Ata që i kanë kursimet në Euro dhe Dollar do të mërziten nga ky lajm
Pëlqej
Ka një mungesë historike besimi ndaj monedhës vendase, që i ka rrënjët që në kohën e Zogut, kur zhvlerësimi i monedhës kombëtare i bëri njerëzit të lidheshin me floririn. Edhe në kohën e komunizmit, ata që kishin flori i ruanin me kujdes.

Në fillim të viteve ’90, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi, referencë për shqiptarët u bë dollari. Që prej vitit 2003, kur kaloi për herë të parë dollarin në bursat ndërkombëtare, euro është monedha e preferuar për blerjen e aseteve të qëndrueshme, sidomos apartamentet dhe makinat. Çmimet e shtëpive sot kuotohen në euro, por edhe makinat shiten në këtë monedhë.

Edhe kursimet e tyre, shqiptarët nuk preferojnë që t’i mbajnë në monedhën vendase. Në fund të muajit shkurt 2018, 52% e kursimeve totale në banka janë në valutë, kryesisht në euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Pesha e kursimeve në valutë është rritur vitet e fundit, teksa në dhjetor 2015, për herë të parë kursimet në valutë i kaluan ato në lekë.

Por, sot, teksa euro dhe dollari po bien kursimet në valutë vlejnë më pak, nëse do të konvertoheshin në lekë. Euro zbriti në fund të javës së kaluar në 128.84 lekë, nivelin më të ulët në 10 vite, ndërkohë që dollari luhatet rreth 105 lekëve, niveli më i ulët i katër viteve.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shkurt, depozitat në euro ishin gati 3.7 miliardë euro, që të konvertuara me kursin aktual të këmbimit (1 euro=129 lekë) arrijnë në 476 miliardë lekë. E njëjta sasi depozitash në valutë e konvertuar me kursin mesatar të 2017-s (1 euro=134 lekë) është 495 miliardë lekë. Pra vetëm nga zhvlerësimi, kursimet në euro kanë rënë me 19 miliardë lekë, apo me rreth 150 milionë euro në tre muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të përllogaritura nga Monitor.

Në raport me vitet e mëparshme, kur euro këmbehej në rreth 140 lekë, humbja është më e lartë. Nëse euro do të këmbehej sërish në ato nivele, të njëjtat kursime, të konvertuara në lekë do të vlenin 39 miliardë lekë, ose gati 300 milionë euro më shumë.

Edhe vlera e kursimeve në dollarë ka qenë në rënie, ndonëse më e lehtë për shkak se depozitat në monedhën e gjelbër janë shumë më të ulëta. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shkurtit të këtij viti, ishin 626 milionë dollarë. Me monedhën e gjelbër që këmbehet aktualisht me 105 lekë, humbja në raport me 2017-n, kur mesatarja e këmbimit ishte 119 lekë, është rreth 8.7 miliardë lekë, ose rreth 67 milionë euro.

Pra për të dyja valutat, humbja i kalon 200 milionë euro në vetëm tre muaj.

Edhe Banka e Shqipërisë raportoi në vitin 2017 një humbje rekord prej 115 eurosh, që erdhi si rrjedhojë e zhvlerësimit të rezervave të saj në valutë, nga nënçmimi i euros dhe dollarit./Monitor
Shtuar më 09/04/2018, ora 08:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori