Çmenduri! 440 euro për një fluturim me avionin që ka ndërruar "5 lëkurë" të "Air Albania" (FOTO LAJM)

Shumëkush që priste që me fillimin e fluturimeve të operatorit shqiptar Air Albania do të kishte mundësi që të fluturonte më lirë fillimisht drejt Stambollit dhe më pas në destinacione të tjera, do të duhet të presë ende.

Ndonëse fluturimet kanë filluar prej mëse një jave drejt Stambollit nuk ka asgjë të re në shtimin e destinacioneve, përveç çmimeve të kripura. Ndërsa pritet të shohim se si do të jenë biletat kur të fillojnë fluturimet drejt Romës, Bolonjës, Milanos e Londrës.

Nga Tirana në Stamboll, kishte fluturime direkte nga Turkish Airlines dy herë në ditë, në mëngjes në orën 9.20 dhe në mbrëmje në orën 20.55.

Me fillimin e funksionimit të Air Albania, mbeten të njëjtat plane fluturimesh me ndryshimin e vetëm që disa fluturime kryhen në logon e kësaj të fundit. Konkretisht, Air Albania fluturon tre herë në javë në mëngjes, të martën, të enjte, të shtunë.

Të dyja shkojnë në Istambul Airport (IST).

Por, nga një krahasim i thjeshtë në faqet përkatëse të Air Albania dhe Turkish Airlines, çmimet janë të njëjta për të dy operatorët, ku vajtja në mëngjes luhatet në 190-220 euro, ndërsa në mbrëmje është rreth 25% më lire (145.5 euro).

Nëse do të shkosh në Stamboll me Air Albania të shtunën në datën 9 maj, dhe kërkon të prenotosh përmes faqes së saj, https://ëëë.airalbania.com.al, çmimi vetëm vajtje në kategorinë ekonomi është 148.5 euro, por ndryshe nga operatorët e tjerë Air Albania i paraqet çmimet pa përfshirë taksat.

Në momentin që vazhdon prenotimet, kësaj tarife i shtohen dhe taksat duke arritur në 191.5 euro në një drejtim. Janë vetëm 5 vende më këtë çmim dhe më pas bileta shkon në 443 euro një drejtim (përfshirë taksat).

Të shtunën, në 11 maj, bileta vetëm në një drejtim është 224.5 euro, ku thotë se ka vetëm 7 vende të mbetura në kategorinë ekonomike, dhe nëse mbarohen, bileta shkon në 440 euro një drejtim!

Për të njëjtat data sipas Monitor.al, mund të presësh bileta edhe me Turkish Airlines. Nëse prenoton për datën 9 maj në mëngjes, bileta është po 191.5 euro, por është e specifikuar që fluturimi realizohet përmes Air Albania.

Nëse do të udhëtosh në mbrëmje, fluturimi kryhet përmes Turkish Airlines dhe bileta kushton rreth 25% më lirë, konkretisht 145.5 euro dhe nuk paraqiten kufizime për numrin e vendeve të mbetura.

Në datën tjetër 11 maj, përmes Turkish mund të prenotosh biletë për udhëtimin e mëngjesit, por që realizohet përmes Air Albania, me çmim të njëjtë nëse do e blesh në faqen e internetit të Air Albania, prej 224.5 euro. Ndërsa me Turkish, në orarin e mbrëmjes, bileta kushton 165.5 euro, ose 26% më lirë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Air Albania ka çmimet më të larta të biletave drejt Stambollit.

Nëse doni të prisni një biletë nga Shkupi drejt Stambollit, me Turkish Airlines, po në datën 11 maj për nisje në orën 9.20 të mëngjesit, bileta kushton 117 euro, ose 40% më lirë se nga Shqipëria në orarin e mëngjesit.

Nga Podgorica, në të njëjtën datë (11 maj), bileta është 143 euro në një drejtim drejt Stambollit, si paradite (09.45) ashtu dhe në mbrëmje (20.35), ose rreth 36% më lirë se nga Shqipëria.

Për momentin, me Air Albania mund të prenotosh vetëm përgjatë majit, ndërsa më pas rezervimet janë të disponueshme me Turkish Airlines. Në 6 qershor, vajtja në Stamboll në mëngjes kushton 150.5 euro dhe në mbrëmje 145.5 euro. Edhe në korrik, çmimet janë të ngjashme, gjithnjë nëse prenotoni tani.

Air Albania thotë në faqen e vet se së shpejti pritet të fillojë fluturimet në Milano, Bolonjë, Romë dhe Londër.

Avioni që nga ndërruar pesë "lëkurë"

Air Albania, me vetëm një avion të sajin në dispozicion, një AirBus 319.

Në të gjitha kronikat e sponsorizuara nga qeveria me reklama apo qoka të tjera, këmbëngulet se Air Albania do të ketë avionë të rinj, me vit prodhimi jo më të largët se ai 2008. Jemi në fund të prillit dhe jo vetëm që nuk ka ardhur ndonjë avion i ri, por edhe ky aktuali është duke bërë linjat e Turkish Airlines.


Avioni aktual, të cilin Rama e përdori fillimisht si charter personal, është një Air Bus 319-132. Prodhim i familjes “AirBus 320”, por më ekonomik për udhëtime rajonale.

Ndryshe nga sa reklamohet, Avioni në fjalë, i cili mbante kodin TC-JLR ka ndërruar pesë herë “lëkurë” deri kur mbi bojën e katër kompanive të tjera iu ngjit emri “Lasgush” dhe ngjyrat kuqezi.

Kështu, nga të dhënat e siguruara nga Albeu.com, avioni është futur në qarkullim në vitin 2006 (këtu bie legjenda e 10 viteve moshë) dhe mban kodin unik të prodhimit “AirBus 319-132-3142”.

Nga gjurmimi përmes këtij kodi, rezulton se avioni në fund të vitit 2006 dhe gjatë vitit 2008 deri në shtator 2009, fillimisht ka fluturuar nën logon e Bangkok Airlines duke mbajtur emrin “Samui”.

Në shtator 2009, avioni AirBus 319-132 që tani mban ngjyrat kuqezi, ndërroi sërish “lëkurë” duke u ngjyrosur kësaj radhe bardheblu, me ngjyrat e kompanisë greke “Olympic Air” (shiko fotot).

Grekët e mbajtën avionin jo më shumë se një vit dhe në gusht 2009 ia dorëzojnë një kompanie leasingu, të cilët ia kalojnë turqve të Turkish Airlines. Këta të fundit ia japin nën kodin e tyre, boshnjakëve të kompanisë “BH Airlines”. Pra, avioni fluturoi me ngjyrat e Bosnjes, por kishte kodin e Turkish Airlines dhe ishte nën inventarin e tyre.

E njëjta situatë siç është sot me Air Albania. Tashmë, avioni që më parë ishte lyer bardheblu, duhej të lyhej me të bardhë, të verdhë dhe blu, sipas ngjyrave të kompanisë boshnjake (shiko fotot sipër).

Në shkurt 2012, turqit ia marrin boshnjakëve dhe e lyejnë avionin me ngjyrat e bardhe dhe të kuqe, sipas logos së Turkish Airlines. Për disa vite, avioni AirBus 319-132 do të fluturonte nën logon e Turkish Airlines deri në gusht 2018 duke mbajtur emrin “BakirKoy” kur iu desh të ndërronte sërish “lëkurë”.

Tashmë, do t’i rripej ngjyra e bardhë dhe e kuqe e “Turkish Airlines” dhe do t’i ngjitej ajo kuqezi. Kështu, Air Albana është kompania e pestë që përdor avionin AirBus 319-132 me kod unik prodhimi 3142. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2019, ora 11:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori