Tentoi të vriste një person 25 vjet më parë, policia arreston sot autorin në Fier (VIDEO)

Policia ka zbardhur dhe dokumentuar një tentativë vrasjeje të ndodhur 25 vjet më parë dhe sot ka arrestuar autorin e ngjarjes së ndodhur në Fier, Rapi Muço.

Njoftimi i policisë:

Fier

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Krimet e Rënda në DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vazhdimësia”.

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 1997, në qytetin e Fierit.

Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Pas rifillimit të çështjes penale, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë Fier, strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, pas një pune operative dhe hetimore intensive, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në datën 24.06.1997, në Fier, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi K. Xh.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit R. M., autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka vendosur shtetasit R. M., 49 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com


Shtuar 1.06.2022 09:19