“Xhirot zero”, biznesi i vogël ankohet te Basha

Kryedemokrati Lulzim Basha, u takua sot me disa biznese në zonën mes Brrylit dhe Xhamllikut në Tiranë, për të parë nga afër gjendjen e tyre ekonomike pas goditjes nga koronavirusi.

Disa prej tyre ankohen se pagesa e dhënë nga qeveria, është e pamjaftueshme për të mbyllur shpenzimet e muajit.

“Jemi keq. Shumë keq, shumë shumë keq. S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH?! Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiro është shumë e ulët, 60 -70% ulje.”- tha pronari i një dyqani të vogël.

“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qeranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, u detyrova ta heq sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës sesa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin”– tha pronarja e një dyqani veshjesh.

“E kam dyqanin me qera, 200 mijë lekë. Shpenzimet e muajit më shkojnë 300 e ca mijë lekë bashkë me dritat, taksat, që vijnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për tre muaj mora vetëm 400 mijë lekë nga qeveria. Kam 40 vjet në këtë profesion, por ka ardhur kohë shumë e keqe. Njerëzit nuk kanë më fuqi. “ – tha një këpucar.

Po ashtu, disa prej tyre janë ankuar edhe për mbylljen në fundjavë, duke argumnetuar se nuk është e drejtë, pasi njerëzit që kanë në punë, dalin për të blerë të shtunën e të dielën.

“Atëherë kur kemi më shumë punë, në fundjavë, del korona dhe duhet të futemi brenda. Pretendohet që gjatë fundjavës njerëzit shpenzojnë diçka, atëherë nuk na lejojnë.”- u shpreh pronarja e një biznesi lulesh gjatë bashkëbisedimit me kreun e opozitës.

Ndërkohë, kreu i PD-së u shpreh se është erëndësishme që vendi t’i kthet normalitetit “një orë e më parë”.

“Duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është t’ju mbështesim ju, se po nuk mbështetëm biznesin do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka”, tha Basha.

Ndërkohëm një tjetër pronar biznesi u shfaq i revoltuar, teksa tha se “qeveria ka për qëllim të shkatërrojë biznesin”

“Epo mesa duket këtë qëllim ka qeveria, të shkatërrojë biznesin. Me statuse “Facebook”-u kujtohet te të lajmërojë në 21:30 të darkës. Unë e kisha bllok, udetyrova ta zhbllokoja që të shihja statusin a mund ta hapja dyqanin nesër. Këtu jemi katandisur”, tha ai.

Ndërsa kreu i PD iu përgjigj: “Kjo është totalisht e paligjshme. Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë”.

“Hyrja në dyqan zero. Ndërsa ishim në pandemi sigurimet shoqërore na I kërkonin. Taksat e bashkisë një më një. Xhiro zero. Nuk hyn njeri. Prishi rregullat e biznesit. Jemi drejt falimentimit. Do të mbyllen. sa do rezistojmë? Një muaj dy muaj, po pastaj?!”, u shoreh e dëshperuar një kryefamiljare.

“Çfarë jepet është kot, sepse është dhe një qira për t’u paguar, është një kredi për t’u paguar. Kjo është e keqja se çdo klient që vjen, nuk futet brenda se nuk ka lekë. E vetmja gjë që thonë është “nuk kemi lekë. Ka rënë më shumë se gjysma e xhiros”.- tha një tregtar.

“Ndaj i thamë “jepu lekë njerëzve, që të mos bjerë konsumi, se po ra konsumi e ndjeni ju, po e ndjetë ju do ta përcillni në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, do ta ndjejë pastaj edhe arka e shtetit. Mbahuni se kemi kaluar shumë të këqija, por ky e ka mendjen vetëm të zhvasë dhe të marrë, por gjërat do t’i ndryshojmë, nuk do t’i lëmë kështu në mëshirë të fatit”- u shpreh Basha.


Shtuar 25.05.2020 13:15