Cani: Raporti i S&P, tjetër siguri për konsolidimin e financave
Ministri i Financave flet te “Zëri i Amerikës” rreth takimeve në Uashinton, çfarë pritet nga marrëveshja me Bankën Botërore, vlerësimet e “Standard&Poor’s”, parashikimet ekonomike, etj.

Ministri Cani është duke kryer këto ditë në Uashington disa takime me drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ku në fokus të bisedimeve janë: situata ekonomike, parashikimet për 2015-2016, programi 3-vjeçar me Fondin, ecuria e pagesave, etj.


Me këtë rast, ministri ishte i ftuar edhe në studiot e “Zërit të Amerikës”, për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Rudina Dervishi në lidhje me raportin e fundit të vlerësimit nga kompania e njohur “Standard & Poor’s”, rreth takimeve me drejtues të FMN dhe BB, parashikimi i ekonomisë, treguesit e fundit të INSTAT, etj.

"Vlerësimi së pari nuk është vetëm prej lidhjes së marrëveshjes me FMN , por është edhe për angazhimet dhe punën e bërë nga qeveria deri më tani. Të marra të dyja së bashku është një vlerësim në fakt, për qeverinë shqiptare, për punën e bërë deri tani, për arritjet dhe për angazhimet për të ardhmen. Ky është një hap drejt asaj që ne si qeveri jemi të vendosur për të realizuar një sërë reformash strukturore. Kemi një sërë objektivash për të arritur, të cilat edhe nga bisedat e deritanishme me FMN dhe Bankën Botërore, duket që jemi në rrugë të mbarë." u shpreh Cani

Në lidhje me situatën energjetike dhe ndikimet e pritshme në ekonomi, Cani tha se shqiptarët janë njohur me gjendjen e sistemit energjetik, edhe në lidhje me zhvillimet e fundit, të bëra publike nga qeveria.

"Natyrisht, ky sektor ka nevojë për një reformë të thellë dhe tërësore, për të cilën ne si qeveri e kemi deklaruar më herët se do ta ndërmarrim. Së fundmi, kësaj reforme iu shtua edhe gjendja e prodhimit energjetik, thatësira, rezerva e pamjaftueshme hidrike, pasi jemi në një situatë rreth 35% më pak reshje se viti i kaluar.
Për rrjedhojë, këto elementë na detyrojnë të kërkojmë fonde shtesë në buxhet që shkojnë nga 100 deri në 200 milionë euro, të nevojshëm për importin e energjisë elektrike dhe përmirësimin e treguesve. Kjo është një nga çështjet që po diskutohet këto ditë në Uashington. Dua të theksoj se reforma në sektorin energjetik parashikon një paketë ndihme prej jo më pak se 100 milionë euro, që do të akordohen nga BB për investime në sektorin energjetik." u shpreh ministri

Në lidhje me marrëveshjet me FMN dhe BB ai sqaroi se bashkëpunimi me BB nuk prek vetëm sektorin energjetik, por edhe fusha të tjera.
Shtuar më 15/04/2014, ora 13:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori