Zbulohet zyra e fshehtë e Nexhmije Hoxhës, si retushonte fotot me Enverin
Pëlqej
Nga libri “Enver Hoxha në optikë të re” të Vasfi Barutit, botim biografik, i pajisur me dokumente arkivore, përveç zbulimit të mjaft anëve të errëta të diktatorit pas dyersh të blinduara, ku ruhet arkivi sekret i Enver Hoxhës në Arkivin Qendror, dalin edhe episode tipike të diktatorëve, paranoja e armiqve dhe tradhtarëve përmes retushimit të fotove, një zyrë e fshehtë vetëm për fotot e Enverit nga Nexhmije Hoxha. Histori e përfshirë edhe në librin e francezit të vitit 1975, botuar në Paris
Praktika se si diktatorët kanë ngritur profilin e tyre udhëheqës ndoshta e ka shtyrë një arkivist francez të krijonte një album, të hulumtonte e të saktësonte foto të retushuara në ish-vende komuniste. Emri i tij është Jaubert dhe libri “Precis d’histoire de la lutte antifaschiste de liberation du people albanais”, botuar herët në Paris 1975. Nisur nga ky fakt, në album është përfshirë edhe Shqipëria me foto të retushuara të diktatorit.
Në këtë gjurmë, edhe arkivisti shqiptar Vasfi Baruti në librin e tij biografik “Enver Hoxha në optikë të re”, përveç të dhënave të panjohura mbi falsifikimin e dokumenteve arkivore, deri në përmasa të paimagjinueshme për historinë, jep edhe informacione pothuaj të errëta deri tani që lidhen me bashkëshorten e Enverit, Nexhmije Hoxhën.
Librat e historisë, albumet për Luftën Nacionalçlirimtare kanë pasur në praktikë të punë për të spastruar emrat dhe fytyrën nga fotografitë kur ishin në krah të Enverit, si “armiq” apo “tradhtarë”, që shkonin për interesa biografike të Enver Hoxhës.
Nga libri “Enver Hoxha në optikë të re” të Vasfi Barutit, botim biografik, i pajisur me dokumente arkivore, zbulohen shumë anë të errëta të diktatorit Enver Hoxha; me dyer të blinduara, ku ruhet arkivi sekret i Enver Hoxhës në Arkivin Qendror, dalin fragmente dokumentacionesh që flasin për tjetërsimin e historisë personale të diktatorit, ndërsa në një nga kapitujt shënohet një nga sindromat tipike të diktatorëve: retushimi i fotove. Në fakt, nuk është ndonjë ngjarje e re të shkruash për retushimin e fotoveEnverit nga “armiqtë”, por çfarë konteksti përmban ky kapitull në librin e Vasfi Barutit lidhet drejtpërdrejt me bashkëshorten e diktatorit, Nexhmije Hoxhën.
Aty zbulohet për herë të parë se në ish-Institutin e Marksizëm-Leninizmit që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, ishte një zyrë e posaçme që merrej me retushimin e fotografive. Gjithnjë bëhet fjalë për mbikëqyrjen dhe urdhrat e gruas së diktatorit. Në media, siç pohon arkivisti Baruti, Nexhmija e ka pranuar me gjysmë zëri se ka pasur retushime të fotove, por për këtë ua kalon “fajin” disa shoqatave, që, sipas saj, janë marrë me retushime.
Ja ç’ka thënë ajo fjalë për fjalë: “Është e vërtetë se retushimi është përdorur dhe ka qenë, për mendimin tim një budallallëk, që vjen nga një pikëpamje injorante në këtë drejtim. E para, nuk është bërë me urdhër. Unë kam qenë pikërisht në atë aparat që merrej me propagandën në atë kohë pas çlirimit, por shumë organizata e shoqata e bënin këtë. Kjo, duke i parë gjërat në një kuptim të ngushtë”, – citohet gruaja e diktatorit. Arkivisti Baruti tërheq vëmendjen se në vitin 1963, për të cilën bën fjalë kjo deklaratë për retushimet e fotove, e vetmja shoqatë e legalizuar ishte ajo e Gjuetarëve.
Në libër jepen fotot origjinale si dhe ato të retushuara, ku shihet qartë heqja apo zhdukja e mjaft personave si dhe zhvendosja e vetë Enverit në pozicione krejtësisht false. Bëhet fjalë, siç shihet, më shumë për biografinë e Enverit, sidomos në vitet e para të angazhimit të tij, kur po hidhte hapat drejt forcimit të udhëheqjes, marrjes së pushtetit. Ca të tjera i përkasin dhe kohës së Liceut në Gjirokastër dhe më pas në Korçë, ku shihet se si janë retushuar mësuesit dhe moshatarët e tij.
Guximi për të retushuar foto, edhe kur ka masive njerëzish, si duket nuk ka kursyer edhe bashkëpunëtorët më të afërt në marrjen e pushtetit, qartazi janë fotot me Nako Spiron, Omer Nishanin apo Medar Shtyllën etj. Pas fatalitetit dhe tragjizmit të retushimit të dokumenteve historike, zbuluar po në këtë libër prej Vasfi Barutit, por që arkivat e komunizmit janë të mbushura plot me të tilla histori falsitetit, kjo e fotove duket ironike më tepër sesa rëndësi, histori apo fatalitet historik. Megjithatë, prej retushimeve të fotove ndihmohet logjika e argumenti mbi psikën e diktatorit, duke kuptuar pas kësaj paranojën e armiqve dhe arsyen e tmerrshme pse pushkatoi pjesën më elitare dhe intelektuale të vendit. Glorifikimi i unit, si në rastin e fotos ku paraqitet në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Beratit, kongresi i parë i Frontit Demokratik, e vitit 1944 – pra ky glorifikim kërkonte së fundi të krijonte idilin e luftëtarit dhe udhëheqësit të lavdishëm të popullit. Retushimi i fotoveEnverit, posaçërisht, duke u marrë drejtpërdrejt bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha, përmes krijimit të një zyre të fshehtë enkas, është tregues i anës më të errët të diktaturës për të kuptuar gjithë rrjedhojën e deformimit njerëzor që shkaktoi ajo. (Standard)
Shtuar më 16/08/2014, ora 14:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori