Ekspertët europianë: BE të ndërhyjë për krizën në Europë
Ekspertë të njohur të ekonomisë europiane shprehin alarmin se duhet ndërhyrë nga institucionet e Bashkimit Europian për të ndaluar efektet e krizës së shfaqur në disa vende dhe se reformat që kanë marrë vetë këto vende janë të pamjaftueshme.

Sipas tyrë nëse arrihej të izolohej kriza financiare në Greqi ajo nuk do të përhapej edhe në vende të tjera të cilat janë shumë më të mëdha, dhe nëse kjo krizë do të kapte edhe Italinë do të jetë e pamundur për të rikuperuar dëmet.

Borxhi i madh i Italisë dhe shqetësimet mbi qëndrueshmërinë politike e rritën normën e interesit të bonove të saj në më tepër se 6,5 përqind.
Ekspertët thonë se nëse norma e interesit do të shkonte në 7 përqind vendi nuk do të mund t’a përballonte dhe do të kishte nevojë për një plan shpëtimi prej partnerëve të Bashkimit Evropian.

Simon Tilford, Ekonomist i Qendrës për Reformat Evropiane në Londër thotë se Banka Qëndrore Evropiane duhet të ndërhyjë edhe për rastin e Italisë. “Problemi është se ne jemi në një periudhë me rritje ekonomike jashtëzakonisht të ulët. Jemi duke përjetuar një dobësi ekonomike të paprecedent. Dhe kjo situatë, kërkon ndërhyrje jotradicionale nga ana e bankave qëndrore.”-u shpreh ai.

Sipas tij Banka Qëndrore nëse do të blinte bono italiane, ajo do t’i jepte edhe investitorëve të tjerë siguri për të bërë të njëjtën gjë, me norma interesi të leverdisshme. Ai mendon se kjo lëvizje do të ishte më efektive në përballimin e krizës ekonomike Evropiane, duke argumentuar se paketat e masave shtrënguese, si ajo që kërkohet të zbatohet nga Greqia nuk do të mund të zgjidhin problemin.
Të njëjtin mendim ndan edhe analistja Benedicta Marzinotto e Institutit Bruegel në Bruksel është dakord me mendimin se plani i bazuar tek masat shtrënguese nuk mund të jetë zgjidhje për krizën e që ka kapur Europën.
“Nuk jam e bindur nëse ajo është rruga e duhur për t’u ndjekur. Disa masa shtrënguese janë të nevojshme, por unë mendoj se ato duhen shoqëruar me masa të tjera si për shembull ato që stimulojnë rritjen.”- është shprehur ajo.
Sipas saj kriza që ka kapur Greqinë mund të izolohej dhe mund të rikuperohej pasi Greqia është një vend i vogël.

“Kriza e Greqisë është serioze por është një krizë që mund të zgjidhet sepse bëhet fjalë për një vend të vogël. Nëse tregjet financiare veprojnë mbi parashikime kundër Italisë do të ishte sikur ato të ishin duke vepruar mbi parashikime kundër të gjithë eurozonës.”- vijon më tej ajo në këtë analizë.

Sipas ekspertëve nëse nuk do të ndërhyhet nga BE për të parandaluar këtë situatë të krijuar në disa vende të Europës situata mund të dalë nga kotrolli./albeu.com/
Shtuar më 09/11/2011, ora 10:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori