BE: Në Shqipëri, tregu prodhimit të energjisë i pazhvilluar
Në Shqipëri nuk janë bërë shumë përpjekje për të ndryshuar tregun e prodhimit të energjisë elektrike. Ky është konkluzioni i bërë publik nga Bashkimi Europian për Shqipërinë.

Nga problemet kryeosore të bëra në këtë raport ato më të rëndësishmet janë, mangësitë me ligjet dhe ngecja e reformave.

Raporti thekson se ka pak progres në sigurinë e furnizimit me energji. Megjithëse raporti vlerëson pozitivisht mbarimin e linjës së re të interkonjeksionit 400 kV me Malin e Zi në prill të këtij viti, përsëri furnizimi me energji elektrike mbetet një çështje delikate, si dhe e varur nga kushtet hidrologjike, për shkak të varësisë pothuajse ekskluzive të vendit nga prodhimi i hidrocentraleve.

Në këtë raport thuhet se duhen përpjekje shtesë për zbatimin e direktivave të BE-së në përputhje me detyrimet e Shqipërisë ndaj Traktatit të Energjisë. Ekspertët gjykojnë se gjykimet e dhëna në raport për këtë pjesë të sektorit janë të drejta, pasi vendi varet tërësisht nga prodhimi hidrik, ndërsa TEC-i i Vlorës, që u ndërtua me një kosto totale prej 130 milionë eurosh, nuk është vënë asnjëherë në punë.

Raporti e sa i përket tregut të brendshëm vlerëson progresin në këtë sektor si të kufizuar. “Janë bërë përpjekje për të ristrukturuar prodhimin e energjisë nga shteti, si dhe furnizuesin publik me shumicë të KESH-it. Autoriteti i Konkurrencës konstaton pengesë të konkurrencës, për shkak të mungesës së ndarjes efektive funksionale dhe financiare të FPSH dhe divizionit të prodhimit të KESH-it” shkruhet në këtë raport.

Ligji për sektorin e energjisë elektrike, i cili rregullon këtë sektor, së bashku me legjislacionin zbatues nuk është në përputhje me direktivat europiane. Një pjesë e rëndësishme e kapacitetit transmetues dhe shpërndarës është akoma i rezervuar për FPSH. Humbjet e shpërndarjes janë ulur pak, kurse niveli i arkëtimeve qëndron në nivelin e 77%.

Raporti thekson gjithashtu se kërkohen përpjekje energjike në këto fusha, si dhe modeli i tregut duhet që të përshtatet akoma, në mënyrë që të sigurojë jetëgjatësi për këtë sektor. Shqipëria nuk ka treg gazi dhe kuadri ligjor dytësor për ligjin e qershorit 2008 për sektorin e gazit natyror nuk është aprovuar akoma./albeu.com/
Shtuar më 06/11/2011, ora 10:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori