Cani: Ekonomia po reagon pozitivisht
Në ambjentet e Ministrisë së Financave u zvillua dje konferenca e përbashkët për shtyp midis ministrit të Financave, z.Shkëlqim Cani, shefit të FMN-së, Nadeem Ilahi dhe Ministrit i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj.

Në fillim të fjalës, ministri Cani falënderoi misionin profesional të FMN-së të udhëhequr nga z. Nadeem Ilahi, për ndihmën e çmuar që dhanë për arritjen e një mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë dhe FMN-së, në përpjekjet tona për garantimin e stabilitetit ekonomik.

Shefi i Financave e cilësoi vitin 2013-a si një prej viteve më të vështira për ekonominë shqiptare.

“Për të përmirësuar besueshmërinë e bizneseve dhe konsumatorëve, një prej angazhimeve të qeverisë në periudhën afatshkurtër ka qenë shlyerja sa më shpejt e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Deri më sot, janë shlyer rreth 200 milionë USD në formën e pagesës së drejtpërdrejtë dhe netimit të faturave në sektorin e energjisë. Treguesit fiskalë të katërmujorit të parë ishin në përputhje me objektivat e planit. Nëse ju referohemi dhe të dhënave operative paraprake, vetëm për tatimet e doganat, rezulton se të ardhurat prej tyre ishin rreth 12% (85 mln USD) më tepër se katër-mujori i vitit të shkuar, ose mbi 2% me tepër se sa plani për janar - prill 2014”, deklaroi Ministri i Financave.

Ministri Cani renditi disa masa si, asistenca e “Croën Agents” për doganat shqiptare, harti i Kodit të ri Doganor, përgatitja e draftligjit “Për TVSH“, trajnimet e administratave të fiskut, rishikimi i disa procedurave që ulin kostot administrative për tatimpaguesit, bazuar në rekomandimet nga një projekt i përbashkët me IFC, shmangia e vonesave në pagesën për kërkesat e rimbursimit të TVSH-së (afati 2 muaj), etj, të gjitha këto, sipas tij, kanë ndikuar në reagimin pozitiv të ekonomisë.

Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj shprehu mirënjohjen e Qeverisë shqiptare për misionin e FMN dhe drejtuesin e tij, z. Nadeem Ilahi, për suportin e tyre ne materializimin e kësaj marrëveshje historike, sic u shpreh ai.

“Do të doja të ndalesha tek dy aspekte tejet të rëndësishëm që janë adresuar gjatë këtij misioni: së pari situata e të ardhurave fiskale dhe së dyti, klima e biznesit.
Ndryshimi i parë cilësor, në të cilin u ndal pak edhe zoti Ilahi gjatë fjalës së tij, janë sinjalet pozitive në klimën e biznesit. Sigurisht që ky është një tregues fillestar i reformave të thella që kemi ndëmarrë në të dy këta sektorë, por vlen të theksohet se këto janë sinjale mjaft pozitive për nismat e ndërmarra deri tani. Sinjale këto që janë konfirmuar edhe nga tregues të tjerë, si ato të Bankës së Shqipërisë mbi besimin e sipërmarrjes.

Ndryshimin e dytë e kemi parë nga të dhënat zyrtare të INSTAT që tregon se për tremujorin e parë 2014 janë rritur si eksportet ashtu edhe importet. Respektivisht importet janë rritur me 10.7% dhe eksportet janë rritur me 10.3%. Po kështu janë rritur sidomos ato eksporte që janë adresuar nga paketa ndihmëse e qeverisë, sic është edhe paketa e fasonit, e cila pa kaluar ende pati një efekt gjerësisht pozitiv mbi eksportet duke i rritur eksportet për tekstile dhe këpucë me 41.3%. Objektivi ynë kryesor është rritja ekonomike cilësore dhe në këtë drejtim jemi duke punuar shumë nga afër me partnerët tanë si BB dhe FMN në mënyrë që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme. Sipas hulumtimeve të misionit, ne jemi në rrugën e duhur dhe në muajt në vijim, deri në analizën e dytë tremujore do të vazhdojmë punën për të vënë në lëvizje të potencialin e plotë ekonomik të vendit”- përfundoi Ministri Ahmetaj.
Shtuar më 14/05/2014, ora 09:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori