PS-ja, jorgani dhe pleshti
Pëlqej
Albeu.com
Proverbialisht thuhet se çdo çudi nuk zgjat më shumë se tri ditë, por sipas mendimit tim, ka disa çudi që mund të zgjasin edhe më tepër. Kështu, deri dje, Partia Socialiste e Shqipërisë kërkonte me manifestime proteste, grevë urie e kryeneçësi agresive, hapjen e kutive të zgjedhjeve të fundit parlamentare; tani ajo nuk e kërkon më një gjë të tillë, por thjesht hetimin nga ana e saj e materialeve zgjedhore përndryshe do të ftojë e mobilizojë shqiptarët, më saktë atë që ajo e quan “popull opozitar”, në një lëvizje “mosbindjeje civile”. Si mund ta përkthejë në shqipe më të qartë këtë togfjalëshin e fundit lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës? Mos vallë kjo shprehje do të thotë që “populli opozitar” do të marrë pjesë sistematikisht në një “guerrilje paqësore” të përditshme, duke penguar funksionimin e shtetit dhe kjo jashtë çdo logjike, pra, në mënyrë të verbër dhe të radikalizuar? Po sikur edhe kjo “mosbindje civile” të dalë blof si greva e urisë e para disa muajve, çfarë aksioni tjetër masiv do t’i propozojë nesër PS-ja “popullit opozitar” të ndërmarrë nën udhëheqjen e Timonierit të saj dhe shokëve të tij të armëve “paqësore”? Deri kur do të vazhdojë ajo të “kërkojë” forma të reja “lufte paqësore”? Sigurisht, proverbi i vjetër frëng thotë: Qui cherche, trouve (Kush kërkon, gjen) dhe PD-ja, në aleancë me LSI-në, nuk duket se po e pengon PS-në të kërkojë, të rrëmojë e të sajojë pretekste për të penguar realizimin e çdo gjëje që e çon apo mund ta çojë sadopak përpara Shqipërinë. PS-ja, me gjithë heqjen e vizave për shqiptarët që dëshirojnë të udhëtojnë lirshëm në vendet e hapësirës Shengen të Bashkimit Europian, të cilën PD-ja e konsideron si fitoren e saj të radhës – të paktën në rrafshin ndërkombëtar, pas futjes së vendit në NATO, PS-ja, pra, vazhdon të bëjë çmos, pavarësisht problemeve me të cilat ndeshen çdo ditë shqiptarët brenda vendit, që qeveria shqiptare, me gjithë përpjekjet e saj, të mos korrë më ndonjë fitore në rrafshin ndërkombëtar. Mesa duket, orvatjet e dëshpëruara të PS-së, nën drejtimin e Ramës, orvatje rrëmujë e rrokopujë, me një fjalë ram-bam (për të mos thënë ram-bam-bum, si në kohën e Partisë së Punës), po e arrijnë deri diku qëllimin e tyre në pamje të parë të përligjur, në thellësi disi të mbrapshtë. Kështu, ndërsa në jorganin e Shqipërisë, sigurisht vende-vende ende të grisur ose të arnuar me pe të hollë që e tradhton tegelin e shkuar nxitimthi nga qeveria e krijon shqepje e vrima të paparashikuara, po hyn e del si në shtëpinë e vet pleshti i korrupsionit, i paaftësisë dhe i pabesisë, PS-ja pretendon se po e denoncon këtë plesht, por praktika vërteton se këtë denoncim ajo po e shpalos, apo më saktë, po e përdor më tepër si kartë në nivel ndërkombëtar me synim, që në një mënyrë apo në një tjetër, të digjet jo pleshti i lartpërmendur, por jorgani i Shqipërisë. Kush ka një minimum ndjenje atdhetarie, një minimum logjike, një minimum respekti për vetveten, e kupton se jorgani në fjalë nuk duhet djegur, por shqepur për t’u pastruar para se të riqepet më pastër, meqenëse ai që duhet të digjet pa mëshirë është pleshti i “famshëm”. Por pleshti nuk mund të digjet nga ata që e kanë edhe vetë jo vetëm në trup, por edhe në shpirt, madje që janë njëkohësisht pjesë përbërëse e tij, qysh me shndërrimin e turpshëm të Partisë së Punës në Parti Socialiste, nga e cila kanë trashëguar metodologjinë dhe demagogjinë, babëzinë dhe mostolerancën në luftën për pushtet.
Gjithsesi, mund të rastisë që Shqipëria, pothuajse me të njëjtin jorgan e me të njëjtin plesht, ta fitojë statusin e vendit kandidat për t’u futur në Bashkimin Europian, me të riardhur në pushtet PS-ja dhe aleatët e saj, veçse demokratikisht dhe jo nëpërmjet “mosbindjes civile”. Në u bëftë kështu, e siguroj lexuesin e vëmendshëm dhe të paanshëm të rubrikës sime, që me kreun e PS-së do të ndodhë ajo çka rrëfen frëngu La Fontaine në fabulën e tij Le coche et la mouche (Karroca dhe miza): kur karroca e udhëtarëve ngeci në një të përpjetë, të gjithë zbritën dhe zunë ta shtyjnë, por ajo lëvizi vetëm kur një mizë erdhi dhe nisi të qëndronte herë tek njëri, herë te tjetri prej kuajve. Atëherë, miza tha: “Po të mos isha unë, karroca nuk do të kishte lëvizur kurrën e kurrës nga vendi!”.
Shtuar më 21/11/2010, ora 09:37
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori