Homo plasticus
Albeu.com
Po, lexuese dhe lexues të kësaj rubrike, dje te Kepi i Rodonit, bash në breg të detit, në të ashtuquajturën ranishte, unë nisa të shndërrohem, fillimisht pa e kuptuar, pastaj duke u…. Ngaqë sot është 1 prilli, dita e Shën Gënjeshtrës? Ha, ha, por unë kam dëshmitarë pamorë, pikërisht shkrimtaren Flutura Açka dhe Taulant Hakanin, udhërrëfyesin e palodhur të ekskursioneve të mia në gjirin e natyrës shqiptare të përçudnuar nga… shqiptarët. Sidoqoftë, për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që, së largu, deti m’u shfaq i mrekullueshëm me të gjitha nuancat e blusë së tij, nga më e brishta tek më e fuqishmja. Pasi kaluam Kishën e Shën Pjetrit, u nisëm majtas, gjatë bregut, në drejtim të Kalasë së Rodonit. Befas, tek ecja me një hap të zhdërvjellët, me vështrimin e tretur larg, shumë larg, në pafundësi (sepse në Tiranë, thuajse në çdo hap që hedh, vështrimin ma bllokon betoni vertikal) ndjeva një si mpirje a këputje të lehtë te gjymtyrët e sipërme e ato të poshtme, të cilën ia vesha efektit të oksigjenit me bollëk. Por nuk vonoi dhe të njëjtën ndjesi përjetova edhe në kokë. Mpirje, këputje, ngrirje, oshtima në vesh, në gojë, në kafkë dhe përshtypja se… Nuk po kuptoja asgjë deri në çastin kur shkëputa shikimin nga horizonti dhe ia hodha ranishtës: “O Perëndi, më erdhi të ulërija (ndonëse mendimtar lirë, d.m.th. me bindje ateiste), si është e mundur!?”, sepse e tërë ranishta nuk ishte e mbuluar me rërë, as me guralecë, por me… me shishe, kuti, kova, bidonë, pantofla e sandale të shqyera, copa tubash e qese p-l-a-s-t-i-k-e të të gjitha llojeve, ngjyrave e përmasave! Dhe pata një si ndriçim të rrufeshëm në tru: nën ndikimin e pashmangshëm të lëndës së gjithëpranishme plastike, unë po plastifikohesha, pra, po bëja mutacion gjenetik, e thënë ndryshe, po kthehesha nga homo sapiens në homo plasticus. Ndërkohë më pushtoi edhe një tjetër frikë e pashpjegueshme: ashtu si një shishe, kuti apo bidon plastik, pata përshtypjen se po zbrazesha nga vetvetja, po kthehesha në një formë jetime, pa përmbajtje, me të cilën dallgët do të luanin për dekada të tëra duke më shtyrë drejt ranishtës gjatë baticës e duke më tërhequr që andej gjatë zbaticës.
Si ta shpjegoja këtë dukuri të llahtarshme? Për një moment pandeha se mos natën kishin ardhur anije të ngarkuara me plehra për t’i zbarkuar ato e për të zënë radhën që të përpunohen nga ndonjë impiant sekret i riciklimit të tyre të ndërtuar diku pranë pa lejen e autoriteteve shqiptare. Por, shumë shpejt, kjo hipotezë m’u duk e pamundur: zoti ministër i Mjedisit nuk mund ta lejonte kurrsesi një gjë të tillë, aq më pak zoti Kryeministër! Dy minuta më vonë ndërrova mendim: ndoshta ndonjë anije kozmike, e ardhur nga ndonjë galaktikë tjetër, nga ndonjë planet të hiperbanuar e të hiperndotur, kishte ardhur nga mijëra vite-dritë larg për të shkarkuar ngarkesën e tij me mbetje plastike; vetëm nuk po e kuptoja përse kishte zgjedhur pikërisht Shqipërinë e vogël dhe jo hapësirat e pafund të shkretëtirave të globit tonë, si, për shembull, Saharanë ose Gobin. Por edhe këtë hamendje e hodha vendosmërisht poshtë: OKB-ja, NATO-ja e BE-ja nuk mund ta linin kështu vendin tonë në mëshirën e ndotësve planetarë apo jashtëplanetarë.
I hodha një vështrim Fluturës, si për t’i kërkuar ndihmë, por vura re se edhe ajo nuk para ishte në terezi tek çante po aq heroikisht sa unë midis pirgjeve me objekte plastike të kombinuara kërcënueshëm. Mos vallë po përjetonte të njëjtën gjë si unë, d.m.th. po shndërrohej në homo plasticus? Atëherë gëlltita frikën time dhe i kërkova Taulantit të më shpjegonte këtë katastrofë ekologjike përgjatë gjithë bregdetit të Kepit të Rodonit. Përgjigjja e tij qe e thjeshtë, por tronditëse: Tërë ato batalione, regjimente, divizione, armata e korparmata me përbindësha plastikë ishin prurje të lumit Ishëm. Në fillim nuk e kuptova, pandeha madje se po tallej me mua, por pastaj gjithçka u sqarua: fshatarësia jonë individualiste (dikur kooperativiste) është kaq alergjike ndaj sendeve plastike, saqë i hedh në lumë dhe ky lumë, alergjik edhe ai ndaj tyre, i hedh në det, por edhe deti, po aq alergjik, i nxjerr në breg. Mirëpo në breg kalon njeriu shqiptar, homo albanicus, qoftë me emrin Edmond, Flutura apo Taulant, duke rrezikuar kështu të plastifikohet për t’u transformuar në homo plasticus.
E keqja në këtë mes është se në Shqipëri ka shumë lumenj që derdhen në det duke shpënë atje sasi fantastike shishesh, kutish, kovash, bidonësh, pantoflash e sandalesh të shqyera, copa tubash e qesesh plastike të të gjitha llojeve, ngjyrave e përmasave, kështu që unë jam i sigurt se, së shpejti, bregdeti shqiptar do të kthehet në një muze të plastikës jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, të cilin UNESKO-ja do ta klasifikojë patjetër si pasuri të mirëfilltë, të paprekshme e të patjetërsueshme të njerëzimit, çka do ta kthejë Shqipërinë në një vend të lakmuar nga turistët jo vetëm të planetit Tokë, por edhe të një numri gjithnjë në rritje planetësh të sistemeve diellore e të galaktikave të tjera!
Shtuar më 01/04/2012, ora 11:06
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori