Fëmijët e shkallëve
Pëlqej
Albeu.com
Vite të shkuara, nga goja e një pedopsikiatri mësova diçka fort interesante: në kushtet e urbanizimit të sforcuar, pra, të pamëshirshëm, jo vetëm në botën e industrializuar, por edhe në Shqipërinë e sotme, ku, ndër të tjera, fëmijët e qyteteve kanë përherë e më pak hapësira për të luajtur, është krijuar një kategori fëmijësh që një pjesë të mirë të kohës së lirë e kalojnë nëpër shkallët e pallateve ku banojnë, si pasojë e asfaltimit dhe e betonimit të pamëshirshëm në dëm edhe të mjediseve të gjelbëruara.

Pikërisht këta fëmijë, që u përkasin më tepër shtresave shoqërore me nivel arsimor, edukativ e kulturor të ulët, quhen “fëmijët e shkallëve”, te të cilët spikat, sipas pedopsikiatrit në fjalë, me shumë përvojë në specialitetin e vet, një veçori sa intriguese aq edhe shqetësuese. Bëhet fjalë për dukurinë që vijon: Nëse nëpër shkallët e hyrjes X të X pallati, ku një fëmijë është ulur e po qan për një arsye që vetëm ai e di, zbret, ngjitet ose thjesht kalon një fëmijë tjetër pak a shumë i së njëjtës moshë, tri qëndrime janë të mundshme nga ana e këtij të fundit: a. Ose ai do të tregohet i pandjeshëm, pra, mospërfillës ndaj atij që qan; b. Ose do të interesohet e do t’i afrohet për t’i thënë diçka që ta qetësojë; c. Ose do t’i afrohet e do t’i japë një dackë ngaqë e bezdisin lotët apo gjendja e tjetrit sepse ndoshta i kujtojnë dhunën që ushtrojnë mbi të prindërit apo dikush tjetër nga familja. Lexuesi im i mençur me siguri e kupton se çfarë i dallon fëmijët e nënkategorisë b nga ata të dy nënkategorive të tjera: empatia, d.m.th. aftësia (e lindur? e fituar? apo të dyja njëherazi?) për ta vënë veten në pozitën e tjetrit e për të përjetuar emocionalisht të njëjtën gjendje bashkëvuajtjeje. Pedopsikiatri në fjalë, me sa mbaj mend, nuk më dha statistika lidhur me nënkategorinë zotëruese, kështu që, sot e kësaj dite, unë ende nuk e di se cilës kategori do t’i përkisnin me gjasë shumica e fëmijëve shqiptarë në rastin konkret.

Pas kaq e kaq vitesh tranzicioni të stërzgjatur, nuk arrij ta kuptoj çfarë më shtyn ta krahasoj shoqërinë e sotme shqiptare me një hyrje pallati ku një, njëqind, një mijë a më shumë fëmijë janë ulur te shkallët e po qajnë dhe ku, ndërkohë, zbresin, hipin apo thjesht kalojnë po aq të tjerë mospërfillës, të ndjeshëm apo agresivë ndaj atyre. Dhe i bëj vetes një pyetje, pyetje që ia drejtoj njëkohësisht edhe lexuesit tim të përjavshëm: Ç’qëndrim mbajmë ne çdo ditë ndaj atyre bashkatdhetareve e bashkatdhetarëve që qajnë përbrenda, pa na rënë në sy, nga hallet që u kanë rënë e u bien mbi supe? Tregohemi të pandjeshëm e moskokëçarës? Tregohemi të dhembshur, pra, empatikë? Apo u japim psikologjikisht nga një dackë? Sepse nesër, ne, pra, edhe unë, edhe ti, lexues i ndjeshëm, mund ta shohim veten, për një arsye apo për një tjetër, të ulur në shkallët e zymta të shoqërisë sonë, ndërsa fare pranë do të na kalojnë – mospërfillës, të vëmendshëm ose agresivë – njerëz që zbresin, hipin apo thjesht kalojnë pranë nesh! Ç’është e vërteta, në të njëjtën kohë, do të isha shumë kureshtar të mësoja se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje ata që na kanë qeverisur dje, që na qeverisin sot dhe do të na qeverisin nesër, ndonëse diçka më thotë se ata as që do ta merrnin mundimin e moralshëm të më përgjigjeshin ose të bënin sikur të më përgjigjeshin.

Së fundi, vite të shkuara gjithashtu, një psikiatër shqiptar po aq i njohur sa pedopsikiatri i lartpërmendur, më thoshte se ata fëmijë apo paraadoleshentë që torturojnë kafshët shtëpiake (të tipit kap një mace, lidhi me tel në bisht një kanoçe të mbushur përgjysmë me gurë, lage kafshën e gjorë me benzinë dhe vëri flakën para se ta lëshosh duke u kënaqur pastaj nga spektakli makabër që të shpaloset para syve), këta fëmijë apo paraadoleshentë, pra, në moshë madhore, kanë gjasë të priren për veprime kriminale. Le të shpresojmë, të paktën, se ata që tashmë na drejtojnë e do të na drejtojnë më vonë nuk kanë qenë autorë “bëmash” të tilla në fëmijërinë apo në paraadoleshencën e tyre!
Shtuar më 18/08/2014, ora 12:10
Tage: Panorama
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori