Ahmetaj: Ja formula që do aplikojmë për taksën e pronës
Pëlqej
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj në një dalje para mediave deklaroi se aktualisht është gati drafti final për taksën e pronës e cila hyn në fuqi nga 1 janari 2018.

Ahmetaj hodhi poshtë zërat për një diferencim në taksim për shtëpitë e dytë dhe të treta.

Formula në vetvete nuk përbën ndonjë surprizë pasi ashtu siç ishte deklaruar taksimi do të bëhet sipas vlerës së tregut të pasurisë dhe jo sipas çmimit fiks por ministri nuk dha detaje sesa do të jetë përqindja që do të aplikohet.

“Po ministria e ka të detajuar draftin për taksën e pronës dhe nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta. Ajo që përmban është kalimi nga taksë fikse, në referencë të vlerës. Pra nëse një shtëpi i është referuar gjithmonë çmimeve minimale fiskale dhe mbi të është vendosur një taksë fikse, tani do të kalojmë në nivelin e vlerës reale të shtëpisë.

Po marr një shembull: shtëpia juaj nuk është 800 euro metri katror por në fakt është 1200 euro metri/kartor kjo në bazë të transaksioneve. Mbi këtë vlerë reale do të aplikohet përqindja e taksës. Është një proces që s’do bëhet që në 1 janar 2018 por nis nga 1 janari.

Në harkun e dy viteve do të kemi një kadastër fiskale që do të jetë në favor të vlerës reale të pronës dhe bashkive që edhe e përfitojnë këtë taksë. Edhe një herë për të qenë të qartë nuk do të ketë tarifë të diferencuar” tha Ahmetaj.

Ministri u ndal edhe tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që është kthyer në epiqendër të debateve gjatë ditëve të fundit për shkak të shtrirjes së regjimit nga niveli zero.

“Nuk ka arsye që biznesi të ketë frikën e falimentit. Nëse instrumenti i TVSH -së në mënyrë indirekte është transmetuar nga i madhi tek i vogli, çfarë kosto ka kjo?

Pse do falimentojë? Cila është arsyeja? Ndonjë biznes informal i cili mund të ketë jetuar deri tani vetëm për shkak të mospagimit të taksës do detyrohet të rregullojë sjelljen. Por nuk do ketë rritje çmimesh dhe kostoja e administrimit nuk është e madhe dhe do i bëje mirë biznesit.

Jam i bindur që ka në terrenin fiskal fiskal shumë biznese që pretendojnë se janë nën 5 milionë lekë por në fakt janë 2-3 herë më shumë se kaq. Kjo është pabarazi, deformim, dëm ndaj qytetarëve dhe nuk mund të tërheqësh investimet e huaja nëse ke këtë lloj defomrimi në treg. Ka shumë praktika të shtrirjes së TVSH, Greqia po e bën tani, Maqedonia e ka shumë të ulët 10 mijë euro.

Unë mendoj që është një lëvizje kurajoze nga ana e qeverisë shqiptare dhe ka për të formalizuar shumë hapësira të tregut dhe atë gangrenë të krijuar mes biznesit të madh dhe të vogël.

Kjo është e padrejtë për qytetarët, për vendin, për buxhetin. Ne kemi detyrë të ofrojmë lehtësitë ndaj sipërmarrjes, të sigurojmë garancinë por kemi detyrë që të marrim atë që i takon buxhetit.

Tregjet formale të bashkisë do të trajtohen ndryshe sa i përket shtrirjes së TVSH-së tek biznesi i vogël. Formalizimi i TVSH-së ka si qëllim edukimin financiar por sigurisht edhe rritjen e të ardhurave.” tha Ahmetaj. /Monitor/
Shtuar më 10/10/2017, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori