Der Standard: Valuta atraktive euro, në Kosovë
Kosova dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e eurozonës. Megjithatë atje që nga viti 2002 paguhet me euro. Kështu e fillon artikullin gazeta austriake “Der Standard”.

Kosova dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e eurozonës. Megjithatë atje që nga viti 2002 paguhet me euro. Kështu e fillon artikullin gazeta austriake “Der Standard” duke i referuar krizës financiare në Greqi.

“Der Standard” si shembull ka marrë devalvimin e dinarit jugosllav të viteve të 80-ta, kur Jugosllavia vuante nga inflacioni i lartë dhe njerëzit kishin humbur besimin tek dinari. Më 1999 Kosova dhe Mali i Zi u ndanë nga ish-Jugosllavia.

“Gjatë luftës në Kosovë u zhduk dinari nga tregu kosovar dhe u zëvendësua me markën gjermane”, tregon për gazetën austriake “Standard” eksperti i ekonomisë, Kujtim Dobruna.

Në vitin 2001 në tregun e Kosovës ishin plot dy miliardë marka gjermane në qarkullim. “Ishte thuajse e qartë se për shkak të markës gjermane, edhe Kosova do të fuste në qarkullim euron”.

Berlini kishte interesim që marka gjermane edhe jashtë saj të përdorej.

Modeli për Athinën
Krahas Kosovës dhe Malit të Zi, euro përdorët edhe në mikro-shtetet si Monako, Andorra, San Marino, në Vatikan dhe në kolonitë franceze. Pas një “Grexit” (dalja e Greqisë nga eurozona) kjo do të mund të merrej teorikisht si model për Greqinë, shkruan “Der Standard”, transmeton “albinfo”.

Kosova dhe Mal i Zi nuk duhet t’i përmbahen kritereve të konvergjencës dhe për këtë arsye nuk bëjnë pjesë në sistemin e euros dhe të Bankës Qendrore të Evropës. Nëse një shtet e fut në përdorim euron pa qenë pjesë e eurozonës, kjo quhet “euronizim”, shkruan “Der Standard”.

“Kjo ka sjellë stabilitet të çmimeve dhe ka minimizuar rrezikun e kursit të këmbimit të monedhës”, thotë Dobruna.

“Por një e metë është: Kosova nuk posedon pothuajse asnjë instrument të politikës monetare”, thekson ai.

Megjithatë, për shtetet e vogla si Kosova dhe Mali i Zi është më lehtë për të pasur një kurs fiks të regjimit ndaj euros, sepse mundësitë e tyre për udhëhequr një politikë të pavarur monetare janë gjithsesi të vogla.

Ndryshe nga Mali i Zi, shkruan më tej “Der Standard”, Kosova ka një marrëveshje me Bankën Qendrore të Evropës për euronizmin e vendit. Dhe ndonëse zyrtarisht nuk thuhet, furnizimi vjen përmes Austrisë. Sipas Bankës Gjermane, Austria ka luajtur dhe luan rolin kryesor në euronizimin e këtyre dy vendeve.

Në botën e sistemit monetar janë krijuar dy blloqe të rëndësishme monetare; dollari dhe euro. Në bllokun e euros krahas shteteve që i takojnë eurozonës, janë edhe shtetet e euronizuara që monedhën e tyre e kanë fiksuar kundrejt euros. Këtu bëjnë pjesë Danimarka, por edhe shtetet e Ballkanit si Bullgaria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina. Kroacia ka arritur vetëm pjesërisht ta stabilizojë monedhën e vet kundrejt euros.

Në mesin e 59 shteteve të euro-bllokut, bëjnë pjesë edhe ato shtete afrikane që deri në mesin e shekullit 20 vareshin prej atyre shteteve që i takojnë sot Unionit të Eurozonës.
Shtuar më 30/06/2015, ora 09:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori