Rritja e krimit dhe Ministria e Brendeshme
Albeu.com
Shtuar më shumë se dyfish shifra e kriminalitetit vjetor në vetëm tre vjet. Nga 94 vrasje para tre vjetësh 137 të tilla tre vjet më vonë. Afro dyfish krimet kundër pronës. Dyfish vjedhjet me dhunë në të njëjtin hark kohor. Më shumë se dyfish vjedhjet me armë. Nga 697 vjedhje banesash para tre vjetësh 979 tre vjet më pas. Rritje galopante edhe në vjedhjet e kompanive private. Gati katërfish vjedhjet e quajtura “të tjera”. Pranë dyfishimit armëmbajtjet pa leje. Pesëfish shkeljet në qarkullimin rrugor.

Kjo është trajektorja marramendëse e krimit në tre vjetët e fundit. Janë shifra të frikshme dhe edhe më e frikshme është tendenca në ngjitje e tyre. Ngjitje e vazhdueshme që përkon me rënien e shtetit. Këto shifra janë nxjerrë nga brenda Ministrisë së Brendshme, aty ku është gatuar edhe fshehja e turpshme e tyre. Por rënien e shtetit e tregojnë pa koment lajmet e përditshme që dëshmojnë kthimin prepotent të krimit në një makth shoqëror e individual për qytetarët e Shqipërisë.

Krimi po e mbyt Shqipërinë.

Pas shifrave e lajmeve tronditëse qëndron një shoqëri e kërcënuar përditë në sigurinë e saj. Shteti e ka humbur betejën me krimin sepse pushteti e ka rrënuar moralisht e profesionalisht policinë, siç ka rrëgjuar edhe jetën shoqërore nën trysninë e papunësisë e të degradimit të shërbimeve publike. Në një vend me 1 milionë të papunë ku Policia e Shtetit trajtohet si zyrë për të punësuar shërbëtorët e partive të qeverisë, kushërinjtë apo miqtë krahinorë dhe ende më keq, njerëzit me precedentë penalë për fushata elektorale, s’ka se si krimi të mos e fundosë shtetin nën peshën e vet.

Ministria e Brendshme rendi edhe dje të mbrohet duke u hedhur në sulm menjëherë pas tryezës sonë të programit të ri mbi rendin e sigurinë publike dhe pas shifrave të mësipërme të publikuara prej nesh. I falenderoj publikisht ata që nga brenda strukturave të asaj ministrie kërkuan ndihmën tonë për t’i nxjerrë në dritë ato shifrat të fshehura dhe vënë alarmin. Kemi të dokumentuar po ashtu edhe metodën e manipulimit të Ministrisë së Brendshme me shifrat e rreme që ka përdorur për të gënjyer publikun në kuadrin e propagandës së përgjithshme qeveritare. Një tjetër shembull ky i të vërtetës së hidhur se qeveria shqiptare është kthyer në një ndërmarrje propagandistike manipulimesh që ka humbur plotësisht kuptimin si qeveri e Republikës së Shqipërisë. Një tjetër shembull kuptimplotë i faktit se qeveria shqiptare është shndëruar në një trupë që më shumë ngjan e interesuar për t’i shpëtuar të vërtetës dhe ligjit se sa për të dhënë shembullin e duhur të sjelljes sociale e për të imponuar rendin ligjor në Shqipëri. Një tjetër shembull drithërues për të kuptuar se kjo qeveri nuk ndalet në kriminalizimin shumëplanësh të procesit qeverisës.

Sjellja antisociale është ushqimi bazë i kriminalitetit dhe zbutja e kësaj sjelljeje të gjithëpërhapur në shoqërinë tonë është një mision shumë i gjerë social që qeveria e vendit duhet ta ndajë me prindërit, me familjet, me mësuesit e pedagogët, me komunitetet e me median, me publikun në tërësi. Eshtë një mision që ze fill nga vetë sjellja e qeverisë ndaj vendit, publikut, fakteve. Por fatkeqësisht qeveria jonë nuk e lufton por e motivon sjelljen antisociale në Shqipëri me shembullin e saj të mjerë dhe mjerues për shoqërinë. Sot qeveria e ka pranuar epërsinë e krizës ekonomike, sepse masat e saj nuk e zbusin po e thellojnë krizën. Të cilën kryeministri mundohet vetëm ta fshehë duke fshehur të vërtetën, manipuluar shifrat, gënjyer papushim publikun. Qeveria ka pranuar po njësoj edhe epërsinë e krimit dhe madje është bërë burim inkurajimi për krimin me sjelljen e vet të padenjë publike dhe me vendimmarrjen e vet të errët; me retorikën e shifrave të gënjeshtërta dhe me sulmet barbare ndaj prokurorisë; me bashkëpunimin e hapur me kriminelët në fushata elektorale dhe me gradimin e pinjollëve të krimit në poste drejtuese të policisë.

Qeveria sot është bërë pa ekzagjerim konkurente e krimit në goditjet haptaz kriminale të Kushtetutës e ligjit. Përmes plumbave të nxjerrë nga pushkët e saj për të vrarë protestues opozitarë, përmes pengimit të dhunshëm të hetimeve me fshirje gjurmësh e kërcënime publike ndaj Prokurores së Përgjithshme, përmes vjedhjeve të hatashme me zë e me figurë dhe përmes korruptimit spektakolar të proceseve gjyqësore ku është gjendur në bankën e të akuzuarit nga prokuroria, qeveria ka zgjedhur metodën e krimit në raport me ligjin, me drejtësinë, me njerëzit e zakonshëm. Sjellja e saj antiligj dhe antishtet e bën natyrshëm krimin më të guximshëm e më të sukssesshëm në aksionin e tij barbar dhe në dyert e drejtësisë po ashtu. Kriminelët dhe bandat kriminale e kanë rritur forcën goditëse të tyre sepse veprojnë në një terren ku muret mbrojtëse të ligjit e të shtetit janë dëmtuar rëndë nga braktisja e detyrimeve kushtetuese e ligjore prej qeverisë. Nga forca e shembullit të saj zvetënues për moralin shoqëror e për autoritetin e shtetit. Nga tërmetet e rënda që vetë qeverisja ka shkaktuar në themelet e tyre me vrasjet, shpërthimet, grabitjet, plagët e pangushëllueshme në familjet e njerëzve të zakonshëm që për shkak të qeverisë kanë humbur të afërm, kanë humbur prona, kanë humbur biznesin, punën, sigurinë. Ndërsa policia e ka ulur forcën goditëse të saj sepse është e tradhëtuar dhe e braktisur nën drejtimin e atyre që duhen të ishin para drejtësisë e jo të kishin nën urdhëra policinë.

Në reagimin e vet patetik Ministria e Brendshme fliste për suksese imagjinare e për mosmirënjohje nga ana e opozitës ndaj policisë. Një reagim absurd, dobësi e dukshme e arrogancës së një pushteti që ka humbur çdo arsye e qëllim tjetër veç të ndenjurit aty ku është, për të bërë punët e veta krejt pa lidhje me punët e Shqipërisë. Por edhe më keq se kaq ishte në atë reagim idiotik krahasimi tallës me Bashkimin Europian, ku sipas Ministrisë së Brendshme qenkemi në pararojë edhe në punët e rendit. As më shumë e as më pak po mbi mesataren e BE-së! Tamam ashtu si me ekonominë pakashumë, ku jemi të dytët pas Gjermanisë siç thotë kryeministri dhe njëkohësisht përgjegjësi i madh për tërë këtë propagandë turpëruese për Shqipërinë, për politikën, për çdo njeri të logjikshëm në këtë vend. Kjo qeveri do të vazhdojë rrugën pa kthim të falimentimit të shtetit e të shpartallimit të moralit publik e politik përmes fjalëve e veprave të saj të ulëta. Derisa, në zgjedhjet e ardhshme të marrë ndëshkimin e shumëmerituar e t’u hiqet sysh shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për t’ia lënë vendin opozitës së sotme duke i hapur rrugë realizimit të programit tonë për një Rilindje Shqiptare.

Sot krimi e ka fituar luftën me shtetin. Nesër, përmes qeverisë sonë të re dhe programit tonë të qartë kundër krimit e shkaqeve të krimit, shteti do ta fitojë luftën me krimin.
Shtuar më 12/02/2012, ora 11:27
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori