Të zhubraviturit dhe të lëmuarit
Pëlqej
Albeu.com
A ju qëllon, për një arsye apo një tjetër, të zgjoheni herët në mëngjes dhe të nxitoni rrugëve të kryeqytetit? Nëse po, të nderuar lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, atëherë me siguri keni vënë re që ata që nxitojnë rreth e përqark jush, përveç nxitimit, me ju kanë të përbashkët, ndër shumë tipare të zakonshme njerëzore, edhe zhubravitjen e zgjimit para kohe, së cilës një larje-shpëlarje e shpejtë nuk ka arritur t'ia fshehë gjurmët. Edhe unë, si shumica e bashkatdhetarëve të mi, bëj pjesë në kategorinë e këtyre të zhubraviturve mëngjesorë: nuk çohem herët nga malli, por nga halli: pazaret e mëngjesit për t'u bërë (buka, qumështi, uji, ndër të tjera), leksionet në fakultet, probleme të vogla të përditshme, etj., etj.
Por, cila të jetë vallë zanafilla e kësaj zhubravitjeje: thjesht mosngopja me gjumë dhe zgjimi herët? Mos vallë në të ka pjesën e vet - aspak të papërfillshme - edhe zhubravitja e shpirtit nga streset e shumta ekzistenciale? Kush mund t'i japë vallë përgjigjen e duhur kësaj pyetjeje të bezdisshme? Psikologët, punonjësit socialë apo psikiatrit? Kam takuar dhe diskutuar për këtë me disa prej tyre, madje nga më të mençurit e më me përvojë profesionale jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit. Fatkeqësisht, përgjigjet dhe shpjegimet e tyre - nganjëherë edhe tepër të hollësishme - kurrë nuk më kanë kënaqur plotësisht. Kureshtar si përherë, nisa të lundroja në Internet, por sërish mbeta gjysmë i kënaqur, gjysmë i pakënaqur. Dhe kjo gjendje vazhdoi deri ditën kur përgjigjen e gjeta më të plotë, të qartë dhe të besueshme, pas një zbulimi që bëra rastësisht. Po shpjegohem.
Zakonisht, lajmet i dëgjoj në radio, teksa rruhem, përgatis e mandej ha mëngjesin. Ose në mbrëmje vonë, pasi kam mbaruar punët e shumta, ato të sferës mendore, e kam fjalën. Mirëpo, kur njeriu dëgjon lajmet, nuk sheh fytyra, kontaktin informues e mban vetëm nëpërmjet shqisës të të dëgjuarit. Por u bënë disa ditë që punët e mbrëmjes - ato të sferës mendore, sigurisht, - i mbaroj më shpejt, kështu që lajmet i marr nga televizori, me fjalë të tjera, nëpërmjet shqisës së të parit; kjo do të thotë që nuk dëgjoj vetëm zëra - deklarata, kundërdeklarata, argumente, kundërargumente, pohime, mohime, të vërteta, gënjeshtra, përgënjeshtrime etj., etj. - por shoh edhe fytyra, fytyra pambarimisht, pashmangësisht, fytyra pushtetarët, qeveritarësh, opozitarësh (merri si t'i marrësh, majtas, djathtas, poshtë e lart, para, mbrapa, thellë sa krahu, cekët sa gishti), deputetësh, kryetarësh, nënkryetarësh, sekretarësh partie, bashkie, komune, etj., etj., të cilët, pavarësisht ngjashmërive dhe ndryshimeve të detyruara midis tyre, kanë një tipar thelbësor të përbashkët. A e gjeni dot, të nderuar lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, për ç'tipar bëhet fjalë? Jo? Kaq të vështirë e keni? Atëherë lejomëni t'ua them: tipari në fjalë është i vetmi që më dha mundësinë për të pasur një ide, deri diku më të saktë, lidhur me zanafillën e zhubravitjes së fytyrave e ndoshta të shpirtrave të atyre që zgjohen herët, pra, ky tipar i veçantë është e nuk mund të jetë veçse... lëmimi i fytyrave e ndoshta i shpirtrave të personaliteteve të lartpërmendura. O Perëndi, (nëse Ti ekziston përnjëmend, qoftë edhe si koncept i krijuar nga Njeriu), si është e mundur ta kenë ata lëkurën e fytyrës aq të lëmuar? Ndoshta, vetëm sepse zgjohen më vonë se ne të tjerët, vdekëtarët e zakonshëm, anonimë deri në nakati? Apo mos vallë edhe shpirtin e kanë po aq të lëmuar, saqë çdo ngacmim që u vjen nga bota rreth e përqark, si, për shembull, nga varfëria, mërzia, pafuqia, papunësia, rraskapia, përçudnia dhe lemeria e jo pak prej të zhubraviturve, u bën rikoshetë dhe nuk arrin të hyjë në labirintin lakander të ndërgjegjes së tyre parafabrikat? A thua vërtet zhubravitja mëngjesore e fytyrave tona dhe ajo njëzet e katërorëshe e shpirtrave tanë të përcaktohet nga lëmimi i frikshëm i fytyrave dhe i shpirtrave të tyre?
Shtuar më 14/11/2010, ora 12:36
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori