Nëse do të marrësh një kredi për shtëpi, tani është momenti më i mirë, pasi interesat kanë prekur fundin. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin
shkurt 2018, norma mesatare e huasë për blerje banesash për individë në lekë ishte 3.64%, niveli më i ulët rekord i regjistruar ndonjëherë.
Në krahasim me muajin e mëparshëm, interesat e kredisë në lekë janë ulur me 0.23 pikë përqindjeje, ndërsa në raport me dy vjet më parë janë 1.4 pikë përqindjeje më pak.
Edhe në
euro, interesat e kredive për shtëpi janë më të lira. Në muajin
shkurt norma mesatare për huatë e reja hipotekore në
euro për individë ishte 3.06%, nga 3.25% muajin e mëparshëm, ndërsa niveli më i ulët është arritur në maj 2017, me 2.93%.
Interesat e huave në përgjithësi kanë pasur një tendencë uljeje vitet e fundit, si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë për të reduktuar koston e parasë në ekonomi dhe për të nxitur blerjet dhe invesimet. Në muajin
shkurt, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për bizneset e individët, për të gjitha afatet e maturimit ishte 7.12%, nga 8.3% në dhjetor 2015.
Teksa kreditë për blerje shtëpie kanë rezultuar me nivel të ulët të kësteve që nuk paguhen apo nuk kthehen në afat, bankat e shohin me interes këtë segment, duke bërë oferta të shumta për individët.
Në lekë apo në
euro
Mallrat e qëndrueshëm në Shqipëri, si apartamentet apo makinat shiten përgjithësisht në
euro, ndaj dhe kredia në
euro ka qenë e preferuar për individët, edhe për faktin që ishte më e lirë. Kredia merrej në
euro, edhe kur të ardhurat ishin në lekë. Por, nëse disa vite më parë diferenca e lartë mes interesave të kredive në lekë dhe në
euro ishte një joshje e madhe, pasi arrinte ne 5-6 pikë përqindje, vitet e fundit ajo është reduktuar dukshëm, në rreth 0.6 pikë përqindje në
shkurt.
Si rrjedhojë, nga huaja në
euro, jo vetëm nuk fiton më nga interesat, por sa më shumë të zhvlerësohet
euro, aq më shumë rriten humbjet, pasi do të duhen më shumë para për të paguar këstet mujore.
Nëse merr sot një kredi në një shumë prej 7 milionë
lekësh, me interes 3.64%, për një afat prej 15 vitesh, në bazë të kalkulatorit të kredisë, pagesa mujore është rreth 50 mijë lekë, ose rreth 382
euro.
Nëse merr të njëjtën shumë në
euro, rreth 53 mijë
euro, me interes 3.06%, po për 15 vjet, sipas kalkulatorit të kredisë, kësti mujor është 365
euro, ose vetëm 17
euro më pak në muaj. Por, këtë fitim mund ta humbisni shumë shpejt në rast se
euro zhvlerësohet. Nëse monedha e përbashkët kalon mbi 136 lekë, atëhere pagesa mujore në lekë për të siguruar 365
euro fillon i kalon 50 mijë
lekët, pra huaja në
euro bëhet më e shtrenjtë, ndonëse ka interes më të ulët.
Banka e Shqipërisë ka filluar në
shkurt një fushatë për deeuroizimin e ekonomisë. Në një ndryshim të fundit të rregullores “Për disa ndryshime në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” ka shtuar përmbajtjen e mëposhtme: “Në rastin kur klienti aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo në të cilën gjeneron të ardhurat, dhe kur banka vlerëson se kapacitetet e tij për t’u mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit janë të pamjaftueshme, banka i ofron klientit, si alternativë, një kredi të krahasueshme në monedhën në të cilën gjenerohen të ardhurat e tij”. /Monitor/
Shtuar më 02/04/2018,
ora 12:44