BQE: 25 banka europiane nuk kalojnë "provimin"
Banka Qëndrore Europiane, Frankfurt
Bankat në Europë kanë një mungesë prej 25 miliardë eurosh, të cilat do të ishin të nevojshme për t’i mbijetuar një krize financiare apo ekonomike. Lajmi është bërë i ditur nga vetëBanka Qendrore Europiane ditën e sotme.

Përfundimi ishte rezultat i një auditi njëvjeçar i huadhënësve të eurozonës, dhe përbën një pikë kthese potenciale për ekonominë e goditur të rajonit.

BQE tha se 25 banka në eurozonë treguan mangësi në kapitalin e tyre, pas një rishikimi që ishte hartuar për të zbuluar problemet e fshehura dhe për të provuar aftësinë e tyre për t’i qëndruar të palëkundur një recesioni të thellë apo krizave të tjera. Auditi kontrolloi librat financiarë të bankave deri në fund të vitit 2013. Nga 25 banka në total, 13 nuk kanë krijuar kapital të mjaftueshëm për t’i mbijetuar një krize të mundshme, bëri të ditur BQE.

Vlerësimi i shumëpritur i bankave europiane kishte për qëllim të pastronte "retë" e mosbesimit që ka penguar huadhënien në vende si Italia dhe Greqia, si dhe ka lënë eurozonën në një luftim të ashpër për të shmangur rënien sërish në recesion.

Duke ekspozuar një numër relativisht të vogël bankash "të sëmura", nga 130 në total të nënshtruara auditit, Banka Qendrore synon ta bëjë më të lehtë situatën për bankat " e shëndosha" që t’u ofrojnë kredi klientëve.

Asnjë bankë e rëndësishme europiane nuk ka dështuar në këtë testim të BQE-së.

Italia ka qenë vendi me numrin më të madh të bankave "të sëmura" nga ky audit, me plot 9 të tillë, nga të cilat 4 duhet me patjetër të shtojnë kapitalin e tyre. "Monte dei Paschi di Siena" ka qenë më problematikja.

Sistemi bankar i Greqisë është gjithashtu i goditur rëndë, me 3 banka në mungesë kapiteli. "Piraeus Bank" raportohet të ketë shtuar mjaftueshëm kapital për të kënaqur palën rregullatore. Dy të tjerat janë "Eurobank" dhe "Banka Kombëtare e Greqisë", të cilat duket të krijojnë më shumë kapital sigurie.

Numri i bankave njihej prej së premtes, kur nisi të qarkullonte një draft-raporti i Bankës Qendrore Europiane, por sasia e parave të munguara nga ky audit është zbuluar ditën e diel. / albeu.com/
Shtuar më 26/10/2014, ora 14:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori