanisë audituese, e cila ka qenë e kontraktuar nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e auditit përgjatë viteve që është kryer vjedhja në BSH. Nga ana tjetër, burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se gjatë seancës gjyqësore të ditës së nesërme, në Gjykatën e Apelit akuza e shtetit do të përfaqësohet nga prokurori Nezir Gjoka.

Por, të njëjtat burime sqarojnë se gjatë kësaj jave, pranë prokurorisë pritet që të thirret për t’u pyetur për shkak të detyrës që mban, edhe drejtori juridik i Bankës së Shqipërisë, Altin Naqe.

Ky i fundit është paraqitur shpesh pranë organit të akuzës kohët e fundit, ku ka dorëzuar edhe dokumentacionin që ka kërkuar prokuroria. /albeu.com/
Shtuar më 14/09/2014, ora 09:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori