Bie prodhimi në 'Trepçë', s'ka përkrahje nga qeveria
Pëlqej
Derisa “Trepça” në jug ka të punësuar 1400 punëtorë, minatorë dhe staf tjetër, ajo në veri ka 3 mijë punëtorë, të cilët paguhen me mjetet që sigurohen nga shitja e xehes, por edhe me mjetet që ndan qeveria e Serbisë.

Një e treta e tyre marrin pagë prej 90 eurosh nga qeveria serbe dhe nuk punojnë, ndërsa 700 punëtorë të tjerë kanë bërë kërkesë për ta marrë pagën e parakohshme me shkëputje të kontratës së punës, shkruan sot, gazeta Zeri

Miniera e “Trepçës” në Stan Tërg vazhdon të ballafaqohet me vështirësi të mëdha, ndonëse Ligji për Trepçën, i miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të tetorit të vitit 2016, garantonte zhvillim të shpejtë, pasi që gjiganti ekonomik kosovar i kthehej shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prodhimi në vitin 2017 ka shënuar rënie të dukshme krahasuar me vitin 2016.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë prodhuar 6 mijë tonë më pak xehe se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Me prodhimin aktual menaxhmenti i “Trepçës” ka arritur t’i sigurojë pagat për 1360 punëtorë, sa aktualisht punojnë, minatorë dhe staf tjetër. Institucionet e Republikës së Kosovës, para së gjithash Qeveria e Kosovës, prej se është miratuar Ligji për Trepçën nuk ka arritur t’i formojë dy bordet kryesore, atë Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues dhe në këtë mënyrë gjithçka ka mbetur në duart e menaxhmentit që udhëhiqet nga Ahmet Tmava.

Drejtori Tmava është duke e shtyrë, siç thonë, “me gjoks”, pa e pasur asnjë lloj përkrahjeje nga Qeveria e Kosovës. Institucionet e vendit nuk kanë arritur ta bëjnë asnjë hap përpara për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e “Trepçës”.

Në “Trepçë” thonë se kombinati ka mbetur peng i politikës, pasi që me rënien e Qeverisë ka ngelur puna e funksionalizimit të Ligjit për Trepçën, e më këtë edhe zhvillimi i saj, ashtu siç synohej.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, i ka thënë “Zërit” se janë duke u përballur me telashe të mëdha, të cilat nuk mund të zgjidhen pa u konstituuar institucionet e Kosovës, sidomos pa u funksionalizuar Qeveria e re e vendit, e cila do të vazhdojë me procesin e transformimit të ndërmarrjes nga ajo shoqërore në ndërmarrje publike.


Shtuar më 06/09/2017, ora 09:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori