Çdo të ndodhë me ekonominë amerikane?
Pëlqej
Fitorja e madhe e Republikanëve në Kongres është një test për fjalën e urtë në Wall Street se “Sherret në politikë janë të dobishme”. Kalimi i më shumë pushteti tek Republikanët e Kongresit, që kanë premtuar qeveri të vogël, do të thotë se ka më pak shanse që Kongresi të ndihmojë ekonominë në raste krize. Kjo do të thonë se Rezerva Federale, do jetë edhe mbështetja primare për ekonominë duke sugjeruar se normat e interesit ultra-liberale, do të jenë të pranishme për një kohë të gjatë dhe se banka qendrore do të ri-nisë një raund të dytë të stimulit të ekonomisë, duke printuar më shumë dollarë.

Por cilat janë efektet në ekonomi dhe a do ketë tronditje post elektorale të saj? Shanset janë të pakta. Shpenzimet konsumatore që janë edhe motori i rritjes së ekonomisë, kanë qenë të forta por nuk pritet rritje në normë të lartë të tyre pa u përmirësuar më parë situatë në sektorët e punësimit dhe pasurive të patundshme. Kongresi i kontrolluar nga Republikanët, nuk do shpejtojë të risë shpenzimet qeveritare, në momentin që do mbarojnë paratë e programit të stimulit të ekonomisë të miratuar një vit më parë. Qeveritë shtetërore dhe lokale, kanë ngelur pa para çka heq një tjetër burim të rritjes ekonomike. Shpenzimet e biznesit kanë qenë të jashtëzakonshme në fillim të vitit, por tashmë kanë nisur të bien. Në sektorin e punësimit, aktualisht ka rreth 25 milionë amerikanë të papunë ose gjysmë të punësuar. Ka nga ata analistë që mendojnë se përfundimi i fushatës elektorale, heq nga tregu të gjitha paqartësitë dhe ky është inkurajim që bizneset të rrisin punësimin. Megjithatë në treg ka ende shqetësime që lidhen me riskun e një tjetër goditje të sektorit të shtëpive, një luftë tregtare globale dhe një rizgjim të krizës së borxheve sovrane europiane. Rënia e fitimeve të korporatave ul punësimin.

Ndërkohë Wall Street, nuk pritet të jetë aq i kënaqur sa në rastin e vitit 1994, kur humbja e Kongresit uli Bill Klinton dhe opozitën në marrëveshje. Në këtë rast shqetësimi është se Kongresi nuk ka vullnetin për të reaguar shpejt në rast të rënies ekonomike. Investitorët ende nuk kanë harruar reagimin e dhunshëm të tregjeve në Shtatorin e 2008, kur në fillim Kongresi hodhi poshtë miratimin e fondit të ndihmës për bankat. Nga ana tjetër Rezerva Federale ngelet e vetmuar. Që nga viti 2008, normat e interesit janë pothuajse zero dhe Rezerva ka shpenzuar më shumë se 2.3 trilionë dollarë në ndihmë të ekonomisë për të shmangur përsëritjen e “Depresionit të Madh” të viteve 1930. Ekonomia duket se do tronditet nëse mbarojnë programet e stimulit dhe dobësimi i mëtejshëm e gjen Rezervën Federale me pak mundësi zgjedhje. Shumë analistë shqetësohen se printimi i parave nuk do ndikojë shumë në rritjen e ekonomisë pasi normat janë të ulëta dhe kompanitë e mëdha janë të tejmbushura me para që nuk kanë nevojë për më shumë borxhe.
Shtuar më 03/11/2010, ora 22:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori