Tre PD në rrugën e humbur djathtas
Albeu.com
Çarja në tresh e PD-së është një fakt që ka çoroditur ende më keq qeverinë dhe komunikimin me publikun të shumicës së mbetur në qeveri. Lufta “vëllavrasëse” në kampin e djathtë sapo ka nisur. Përpjekja e dëshpëruar e kryeministrit për ta shpëtuar nga mbytja në detin e korrupsionit anijen e vet të mbingarkuar me plaçkën e piraterisë qeveritare, ka në shënjestër dy rebelët që kanë marrë pas vetes dy PD-të e shkëputura prej trupit të rrënuar të PD-së së tij. Eshtë një luftë e re brenda llojit ku vëllezërit e djeshëm janë bërë armiq të betuar të njëri-tjetrit. Por është po ashtu një luftë e vjetër që përsëritet djathtas me të njëjtin fajtor e protagonist kryesor, sekretarin komunist të PD-së, i cili, mu siç thotë ajo vjersha, “u plak po dorë nuk hoqi” nga veset që kanë përcaktuar qysh në krye të herës, banalitetin e së keqes së mishëruar në lidershipin e tij në krye të Partisë Demokratike.

Presidenti i Republikës, zgjedhur forcërisht prej Saliut e shumicës së tij pesë vjet më parë në krye të shtetit, është shpallur agjent i Partisë Socialiste. Po njësoj edhe Nënkryetari i KLD-së, zgjedhur po forcërisht prej të njëjtit njeri e prej të njëjtës shumicë si një demokrat i flaktë i radhëve të PD-së, është shpallur armik që punon për Partinë Socialiste. E njëjta histori që përsëritet si me armiqtë e sundimit të Saliut në vitet ’90, të cilët u masakruan nga propaganda e tij asokohe dhe sot janë sistemuar në prehrin e kryeministrit pasi u kthyen me bisht ndër shalë në PD-në e vjetër duke thirrur pa pikën e turpit “Dum Babën!”.
Bamir Topi ka lidhje me Partinë Socialiste aq sa ç’ka lidhje vetë Saliu. Madje nëse Saliun e shkuara e lidh pazgjidhshmërisht njëzet e dy vjet rresht me komunizmin, pra me Partinë e Punës ku militoi me zellin e një shërbëtori karrierist, në të shkuarën e Bamir Topit s’ka asnjë dekikë në jetën e Partisë së Punës. Nuk ka asnjë lloj lidhjeje po ashtu pesëvjeçari i tij në Presidencë me betejat opozitare të Partisë Socialiste, ndaj të cilave Presidenti i Republikës ka mbajtur një qëndrim indiferent në rastin më të mirë, për të mos thënë se ka mbajtur qëndrime të papajtueshme me Partinë Socialiste qoftë kur zgjodhi Prokuroren e Përgjithshme me pëlqimin djathtas po me asnjë konsultë as edhe thjesht formale majtas; qoftë kur pranoi si normale zgjedhjet e vitit 2009; qoftë kur dënoi bojkotin tonë parlamentar; qoftë kur ndenji si mur i heshtur në kohën e përçapjeve të komunitetit ndërkombëtar në selinë e tij për të ndërmjetësuar krizën politike; qoftë kur shpërfilli grevën e urisë së plot deputetëve e qytetarëve për votën e lirë; qoftë kur pa pyetur asnjëherë opozitën i propozoi parlamentit kandidatura deri edhe të papranueshme gjykatësish kushtetues e të lartë të lidhur me Sali Berishën; qoftë kur propozoi dy kandidatura njëra pas tjetrës për Kontrollin e Lartë të Shtetit njëri më pëdëist se tjetri; qoftë kur rimandatoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë duke synuar votën djathtas, që e mori, jo majtas sallës së Kuvendit, që nuk e mori; qoftë edhe në 21 janar kur dënoi dhunën në përgjithësi, po nuk drejtoi gishtin mbi vrasësit me pushkët e shtetit dhe urdhëruesit e tyre në godinën e Këshillit të Ministrave; e qoftë për të tjera akoma, që mund të mos e kenë bërë Presidentin e Republikës të duket një dorëzanë i Saliut në krye të shtetit, sepse e vërteta është se s’ka qenë asnjë ditë i tillë, por që pa pikën e dyshimit e kanë përcaktuar presidencën e tij si një presidencë të orientuar nga vizioni dhe nga përkatësia djathtas e Bamir Topit. Të cilën edhe kur ishte në nënkrye të PD-së e ka shfaqur gjithnjë me një ton e me një sjellje tjetër nga e përgjithshmja, por pa dalë asnjëherë si i përveçëm. Kaq e vërtetë është kjo e fizionomisë së djathtë të presidencës së tij, sa edhe meraqet e pakta politike që ai ka shprehur si president duke “stonuar” me korin e PD-së, kanë qenë vijueshmërisht meraqe të një politikani të djathtë. Bamir Topi asnjëherë s’e ka fshehur as si president se angazhimi i tij politik ka në fokus pronarët, të përndjekurit e regjimit komunist dhe në përgjithësi vlerat e pikëpamjet e asaj pjese të shoqërisë që zemrën e ka djathtas.

Nga ana tjetër Kreshnik Spahiu ka lidhje me Partinë Socialiste po aq sa ç’ka pasur miku i tij i ngushtë Azem Hajdari, me të cilin kryetari i kuqezinjve ngjiti shkallët e militancës politike në gjirin e PD-së dhe të cilit i ngjan shumë sot në retorikën nacionaliste. Njësoj si Azemi ai xhonglon mjeshtërisht me turmat e të dëshpëruarve dhe nuk harron asnjëherë të thotë se mbron edhe interesat e ish-komunistëve të ndershëm paçka se qoftë përkatësia e tij politike, qoftë e gjithë shfaqja kuqezi që u ofron shqiptarëve janë produkt i ideologjisë të së djathtës shqiptare të thuajse 100 vjetëve më parë. Nënkryetari i KLD u rebelua politikisht jo sepse ka ndonjë fije që e lidh me opozitën e sotme e aq më pak me Partinë Socialiste, po sepse si shumëkush në Partinë e vjetër Demokratike e gjeti veten jashtë rrethit të stërngushtuar të interesave të oborrit familjar e klanor të Saliut. S’bëj në këtë pikë asnjë aluzion negativ për motivet e rebelimit të tij, kjo s’është në metodën time të gjykimit. Por thjesht nënvizoj se Aleanca Kuqezi as ka ndonjë lidhje me Partinë Socialiste, as përbën një stacion ku duhet të ndalojë cilido shqiptar që zemrën e ka majtas dhe nuk do të luajë me votën e vet bixhozin që shumëkush luajti në vitin 2009 duke e hedhur atë jashtë kutisë së koalicionit të Partisë Socialiste.

E vërteta është se qoftë partia e re e Bamir Topit qoftë Aleanca Kuqezi nuk lindin nga një komplot majtas, siç do të mundohet deri në fund ta tregojë së prapthi arsyen e lindjes së tyre përçarësi e sunduesi i sotëm i Shqipërisë me të gjithë lukuninë e altoparlantëve të tij. Ato lindin qartësisht nga një çarje në tresh djathtas në kushtet kur, praktikisht e faktikisht, Partia e vjetër Demokratike ka tradhëtuar jo vetëm arsyet madhore të lindjes së saj në vitin 1990, po edhe të gjitha idealet e interesat e zgjedhësve të saj të palidhur me fijet e sotme të interesave ekonomike të uzurpatorit të kahershëm të asaj partie, Sali Berishës. Partia e vjetër Demokratike ka tradhëtuar pronarët dhe ka bërë me pronën një mishmash të llahtarshëm për nga thellësia e korrupsionit. Ka tradhëtuar të përndjekurit politikë dhe ka bërë me vuajtjet e tyre të jashtëzakonshme një teatër të stërzgjatur dy dekada. Ka tradhëtuar të ardhurit në periferitë e qyteteve me të mëdha dhe ka bërë me premtimin e pambajtur të legalizimeve një krim të dyfishtë, sa në kurriz të integritetit të territorit të vendit aq edhe në kurriz të atyre vetë. Ka tradhëtuar shtresën e mesme tek e cila gjeti mbështetjen jetike në rrugëformimin e saj kundër regjimit të vjetër dhe ka bërë me administratën e shtetit një batërdi primitive, duke shkatërruar shtetin e duke marrë peng dinjitetin e çdo rrogëtari në këmbim të bukës së gojës. Ka tradhëtuar studentët, që i ka lënë në po atë Qytet mizerabël Studenti ku revolta antikomuniste lindi Partinë Demokratike dhe ka bërë me universitetin një katrahurë barbare që jep pa kriter e as karar vagonë me diploma papunësie. Ka tradhëtuar parimet e tregut të lirë dhe ka bërë me monopolet, me klientelat qeveritare e me pazaret e vetë qeveritarëve në dëm të interesit publik, një monument të korrupsionit që titullohet sot “Qeveria e Republikës së Shqipërisë”. Ka tradhëtuar lirinë e shprehjes që bëri të mundura energjitë që i dhanë jetë vetë partisë së parë opozitare shqiptare pas gjysëm shekulli absolutizmi komunist dhe ka krijuar përmes abuzimit me atë liri monstrën e lirisë së shpifjes, e cila po e zhyt shoqërinë vit pas viti në një moçal gënjeshtrash e rrënimi moral. Por Partia e vjetër Demokratike ka treguar gjithashtu, se për pushtetin është në gjendje të tradhëtojë edhe interesin kombëtar dhe ka bërë me pushtetin akte të pashlyeshëm turpi kombëtar siç ishte, sa për të përmendur një ndër më flagrantët, pranimi për t’i njohur Greqisë përkatësinë territoriale mbi afro 300 km2 det nga Joni i Shqipërisë.

Eshtë ky “komplot permanent” i liderit ish-komunist të Partisë Demokratike që e ka çarë sot PD-në në tresh dhe as kurrëfarë komploti mes Partisë Socialiste e dy figurave të lartpërmendura të së djathtës. Ata ia kanë prishur përfundimisht gjumin dhe busullën Sali Berishës pikërisht sepse s’kanë lidhje me të majtën e me Partinë Socialiste; pikërisht sepse përbëjnë dy pika të reja referimi për masën e madhe të të tradhëtuarve nga Sali Berisha dhe PD-ja e tij e privatizuar plotësisht, e cila ka humbur çdo lidhje me realitetin e shqiptarëve të zakonshëm me zemrën djathtas; pikërisht sepse edhe njëri edhe tjetri, edhe Bamir Topi edhe Kreshnik Spahiu së bashku me dy PD-të e tyre as nuk kanë lidhje me të shkuarën komuniste, as nuk kanë ardhur në këtë pikë pa gjetur arsye të forta brenda kampit të djathtë, dhe as nuk kanë ezauruar forcat e fytyrën e tyre në shërbimin ndaj Saliut – siç ka ndodhur rëndom me kanakarët e tij ministra e deputetë, të cilëve u është kthyer lëkura në një lloj sholle speciale që mund t’i bënte të pavdekshme këpucët e ushtarëve të xhenjos. Rezonanca e ndjeshme e të dyve djathtas flet vetë për të gjitha arsyet që i bëjnë të dy PD-të e reja tërheqëse për të djathtën. Flasin vetë po ashtu për impaktin e tyre real mbi të djathtën edhe qëndrimet skandaloze ndaj tyre të azapëve të shtypit proqeveritar apo dhe vetë sharjet që u rezervojnë për shtatë palë mllefe nga ekrani Saliu dhe ministrat e tij të diskredituar prej dështimeve e paudhësive të njëpasnjëshme.

Janë kushtet për rithemelimin e të djathtës shqiptare që janë krijuar dhe prandaj po krijohen edhe këto dy parti të reja demokratike. Të cilat s’duhet të tundojnë askënd tjetër përveç atyre që duan të ikin nga anija e Partisë së vjetër Demokratike. Sepse nëse këto dy parti duan t’i krijojnë të djathtës mundësinë për të dalë nga qorrsokaku ku e ka rrënuar PD-në bashkë me Shqipërinë politika e mbrapshtë e Saliut, kjo mund të jetë një zhvillim pozitiv për politikën shqiptare në një vështrim afatgjatë, por nuk ka asnjë lidhje me mundësinë e domosdoshme që u duhet sot familjeve e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për një Rilindje Shqiptare.

Zgjedhja për shqiptarët sot nuk është mes tre partive demokratike, po është qartësisht mes një Rilindjeje Shqiptare përmes Partisë së ripërtërirë Socialiste e koalicionit të saj dhe një Rrënimi të Mëtejshëm të Shqipërisë në vazhdën e rrënimit e të çarjes së Partisë së vjetër Demokratike. Mbi këtë zgjedhje do të bëhet edhe beteja politike, që do të ndajë me votë ata që do të zgjedhin me radhë mes punësimit real dhe rritjes së papunësisë. Mes një takse të ndershme dhe një takse të sheshtë. Mes nxitjes së biznesit dhe shkatërrimit të biznesit. Mes shërbimeve publike në arsim e shëndetësi që duhet të merren sipas nevojës dhe jo të fitohen sipas mundësisë për të paguar. Mes zhvillimit modern rural dhe braktisjes së fshatit në errësirën mesjetare.

Mes një Partie Socialiste që bashkon të gjithë njerëzit e zakonshëm rreth një programi për një Rilindje Shqiptare në rrugën e Bashkimit Europian dhe një Partie Demokratike të ndarë në tresh në kërkim të rrugës së humbur të së djathtës
Shtuar më 11/03/2012, ora 09:50
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori