COVID 19/ Euro dhe dollari shënojnë rritjen më të madhe në pesë muaj
Euro ka kërcyer dje mbi 123 lekë, për herë të parë që nga fillimi i nëntorit të vitit të kaluar, duke u këmbyer në këtë mënyrë në nivelin më të lartë të 5 muajve.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.03 lekë, ose 0.14 lekë më shumë se një ditë më parë, niveli më i lartë që nga 7 nëntori 2019.

Monedha e përbashkët ka shfaqur shenja mbiçmimi përgjatë gjithë kësaj jave. Ekspertët e tregut valutor pohojnë se rritja e euros ka ardhur si rrjedhojë e kufizimit të aktivitetit të tregtisë pas masave për mospërhapjen e koronavirusit.

Që prej disa ditësh Shqipëria është vënë nën masa të rrepta të bllokimeve të lëvizjeve, çka ka sjellë pothuajse një paralizë totale tek bizneset në vend.

Në bursa, euro ka rënë ndjeshëm gjatë javës së fundit, duke zbritur në 1.074 dollarë gjatë ditës së sotme, nga niveli i lartë prej 1.14 dollarë që ishte në fund të marsit, si rrjedhojë e frikës së pasojave që do të ketë për ekonominë europiane shpërthimi i koronavirusit, ku Italia e Spanja po rezultojnë më të prekurat.

Rritja e euros në tregun e brendshëm, në një kohë që në bursa është në rënie është një tregues i ofertës së ulët për të në tregun vendas. Por ekspertët e tregut valutor pohojnë se ky kurs nuk është real.

Aktorët kryesorë të tregut thonë se këto ditë, edhe pse janë hapur me orar të reduktuar, nuk ka pasur asnjë lloj këmbimi dhe shkëmbimi. “Sot janë hapur pikat e këmbimit valutor, duke u përshtatur edhe me oraret e reja të qarkullimit të individëve, vetëm dy ore dhe neser bankat tregtare do të jenë pushim. Sipas burimeve tona as tregu bankar nuk ka pasur ndonjë lëvizshmëri apo qarkullim të valutave. Megjithatë ecuria është normale për situatën që është,- u shpehën ata për Monitor.

Ekspertët argumentojnë se nëse do të ishte si në botë, sikurse ka ndodhur në Britani apo ne BE me euron, luahtjet do të ishin shumë më të mëdha. Në vendet e mëdha monedha e reflekton e para krizën.

Sipas tyre edhe bankat janë pothuajse pa punë, me volume këmbimi të pa konsiderueshme. Ndërsa për sa i përket afatit të fundit për pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, burime nga tregu bëjnë me dije se se vtëm kompanitë e mëdha janë munduar të bëjnë pagesa këto kohë.

Për aktorët e tregut ky nuk është një çmimi real, pasi ai përcaktohet në momentet kur ka shkëmbime tregtare, pra ka shit-blerje, tani po flasim për situata të jashtëzakonshme vëllimet janë në pikën më të ulët. Nëse në situatë normale aktorët e tregut masnin vëllime deri në 10 milionë euro, aktualisht janë në 0.5 mln euro.

Rritje ka shënuar edhe dollari, që këmbehet me 113.37 lekë, duke u këmbyer në nivelin më të lartë që nga nëntori 2017. Monitor
Shtuar më 20/03/2020, ora 08:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori