BB vijon mbështetjen për Shqipërinë
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot një takim pune me misionin e Bankës Botërore për sektorin e energjisë elektrike, të kryesuar nga znj. Kseniya Lvovsky, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë.


Në takim u diskutua për problematikën aktuale në sektorin e energjisë elektrike, si dhe për mënyrën e bashkëpunimit afatgjatë mes palëve, Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore, për t’u përballur me sfidat dhe risqet jo të pakta me të cilat po ndeshet dhe do të ndeshet sektori i energjisë elektrike në të ardhmen.


Në këtë takim u ra dakord që palët të hartojnë dhe miratojnë një Program Pune të përbashkët, për mbështetjen afatgjate të këtij sektori nga ana e Bankës Botërore. Ky program pune parashikon mbështetje financiare dhe menaxheriale për të optimizuar sistemin elektroenergjetik, për të reformuar më tej kuadrin rregullator si dhe për të vënë në efiçencë pjesët problematike, me një fokus të veçantë në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Gjithashtu u diskutua dhe u ra dakord edhe për mbështetje financiare për të realizuar investimet në objektet e prodhimit të energjisë elektrike që administrohen nga KESH sh.a., me qëllim parësor sigurimin e energjisë dhe diversifikimin e saj si pjesë e strategjisë së Qeverisë Shqiptare.


Ky takim është në vijim të bashkëpunimit shumëvjeçar që Qeveria Shqiptare ka prej vitesh me Bankën Botërore, si një nga donatorët kryesor të këtij sektori, jo vetëm me financime për të realizuar investime të rëndësishme, por dhe me asistencën teknike për rritjen e kapaciteteve menaxhuese të sektorit.


Haxhinasto theksoi gjithashtu se vazhdimi i këtij bashkëpunimi, rënë dakord midis palëve, është një sinjal shumë i mirë për ekonominë, por edhe për investitorët që e vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri si dhe mundësitë për të investuar në këtë sektor. /albeu.com/
Shtuar më 24/01/2013, ora 15:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori