BSH: Çmimet e banesave vijuan rënien në tremujorin e tretë, ulen edhe qiratë
Pëlqej
Banka e Shqipërisë ka konfirmuar atë që kishte paralajmëruar më herët, mbi rënien e çmimit të banesave në treg, një tendencë kjo e shfaqur në pjesën e parë të vitit por e lakuar edhe nga ndërtuesit. Gjithsesi ritmi i rënies ka qenë më i ulët sesa periudha janar-qershor 2017.

Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e tretë të këtij viti nënvizon se rënia vjetore e indeksit të çmimit të banesave ishte 2.8% krahasuar me 5.9% dhe 11.5% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit.

Tremujori i tretë i vitit ka shënuar një pikë kthese për indeksin tjetër që lidhet me qiratë e banesave. Ky i fundit ka qenë në rritje për katër tremujorë rresht por që për korrik-shtator ka regjistruar rënie me 5.3për qind. Tendenca e rënies që qirave duket se lidhet me një ofertë të bollshme në treg. Tradicionalisht ka një pritshmëri për çmime më të kripura sidomos në shtator për shkak të studentëve të cilët nisin vitin shkollor në tetor.

Banka Qendrore nënvizon se zhvillimet më të fundit në çmimet e tregut të banesave e kanë afruar raportin e çmimeve ndaj qirasë me mesataren afatgjatë të dhjetë viteve të fundit.

Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1000-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona elitare si tek Televizioni Shqiptar, ku çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror. Kryeqyteti shqiptar ka shumë të lirë periferinë, me rreth 500 euro për metër katror, ndonëse kanë shënuar një rritje prej 15-20% së fundmi. /monitor/
Shtuar më 10/11/2017, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori