Eurostat: Shqipëria, vendi me më pak rrugë e hekurudha në rajon
Shqipëria është ndër vendet me densitetin më të ulët të rrugëve (përfshitë edhe autostradat) për kilometër për 1,000 banorë. Raporti i fundit i Eurostat për statistikat kyçe në lidhje me vendet që kanë kërkuar zgjerimin drejt BE-së tregon se ky tregues është në vlerën 1.4 km/1,000 banorë.

Ne arrijmë të lëmë pas vetëm Kosovën me 1.1 km/1,000 banorë. Treguesin më të lartë e ka Mali i Zi (kjo edhe për shkak të numrit të ulët të popullsisë) me 13.5 km/1,000 banorë, ndërsa më pas vjen Maqedonia me 6.9 km/1,000 banorë.

Në lidhje me densitetin për kilometër katror, Shqipëria ka treguesin më të ulët me 137 metër për kilometër katror.

Shqipëria nuk paraqitet mirë edhe sa i përket rrjetit hekurudhor, ku densiteti për kilometër për 1,000 banorë është 0.13, i njëjtë me treguesin që ka Turqia.

Serbia është vendi me densitetin më të lartë të rrjetit hekurudhor, si në raport me sipërfaqen totale, por edhe në raport me numrin e popullsisë.

Eurostat u referohet të dhënave për vitin 2015. Në të dy rastet, Shqipëria është nën mesataren e 28 vendeve të BE-së, si për sa i përket rrugëve, ashtu edhe hekurudhave./Monitor/

Shtuar më 29/03/2017, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori