Ndiqni pamjet LIVE, mijëra studentë rrethojnë Kuvendin
Bankat japin më shumë kredi për individët, më e vështirë për bizneset
Pëlqej
Bizneset, sidomos ato të mëdha, e kanë pasur më të vështirë që të merrnin kredi në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa më e lehtë ka qenë për individët.

Banka e Shqipërisë ka publikuar Vrojtimin për Aktivitetin kreditues për Tremujorin e dytë, sipas të cilës rezulton se bazuar në perceptimet e bankave tregtare standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2018, në reflektim të një politike më të shtrënguar kreditimi për bizneset e mëdha.

Në të kundërt, standardet e kreditimit u raportuan të lehtësuara për individët, në sajë të lehtësimit në segmentin e kredive për qëllim blerje banese. Kërkesa për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e dytë, si për bizneset ashtu edhe për individët.

tremujorin e tretë të vitit 2018 bankat presin standarde pothuajse të pandryshuara, si në kategorinë e bizneseve ashtu edhe në atë të individëve. Kërkesa pritet të qëndrojë në nivele të ngjashme me tremujorin e dytë në segmentin e bizneseve, ndërkohë që për atë të individëve pritet të jetë lehtësisht më e lartë. Normat e interesit mbi kreditë në lekë priten të reduktohen, ndërsa ato në valutë të rriten në tremujorin në vazhdim.

Standardet e kreditimit për kategorinë e bizneseve u shtrënguan në krahasim me një tremujor më parë, të përcaktuara kryesisht nga ato të aplikuara mbi kreditë për bizneset e mëdha. Ato u raportuan më të shtrënguara në kreditë për qëllim investimi dhe pothuajse të pandryshuara për kreditë për likuiditete.

Pritjet për tremujorin e tretë të vitit lënë thuajse të pandryshuar me tremujorin e dytë tablonë e standardeve të kreditimit për bizneset, si në terma të madhësisë së tyre, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

Kërkesa për kredi u raportua më e lartë si për bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ato të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa ishte më e lartë në krahasim me tremujorin e mëparshëm për kredinë për likuiditete, ndërkohë që ajo për investime u raportua lehtësisht më e ulët.

Standardet e kreditimit për individët u raportuan më të lehtësuara në tremujorin e dytë. Ky lehtësim ishte i pranishëm për kreditë për blerje banese, ndërkohë që për kreditë konsumatore standardet mbetën pothuajse të pandryshuara me një tremujor më parë. Në tremujorin e tretë të vitit bankat shprehen se nuk presin ndryshim të standardeve të kredisë për individët në asnjërin prej segmenteve të kësaj kategorie.

Kërkesa e individëve për kredi ishte më e lartë në tremujorin e dytë të vitit, e nxitur nga kredia me qëllim blerje banese. Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin një kërkesë lehtësisht më të lartë se ajo e tremujorit të dytë, si për kredinë me qëllim blerje banese ashtu edhe atë konsumatore.

Faktorët e perceptuar nga bankat si nxitës së kërkesës ishin të lidhura me: nevoja më të larta për financimin e konsumit si edhe blerjes së banesave; kreditë nga bankat dhe jo-bankat; si edhe zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave.

I vetmi faktor që bankat perceptojnë se ka ndikuar në kahun rënës kërkesën për kredi të individëve ishte përdorimi i burimeve të brendshme të financimit, vlerëson Banka e Shqipërisë. /Monitor/
Shtuar më 21/07/2018, ora 09:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori