500 milion euro borxh! Besimin e investitorëve e mori Maqedonia, ne morem interesat e larta
Pëlqej
Nga Albeu.com
Kryeministri Rama dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj u rrekën dje që ta quanin arritje daljen në tregun ndërkombëtar dhe marrjen e 500 milion eurove borxh me një interes mesatar prej 3.55 për qind dhe afat maturimi 7 vjet.

Në daljet e tij publike gjatë ditës së djeshme, Ahmetaj tha se përmes marrjes së këtij borxhi, Shqipëria mori edhe besimin e investitorëvë të huaj tek ecuria pozitive ekonomisë tonë.

Rama, në të njëjtën linjë me Ahmetajn theksoi se të huajt nuk e shohin Shqipërinë më një vend me risk, prandaj edhe zgjedhin të blejnë borxhin e vendit tonë.

“Tregjet u përgjigjën qartë. 4 vjet më parë Shqipëria paguante 5.75 për qind bond 5-vjeçar, për të kompensuar ata që investonin paratë te ky vend. Sot paguajmë 3,5 për qind bond 7-vjeçar.
Dallimi? Shqipëria nuk shihet më si risk, po si një investim i sigurt e premtues, falë reformave transformuese. Ende shumë për të bërë”, u shpreh Kryeministri.

Në fakt, e vërteta është disi ndryshe!

Në ato që thonë Rama dhe Ahmetaj ka disa të vërteta, por shumë të tjera janë tentativa për të manipuluar opionin publik.

Është e vërtetë se kësaj radhe Shqipëria mori një borxh me interesa më të ulta krahasuar me vitin 2015 (5.75 për qind). Kjo do të bëjë që buxheti i shtetit të duhet të paguajë më pak interesa në vitet në vijim.

Mirëpo, kjo ulje e interesave nuk ka ardhur kryesisht për shkak të performancës së shkëlqyer të ekonomisë shqiptare siç rreken të thonë Rama dhe Ahmetaj, por për shkak të uljes së përgjithshme të riskut në vendet e Bashkimit Europian, e cila kulmon me përmirësimin e ndjeshëm të treguesve makro të Greqisë.

Borxh me interesa të ulëta, madje shumë më të ulta se ne morën edhe Maqedonia dhe Mali i Zi.

Pavarësisht se ka patur tentativa për ta destabilizuar si vend dhe ndodhet në qendrën e përplasjes së influencave Perëndim-Rusi, Mali i Zi mori borxh me interesa më të ulta se ne.

Pra, ata që kanë paranë në perëndim besojnë se Mali i Zi ka më pak risk pavarësisht halleve me stabilitetin se sa vetë Shqipëria, një vend në NATO dhe aspirant në BE.

Për ironi të fatit, edhe Maqedonia, një vend me probleme të mëdha me të ardhmen në BE dhe NATO sidomos pas referendumit të dështuar, ka marrë borxh me interesa shumë më të ulta se ne.

Qeveria e Zaevit mori një borxh prej 500 milion eurosh me një normë mesatare interesi prej 2.75 për qind, 1 për qind më pak se ne.

Kjo do të thotë se pavarësisht problemeve që ka Maqedonia, investitorët e shohin atë një ekonomi më të besueshme dhe me risk më të ulët duke i ofruar edhe interesa më të ulta, ndryshe nga ekonomia jonë.

Kështu, duket qartë se besimin e investitorëve të huaj në fakt e morën Maqedonia dhe Mali i Zi, kurse ne morëm interesa të larta si kulmi i një maje mali, i cili në gjuhën popullore dhe sipas shpjegimit të fjalorit enciklopedik thirret edhe "curr". /albeu.com/
Shtuar më 03/10/2018, ora 10:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori