AMF: Kush paguan sigurim për shtëpinë të kërkojë inspektim nga kompanitë nëse ka dëmtime
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka reaguar pas tërmetit të datës 26 nëntor duke i rikujtuar të gjithë pronarëve të shtëpive që paguajnë siguracion për banesat e tyre që t'u drejtohen kompanive të sigurimit për të bërë verifikimin e dëmeve nëse ka.

AMF thekson gjithashtu se njoftimi duhet bërë me shkrim tek zyrat qendrore, e cila është e detyruar që të sjellë një ekspert vlerësimi për të konstatuar dëmet e mundshme.

"Ju mund të kontaktoni shoqërinë e sigurimit të adresën e selisë qendrore apo në zyrat që ajo ka në rrethin ku ndodheni për të njoftuar dëmtimet e ndodhura në banesën apo pronën Tuaj, si dhe për t’u informuar me detaje në lidhje me procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim", bën me dije AMF.

Sipas të dhënave më të fundit të zyrës operacionale për menaxhimin e fatkeqësive, në rang kombëtar janë 131 banesa të shembura; 3 811 banesa të dëmtuara rëndë; 3149 banesa të dëmtuara lehtë; 461 pallate të dëmtuara rëndë, 324 pallate me dëmtime të lehta.

Ndërkohë, 20 pallate janë shpallur të pabanueshëm pas verifikimit.

Sipas kësaj zyre 1 961 qytetarë janë strehuar në hotele, 964 në çadra, 867 qytetarë janë strehuar në qendra sociale, 2 525 qytetarë janë strehuar në miq e të afërm.

Njoftimi i plotë i AMF

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dëshiron të informojë të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti i datës 26.11.2019, që kanë një kontratë për sigurimin e banesës apo pronës nga katastrofat natyrore, si tërmetet, zjarri, përmbytjet, që të kontaktojnë menjëherë shoqërinë e sigurimit për të njoftuar për dëmtimet e ndodhura.

Pasi të keni njoftuar zyrtarisht ndodhjen e ngjarjes së siguruar, një ekpert i shoqërisë së sigurimit do paraqitet në banesën/pronën e dëmtuar për të evidentuar dëmet. Bëni kujdes që njoftimi i shoqërisë së sigurimit të kryhet brenda afateve të përcaktuara në kontratën e sigurimit.

Ju mund të kontaktoni shoqërinë e sigurimit të adresën e selisë qendrore apo në zyrat që ajo ka në rrethin ku ndodheni për të njoftuar dëmtimet e ndodhura në banesën apo pronën Tuaj, si dhe për t’u informuar me detaje në lidhje me procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim.

Çdo shoqëri sigurimi ka një faqe zyrtare interneti, ku ka të publikuar adresat dhe mënyrat e kontaktit. Lista me shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, të cilat ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë me adresat përkatëse gjendet edhe në faqen e internetit të AMF-së https://amf.gov.al/ts_shoqeri_sigurimi.asp

Nëse keni marrë një kredi bankare Ju mund të kontaktoni dhe bankën për t’u informuar nëse keni siguruar banesën apo pronën Tuaj, si dhe për të kërkuar asistencën që iu nevojitet.
Shtuar më 02/12/2019, ora 15:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori