Dy banka nxorrën 500 mln euro depozita jashtë vendit në 2016
Pëlqej
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të raportit të Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e dytë të vitit 2016, e kanë vënë theksin te rritja e kreditimit për subjektet që nuk ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.

Sipas Bankës së Shqipërisë kredia që jepet jashtë vendit ka vijuar të jetë e lartë. Sektori bankar ka zgjeruar pozicionin kreditor në subjektet jo rezidente. Në dhjetor 2016, aktivet me jo rezidentët përbëjnë 27% të totalit të aktiveve, ndërsa detyrimet përbëjnë 6% të tyre. Si rrjedhojë pozicioni neto kreditor është zgjeruar me rreth 11% në terma gjashtëmujorë dhe rreth 19% në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 293 miliardë lekë.

Ekspertët e bankës sqarojnë se në maj të vitit 2013, Banka e Shqipërisë ndërmori disa masa për të zbutur tendencën e kreditimit jashtë vendit, që dha efekte. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2016 rritja e shpejtë e burimeve të financimit në valutë dhe ulja e efektit penalizues të këtyre masave është reflektuar në zgjerimin e aktiveve me jo rezidentët me rreth 15.6% me terma vjetore, në mungesë të alternativave të mjaftueshme të investimit në vend.

Kredia e dhënë për subjektet jashtë vendit ka arritur në 67 miliardë lekë, ose rreth 500 milionë euro. Ekspertët e bankës pohojnë se nuk ka kufizime sasiore për këtë lloj kredie, ndërsa ajo ponderohet me një normë më të lartë rreziku.

Vlerësimi i rreziqeve që i kalosen sistemit

Rreziku nga ekonomia e brendshme vijon të jetë i lartë, sipas matricës së publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, bankat mëmë mund të kenë reduktim të veprimtarisë në rajon dhe kjo tendencë duhet vlerësuar, theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

Rreziku i kreditit u ul përgjatë periudhës, ndonëse mbeti pranë nivelit të një viti më parë, kreditë me probleme u ulën në 18.3%, mbulimi i kredive me probleme me provigjione dhe kapital u përmirësua, koletarizimi i kredive ëhstë qëndrueshëm, si dhe shpërndarja sipas monedhës, sektorëve dhe bankave është më e mirë.

Në uljen e kredive me probleme kanë ndikuar proceset e mbledhjes, ristrukturimit dhe largimit të tyre nga bilancet

BSH thekson se zhvillimet janë pozitive dhe inkurajuese, por procesi i uljes së kredive me probleme përmban pasiguri. Bankat munden të ruajnë fokusin në këtë proces.

Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët nga banka e Shqipërisë. Kjo për shkak të vlerës së ulët të raportit Kredi/Depozita, vijimi i rritjes së depozitave, prania e lartë e aktiveve likuide dhe rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës.

Sipas monedhave, rreziku i likuiditetit në valutë është më i lartë se ai në lek, ndaj kjo duhet të reflektohet në rritjen e kërkesës minimale për aktive likuide në valutë (de-euroizim).

Sektori bankar është i ekspozuar ndjeshëm ndaj rrezikut të tregut, si luhatjet e kursit të këmbimit dhe ndryshimet e normave të interesit.

Duhet të ulet përdorimi i euros

Për kursin e këmbimit, prania ende e lartë e kredive ( të pambrojtura) në valutë, dhe mundësia e rifillimit të rritjes së tyre pas rritjes së depozitave në valutë, do të kishte ndikim negativ mbi stabilitetin financiar dhe politikën monetare.

BSH thekson se edhe në këtë rast është mirë që të synohet ulja e nivelit të euroizimit, procesi është kompleks dhe sfidues, ndaj qasja duhet të jetë strategjike dhe afatgjatë. BSH do të kërkojë bashkëpunimin me autoritete të tjera në vend.

Për rrezikun e normës së interesit, ndikimi i drejtpërdrejte është i paanshëm përmes hendekut të AP-PR (hendeku në rënie, por negativ), dhe rivlerësimeve, ndikimi i tërthortë ( i rritjes së normës së interesit) tek aftësia paguese e kredimarrësve. BSH thekson se ky rrezik duhet vlerësuar rregullisht nga bankat

Sistemet e bankave për rrezikun operacional kanë nevojë të përmirësohen, rekomandon insitucioni monetar qendror.

Indekset e rreziqeve sistematike- nuk tregojnë rritje të rreziqeve të stabilitetit financiar gjatë periudhës

Bankat mund të kenë nevojë për kapital shtesë

Lidhur me rezistencën e sektorit bankar, nivelet e kapitalizimit dhe të likuiditetit janë të mira. Kapacitetet absorbuese janë të plota në kushte normale, rezistenca është e mirë ndaj goditjeve ekstreme, banka të veçanta paraqesin nevojën për rritje të kapitalit në skenarët më ekstremë

Sistemi bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe ushtrimi i provës së rezistencës tregon se skenari bazë mund të përballohet. Megjithatë, për lëvizje ekstreme banka të ve[anta kanë nevojë për shtim kapitali, pohuan ekspertët e bankës. /monitor/
Shtuar më 20/04/2017, ora 17:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori