ALBtelecom ofron internet të sigurtë për fëmijët në sheshin Skënderbej (FOTO LAJM)

ALBtelecom finalizon projektin e dytë të “Friendly Wi-Fi” në sheshin Skënderbej, pas atij në Liqenin Artificial të Tiranës. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për të parandaluar fenomene si bullizmi kibernetik si dhe mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi online.

Friendly Wi-Fi” është një shërbim i çertifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia.

ALBtelecom e konsideron garantimin e sigurisë online për fëmijët si thelbësor për të ardhmen, për këtë arsye investoi në këtë projekt nxitur edhe nga dy partnerë si Bashkia Tiranë dhe UNICEF. Nisma ka për qëllim t’u ofrojë familjeve dhe fëmijëve një alternativë më të sigurtë dhe të përshtatshme gjatë lundrimit të tyre në internet.

Në një ditë të mbushur me aktivitete argëtuese dhe informuese për fëmijët, ku u testua përdorimi i shërbimit FriendlyWi-Fi morën pjesë Zëvendëskryetarja e Bashkisë Tiranë, Znj. Anisa Ruseti, Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, Z. Tahsin Yılmaz si dhe Drejtorii UNICEF në Shqipëri, Z. Roberto De Bernardi.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, Z. Tahsin Yılmaz,duke e konsideruar këtë shërbim si një vlerë të shtuar për Tiranën tha se: “Ne, në ALBtelecom jemi shumë krenarë që i kemi dhuruar Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës Wi-Fi falas në dy zonat më të njohura të qytetit si: Liqeni i Tiranës dhe Sheshi ‘Skënderbej’. Ne jemi veçanërisht krenarë që i kemi dhuruar qytetit,Wi-Fi falas miqësor dhe të filtruar me standardet më të larta ndërkombëtare.”
Së bashku me zyrtarët e lartë të pranishëm në këtë aktivitet, qytetarët u ftuan gjithashtu të shtonin në hartën e konceptuar të Tiranës se ku do të dëshironin të vendosnin pikën e aksesit të radhës të “Friendly Wi-Fi”.

Gjatë aktivitetit ndërgjegjësues mbi rreziqet në internet dhe mënyrat e mbrotjes, prindër, mësues, adoleshentë dhe fëmijë të moshave të ndryshme u prezantuan me mënyrën se si funksionon “Friendly Wi-Fi”, përmes përfshirjes në lojra dhe quize edukative.

Ky projekt është një shembull i vazhdimësisë së projekteve të njëpasnjëshme të ALBtelecom në kuadër të përgjegjësisë sociale për komunitetin.

Në ngritjen e infrastrukturës së ofrimit të shërbimit të internetit Wi-Fi, janë vënë në dispozicion pajisjet më avangarde.

ALBtelecom do të vijojë me projekte të ngjashme për të qenë gjithmonë e më pranë qytetarëve, në përmbushje të misionit të saj për të sjellë internet për të gjithë.
Shtuar më 25/11/2019, ora 17:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori