Drejtori, qesja dhe qentë
Albeu.com
Këto kohët e fundit kam shkruar me indinjatë për ndotjen e peizazhit shqiptar (tokë e det) nga objektet plastike të hedhura prej bashkatdhetarëve të mi anonimë ku t’u teket: fushave, kodrave, maleve, luginave e përrenjve; këta të fundit ua çojnë ato lumenjve, të cilët lumenj i derdhin në det, i cili det i kthen në breg dhe kësisoj, Shqipëria rrezikon seriozisht të “plastifikohet” dhe, ndoshta, të “mumifikohet” (aq më tepër që po bën kërdinë edhe ndotja morale). Por më duhet të pranoj, për hir të së vërtetës, që u kam hyrë disi në hak atyre sepse, në fakt, ka edhe bashkatdhetarë të mi që nuk janë aq anonimë dhe që nuk e ndotin aq harbutërisht mjedisin shqiptar, përkundrazi, e ndotin me shumë “stil”. Kështu, për shembull, prej disa muajsh kam pikasur, jo larg qendrës së Tiranës, një zotëri, që po e quaj Q. Elbaci, i cili, është dikushi: i veshur me elegancë (kostum, këmishë e kollare – të tëra “firmato”, parfume të shtrenjta, këpucë lustrafin të modës së fundit, veturë BMW model i parafundit) dhe i pajisur zyrtarisht me dy diploma studimesh të larta (e para nga një universitet publik provincial, e dyta nga një universitet privat kryeqytetas) e me një dëshmi masteri on line (nga një universitet i huaj), ai ka qenë, është apo do të jetë me siguri drejtor drejtorie të paktën. Ku, në ç’institucion? – do të pyesë me të drejtë lexuesi kureshtar i kësaj rubrike. Le të hamendësojmë që zoti Q. Elbaci është drejtor drejtorie në Ministrinë e Çmendurive Bombastike (MÇB). Më qëllon, ditëve që kam leksion në fakultet (meqë më bie rruga të kaloj me biçikletë para pallatit ku banon ai), ta shoh të dalë mëngjeseve nga apartamenti i tij luksoz me një qese në dorë. Një qese me plehra. Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme. E jashtëzakonshmja fillon kur, ndonëse kazani i plehrave ndodhet vetëm 10 metra larg portës së pallatit, ai nuk e hedh atje qesen e tij të dashur, por, meqenëse veturën BMW e ka parkuar vetëm 8,49 metra larg, hap derën e saj, futet brenda, e ndez makinën dhe largohet, natyrisht duke e lënë qesen e dashur buzë trotuarit. (E si mund të ndodhte ndryshe: minibashkia ende nuk i spërkat kazanët e plehrave me parfume të Christian Dior-it apo të Giorgio Armani-t!). Sidoqoftë, ngaqë është shumë i disiplinuar, ai nuk do që të mbërrijë me vonesë në krye të detyrës. Ky veprim nuk mund kurrsesi të cilësohet si ndotje apo si orvatje plastifikimi, sepse, nuk kalojnë as edhe dy minuta veç kur ia behin qentë, nga të cilët më i shkathëti, më i forti, më i shpejti e rrëmben me dhëmbë qesen e dashur dhe largohet si shigjetë për ta inspektuar, në vetmi të plotë, në ndonjë qoshe që nuk bie në sy, sa për të siguruar të paktën një vakt në ditë. Me shumë gjasë, kjo marrëveshje midis zotit Q. Elbaci dhe qenve të rrugës bën pjesë në strategjinë e pastrimit të lagjes (A është minibashkia në dijeni të kësaj strategjie?), prandaj veprimi i tij nuk mund e nuk duhet të konsiderohet si ndotje e mjedisit, përkundrazi, ai provon se edhe kafshët e pastreha mund dhe duhet të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja njerëzore. Mirëpo çështja ngatërrohet kur ndodh që qentë t’i sulen njëkohësisht qeses së tij të dashur, ta shqyejnë tek luftojnë heroikisht kush e kush ta rrëmbejë i pari, kështu që plehrat përhapen në rrugë (mbeturina zarzavatesh, lëkura e bërthama frutash, kocka, hala, letra higjienike të përdorura, peceta higjienike për femra, prezervativë për meshkuj etj., etj.) dhe këtu fillon ndotja e mirëfilltë, por faji nuk është i Q. Elbacit, jo, aspak, fajin e kanë qentë që nuk e organizojnë mirë punën e tyre pastruese të lagjes ku banon drejtori i dikurshëm, i tanishëm apo i ardhshëm! Përveç kësaj, duhet pranuar që Q. Elbaci ka edhe një arsye tjetër për të qenë i pakënaqur nga qentë: rregullisht, sistematikisht e paturpësisht, këta shurrojnë mu te goma e përparme majtas e BMW-së, aq sa kjo gomë po humbet ngjyrën e saj fillestare, ndonëse është fare e re! Rrjedhimisht, Q. Elbacit i ka lindur ideja origjinale të sensibilizojë edhe macet, minjtë e gjallesat e tjera të gjirizit për t’i mobilizuar në betejën që ai po zhvillon me vetëmohim për kauzën e shenjtë të mbrojtjes së mjedisit! Madje, ai po përpunon në mendjen e tij pjellore mundësinë e përfshirjes së zogjve në këtë betejë: Tashmë, në shtëpinë e tij, fëmijëve të vegjël, që fusin gishtat në hundë dhe bëjnë saçme me koriçkat e qurrave, u ka mësuar të mos i hedhin ato në qilimin e bukur persian, por t’ua japin si ushqim kanarinave në kafaz: A nuk është kjo një ide e shkëlqyer për riciklimin e mbetjeve organike me synim transformimin e tyre në ushqim jo vetëm për kafshët, por edhe për vetë njerëzit, çka do të sillte si pasojë zhdukjen e menjëhershme të urisë në botë? Përse të mos realizohet e njëjta gjë edhe me jashtëqitjen njerëzore? A nuk është fakt botërisht i njohur se pulat e hanë jashtëqitjen njerëzore e pastaj njerëzit hanë mish pule? Atëherë, gjithmonë sipas arsyetimit të mahnitshëm të Q. Elbacit, përse të kalojmë përmes pulës për të ngrënë nënproduktin e përpunuar të jashtëqitjes mirëfilli njerëzore?
A e kupton tani, o lexues kureshtar i kësaj rubrike, përse Q. Elbaci ka plotësisht të drejtë që e lë qesen e tij të dashur buzë trotuarit në vend që ta flakë me ndot e pa mëshirë te kazani i plehrave? A nuk e meriton ai tërësisht çmimin “Nobel” për këtë shpikje gjeni(h)ale, e cila krijon mundësi pa fund që askush të mos vdesë nga uria në planetin tonë të shtrenjtë mrekullisht të ndotur?
Shtuar më 22/04/2012, ora 04:41
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori