Berisha pret drejtoreshën e BB: Kujdes me borxhin!
Ngozi Okonjo-Iweala
Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore, Ngozi Okonjo-Iueala, nga ku ka theksuar se bashkëpunimi me këtë bankë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Kemi trajtuar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe sidomos zhvillimin e infrastrukturës ku Banka Botërore ka një rol dhe kontribut shumë të madh, në të gjithë vendin”, theksoi Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp.

Më tej, kryeministri ka shpalosur qëllimet e qeverisë për rritjen ekonomike si dhe zhvillimin e vendit në përgjegjësi, duke përmendur këtu transaksionet elektronike, etj. Berisha shtoi se i kishte deklaruar zyrtares së lartë të BB-së, se për Shqipërinë paraqet rëndësi zhvillimi makro-ekonomik dhe që borxhi të mbahet nën kontroll, me synimin që deficiti buxhetor të mbahet në nivelin prej 3.5 për qind.

Nga ana e saj, Okonjo-Iueala tha se Shqipëria e përballoi me sukses krizën financiare globale, duke nënvizuar se vendi ynë ishte i vetmi që shënoi rritje ekonomike. Ajo tha se është fakt se zhvillimi i Shqipërisë ka qenë me rritje prej 6% nga viti 1998 në vitin 2008 dhe ky ritëm zhvillimi kjo e rendit ndër vendet kryesore të Evropës Lindore.

Okonjo-Iueala i bëri thirrje qeverisë të vijojë politikën e kujdesshme me treguesit fiskalë ndërsa vendi përballet me konkurrencën në rritje. Një temë tjerë e prekur nga zyrtarja e Bankës Botërore ishte ajo përmbytjeve në zonat veriore të vendit, duke nënvizuar se Banka Botërore është e angazhuar për të ndihmuar planifikimin pas fatkeqësisë.

Ajo përmendi fondin prej 1 milionë dollarë, të cilat ky institucion financiar ka parashikuar që t’ia vërë në dispozicion të zonave të përmbytura.
Shtuar më 10/01/2011, ora 13:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori