Ana tjetër e medaljes, bizneset shqiptare nuk janë gati të përballen
Pëlqej
Anëtarësimi në BE mbështetet në tre parime të përcaktuara në Këshillin e Kopenhagës në vitin 1993, një prej të cilëve është “Kriteri Ekonomik” (ekonomi tregu funksionale dhe e aftë për të përballuar konkurrueshmërinë brenda tregut të përbashkët europian).

Sipas progres-raportit, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për funksionimin e ekonomisë së tregut.

Komisioni dha nota jo kaluese për zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe investimeve në shkencë dhe teknologji. Bizneset që rrezikojnë të dëmtohen nga integrimi, shkruan Monitor.

Kroacia është vendi i fundit ballkanik që iu bashkua Bashkimit Europian duke kaluar një proces të gjatë negociatash gati 9 vite, nga 2004 deri në vitin 2013. Pas Sllovenisë, Kroacia ishte vendi më i zhvilluar i rajonit.

Industria e anijeve dhe turizmi i sillnin vendit 10 miliardë euro eksporte një vit para anëtarësimit, por tani katër vite pas bashkimit me BE-në, vendi po kalon një periudhë të vështirë. Borxhi publik është rritur në 10 pikë përqindje nga viti 2013, ndërsa deficiti në tregtinë e mallrave është thelluar më tej teksa vendi po përballet nga plakja e popullsisë dhe emigracioni i lartë që nxiti anëtarësimi.

Vitet e fundit, u përball me vështirësi nga falimenti i Agrocor, kompanisë më të madhe në vend që punësonte 60 mijë punonjës, pasi veç të tjerash nuk mundi t’i bëjë ballë konkurrencës nga hapja e tregjeve në BE.

Por anëtarësimi i ka forcuar më tej institucionet dhe demokracinë në vend, në të gjitha nivelet dhe qytetarët kroatë përfituan nga hapja e tregtisë me BE-në, duke blerë mallra më cilësore me çmime më të lira. Investimet e huaja kanë qenë në rritje dhe biletat e udhëtimit ajror u bënë më të lira.

Pas Kroacisë, vende të tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia, janë në proces negociatash për anëtarësim me BE dhe pritet t’i bashkohen BE-së deri në 2025, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia pritet të marrin dritën jeshile në qershor për hapjen e bisedimeve që mund të çojnë në anëtarësim në dekadën e ardhshme. Sfida më e madhe e Shqipërisë është përballja me hapjen e tregjeve të BE-së dhe përgatitja e bizneseve shqiptare për t’u bërë konkurrues në këtë proces.

Ndryshe nga i gjithë rajoni, në Shqipëri bujqësia zë një pjesë të madhe të ekonomisë (20% në PBB dhe rreth 40% në punësim). Komisioni Europian, në Raportin e fundit të Progresit, dha vlerësim të ulët për këtë sektor, në krahasim me kapitujt e tjerë që morën më së shumti vlerësim mesatar. “Gjatë procesit të negociatave, Shqipërisë i duhet të diversifikohet në sektorë me vlerë të shtuar dhe të gjejë rrugën për t’u bërë pjesë e ekonomisë së shkallës në BE.

Vendi duhet të marrë masa realiste për periudhën para dhe pas anëtarësimit, përfshirë këtë edhe nevojën për të përgatitur kapacitetet e duhura tek operatorët ekonomikë”, thotë Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Ekonomia shqiptare karakterizohet nga biznese të vogla me 1-4 punonjës, që përbëjnë mbi 90% të totalit të ndërmarrjeve, ku mbizotëron vetëpunësimi dhe që shpesh janë në kufijtë e ekzistencës dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të përshtatur standardet, që do të duhet të përmbushin detyrimisht, teksa vendi do të integrohet gradualisht.

Adi Haxhiymeri, përfaqësues i industrisë së përpunimit të miellit, thotë se klima e biznesit në Shqipëri e ka bërë industrinë vendase jokonkurruese edhe në rajon dhe sigurisht të paaftë për t’i bërë ballë hapjes së tregjeve me BE-në.
Por kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Luan leka, administrator i kompanisë EHW, ka pritshmëri të tjera për hapjen e tregjeve.

Sipas tij, heqja e barrierave tregtare sjell gjithmonë zhvillim dhe përmirësime në cilësi. Duke analizuar industrinë e përpunimit të mishit, zoti Leka tha se hapja e tregjeve i mundëson atij hyrje edhe në vende të tjera, për të cilat aktualisht ka vështirësi për shkak të barrierave tregtare.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka ndryshuar politikat e zgjerimit, pasi është duke vlerësuar të njehsojë fillimisht tregjet në Ballkan. Duke synuar krijimin e një “lagje të fortë”, BE e ka vënë Shqipërinë në garë të dyfishtë, së pari për t’u pozicionuar në rajon dhe, më pas, në BE.

Në hapat e para të saj, gara me rajonin duket se na ka vënë në vështirësi pasi industria e përpunimit në vend (mielli dhe birra) po konkurrohet ashpër nga prodhimet në vendet fqinjë.

Nisur nga këto zhvillime, bizneset shqiptare po rrisin skepticizmin për të përfitimet që do të sjellë anëtarësimi në BE, pavarësisht se vijojmë të jemi më optimistët në rajon.
Sipas Barometrit të Ballkanit të vitit të kaluar, 75% e bizneseve në Shqipëri e konsiderojnë si zhvillim pozitiv anëtarësimin në BE, në raport me 78% që mendonin në këtë mënyrë në vitin 2016.

Gjithashtu qytetarët shqiptarë mbeten më optimistët në rajon për anëtarësimin me BE, pasi 80% e konsiderojnë një gjë shumë të mirë në raport me 40% e mesatares së popullsisë së rajonit që mendojnë në këtë mënyrë.


31 kapitujt e vështirë

Hapja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të kalojë në një proces të gjatë që konsiston në përputhjen e 31 kapitujve që përfshijnë të gjithë aktivitetin jetësor në vend, që nga demokracia dhe institucionet e saj deri tek kriteret ekonomike dhe sociale.

Aktualisht, 31 kapitujt janë në zbatim që kur vendi mori statusin e vendit kandidat. Deri tani, të 31 kapitujt janë në fazën fillestare të zbatimit, që nënkupton përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së në të gjithë sektorët.

Më pas, zbatimi i ligjeve do të jetë sfida e procesit të hapjes së negociatave dhe anëtarësimit të plotë. Kapitulli i parë është lëvizja e lirë e mallrave, e cila në themel ka heqjen e barrierave tregtare dhe masave mbrojtëse kombëtare për kategori të veçanta. Shqipëria, në këtë kapitull, ka marrë vlerësim mesatar, për stadin që i kërkohet, pasi ende nuk kemi përmbushur legjislacionin dhe nuk kemi forcuar institucionet për mbikëqyrjen e tregut.

Raporti i progresit dha vlerësime pozitive për procedurat e prokurimit publik, të drejtat e autorit dhe sigurinë ushqimore, si dhe vlerësoi tërësisht pa progres zhvillimet në sektorin e bujqësisë dhe investimeve në shkencë dhe teknologji.

Raporti i fundit i progresit që dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave e vuri theksin te krijimi i një ekonomie tregu funksionale dhe aftësinë për të përballuar me presion konkurrues dhe forca të tregut brenda Bashkimit.

Sipas raportit, Shqipëria ka bërë disa përparime dhe është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin në funksionimin e ekonomisë së tregut. Komisioni Europian vëren se reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë vendimtare dhe kërkojnë përpjekje të mëtejshme.

“Ligjet dhe rregullat që mbështetin klimën e biznesit mbetën të vështira dhe mangësitë në sundimin e ligjit vazhdojnë të pengojnë bizneset dhe investimet”, – theksohet në raport. /albeu.com/



Shtuar më 29/04/2018, ora 16:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori