Arti, dhimbja dhe edukata
Albeu.com
Të mërkurën e kaluar, në Teatrin e Operas dhe të Baletit, u organizua një mbrëmje artistike për të nderuar kujtimin e Poetit Ali Podrimja, që vdiq krejt papritur muajin paraardhës. Ishte një veprimtari e veçantë, një homazh i përzishëm me një domethënie të thellë: arti përkulej me respekt para dhimbjes së familjes, të të afërmve, miqve e shokëve të Poetit Podrimja, a thua se me ndajfoljen e përbashkët “Po”, Poezia dhe Podrimja pohonin e vulosnin shkrirjen e tyre në një të vetme edhe përtej vdekjes. Kështu, aktorët dramatikë Yllka Mujo, Mirush Kabashi, Fatos Sela e Bujar Asqeriu, solistët lirikë Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjri, Armando Likaj, Solen Alla e Irida Dragoti, pianistja Etrita Ibrahimi dhe Kuinteti i Harqeve, balerina soliste Enada Hoxha, si edhe të ftuarit e posaçëm Suzana Frashëri e Rudina Ciko, dhanë me këtë rast më të bukurën, më të ndjeshmen dhe më të thellën e vetvetes, duke e bërë Poetin të ndihej më pak i vetmuar në humbellën e mistershme, qiell apo tokë qoftë, që na pret pashmangësisht të gjithëve pasi të jemi larguar përfundimisht nga kjo botë. Në atë mbrëmje nuk mungoi as politika t’i bënte një homazh dhimbjes në fjalë në personin e Kryeministrit Berisha e të ministrit të Kulturës Bumçi, edhe ata vdekatarë si Poeti, si të gjithë njerëzit e kësaj bote e këtij vendi.

E di, e ndiej, lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike të përjavshme është gati të më pyesë, madje po më pyet tashmë: Po edukata, ç’ka të bëjë edukata në këtë mes?
Po, edukata ka të bëjë shumë edhe në këtë rast: para se të fillonte mbrëmja, vura re se jo pak nga të ftuarit, sidomos zotërinjtë, kishin ardhur me veshje gati të rëndomtë, ashtu siç dalin, bie fjala, kur shkojnë të psonisin ose të pinë kafe te lokali ngjitur me shtëpinë; në sallë kishte që kuvendonin në grupe të vogla, që qeshnin, a thua se nuk bëhej fjalë për një veprimtari solemne, të përshpirtshme, tejet të dhimbshme në shkallë gjithëkombëtare. Kur, më në fund, nisi veprimtaria, prapa krahëve të mi cicëriu gëzueshëm një celular, të cilin, me vonesë, patjetër, e detyroi të heshtte i zoti vetëm pasi shikuesit rrotull tij kthyen disa herë qortueshëm kokat nga ai, ndërkohë që aktorët dramatikë na mallëngjenin, ne të tjerëve me patosin e tyre drithërues; pastaj, mbas nja çerek ore, një tjetër celular u orvat të cicërinte, por i zoti, vigjilent, ia mbylli sqepin… Kaloi kështu një copë herë, kur, befas, ndërkohë që solistët lirikë na rrëmbenin, ne të tjerëve, me zërin e tyre herë ledhatar, herë të stuhishëm, duke na përkundur kështu shpirtin e tronditur, ja tek ngrihet një zonjushë apo zonjë e re që shqetëson tërë shikuesit e radhës së saj për të dalë gati me ngut, e ndjekur pas pak nga një tjetër (ndonjë urgjencë e paparashikuar?). Përsëri qetësi, por kur balerina soliste Enada Hoxha, si shtojzovalle apo krijesë tjetër e ëndërrt, zuri të vizatonte me lëvizjet e saj qiellore, që sfidonin forcën e rëndesës tokësore, dhimbjen e neve të tjerëve, ja, në radhën para meje, tek çohet vrullshëm një zotëri, kontrollon xhepat, pastaj përkulet, kërkon përtokë me duar dhe, më në fund, gjen diçka për t’ia dhënë bashkëshortes, së fejuarës apo së dashurës, e cila, me shumë gjasë, nuk mund të priste fundin e shfaqjes për ta qetësuar veten…
Kur mbaron shfaqja dhe artistët janë të gjithë në skenë, ndërsa ne të tjerët duartrokasim, disa të ftuar nisin e dalin nga salla (mos vallë i presin në shtëpi sepse është ora e telenovelës së radhës?), madje pikërisht në çastin prekës kur nipi i Poetit ngjitet atje dhe falënderon me zë të mallëngjyer e plot miradije organizatorët e asaj mbrëmjes të paharrueshme duke i shtrënguar dorën mjeshtrit Zhani Ciko, drejtorit të Teatrit të Operas e të Baletit.
Ja pra, i nderuar lexues i vëmendshëm e i paanshëm i kësaj rubrike të përjavshme, që edukata ka të bëjë në këtë mes, madje më shumë sa mund ta pandehë shumëkush. Sigurisht ti mund të më kundërshtosh duke më thënë se po tregohem tejet i ashpër, por unë mendoj se kur vdesin Poetët e kalibrit dhe të staturës së Ali Podrimjes, respekti duhet të jetë absolut po aq sa kur dhimbjen e kësaj vdekjeje artistët e ngrenë në piedestal qiellor me shpirtin, zërin dhe trupin e tyre.

Për ta mbyllur, dëshiroj të shtoj se shija jo e mirë që më la kjo mungesë edukate nga ana e disa të ftuarve në atë mbrëmje, më solli ndër mend diçka të ngjashme, dëshmitar i së cilës kam qenë para gati dyzet vitesh, më saktë në vitin 1973. Asokohe kishte ardhur nga Franca për një vizitë zyrtare në Shqipëri rektori i Akademisë së Tuluzës, bashkë me zonjën, dhe si përkthyes më kishin caktuar mua. Një mbrëmje, sipas programit, na çuan në një shfaqje të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve pikërisht në Teatrin e Operas e të Baletit. Rektori i Tuluzës dhe zonja u kënaqën si me larminë e këngëve e të valleve, ashtu edhe me kostumet popullore të këngëtarëve e të valltarëve, por në fund fare një si shtangie e përzier me një ndjenjë frike iu nder në fytyrë kur panë se, ende pa u larguar artistët nga skena dhe pa u shuar duartrokitjet përfundimtare, shumë shikues ishin derdhur me vrap drejt daljeve të sallës, prandaj më pyetën me shqetësim se mos kishte rënë ndonjë zjarr diku pranë. Kur u shpjegova se kështu ndodhte rëndom tek ne nëpër shfaqje apo ndeshje sportive, ata morën frymë disi të lehtësuar, por shtuan: “Në Francë kjo do të merrej si shenjë mosrespekti, si fyerje për artistët!”.
A e sheh, pra, i nderuar lexues i vëmendshëm e i paanshëm i kësaj rubrike të përjavshme, sa pak kemi ndryshuar që nga viti 1973 në këtë pikë të edukatës?
Shtuar më 05/08/2012, ora 13:31
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori