200 milion euro borxhe të fshehura! FMN tregon gropën e ekonomisë shqiptare
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë të paguajë sa më parë borxhet e prapambetura ndaj biznesit, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë këtij fenomeni që dëmton ekonominë.

Në raportin e fundit për Shqipërinë, FMN-ja vlerëson se borxhet e fshehta që shteti ka ndaj privatëve kanë arritur 200 milionë euro, nga të cilat 140 milionë euro i ka qeveria dhe pjesa tjetër janë detyrime të trashëguara të bashkive.

Tabelat e publikuara nga FMN-ja tregojnë se, pjesa më e madhe e borxheve të prapambetura, rreth 90 milionë euro, janë TVSH e pakthyer për biznesin.

Ekspertët e Fondit nënvizojnë se këto borxhe vënë në vështirësi financiare biznesin, e dëmtojnë të gjithë aktivitetin ekonomik, njësoj si në vitin 2013.

Pas borxheve të fshehta, shqetësimi tjetër për financat e shtetit, i ngritur edhe nga bordi i drejtorëve ekzekutivë të FMN-së, janë rreziqet nga koncesionet, të cilat mund të minojnë qëndrueshmërinë financiare dhe uljen e borxhit.

Në fund të vitit të kaluar, qeveria kishte listuar 2.4 miliardë euro kontrata koncesionare të partneritetit publik-privat, të nënshkruara ose në proces pritje për t’u nënshkruar. FMN-ja i ka kërkuar qeverisë të ndërpresë menjëherë dhënien e koncesioneve pa garë dhe të përzgjedhë vetëm projektet që kanë leverdi ekonomike.

Sipas raportit, borxhet e prapambetura dhe koncesionet janë dy risqet më shqetësuese të brendshme. Por, ekonomia kërcënohet edhe nga një tjetër risk i jashtëm, që është ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë,e veçanërisht në Itali dhe Greqi.

FMN paralajmëron se, nëse dy partnerët kryesor të Shqipërisë do të rikthehen në recesion, atëherë rritja ekonomike e Shqipërisë mund të bjerë deri nën 2 për qind. /tch/
Shtuar më 29/01/2019, ora 15:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori