Zbulohet marrëveshja/ Me qeveri të panjohur, Enveri detyroi anglezët: Ta njihnin kryeministër, jo si autoritet ushtarak
Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet `45-`48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”

Misioni i dytë i ndihmës anglo-amerikane njohur me emrin UNRRA e ka në historinë e saj të marrëdhënieve me disa vende të Ballkanit, pra këtë me Shqipërinë si një nga më të vështirat përsa i takon politikës së ndjekur nga Hoxha. Kjo është një nga gjurmët më të rëndësishme se si pushteti diktatorial ka shfrytëzuar “ndihmën” e huaj për ta shndërruar në një propagandë për vete, që sot e kësaj dite shqiptarët mendojnë se janë meritë e Hoxhës, i cili fshehu dhe nuk e pasqyroi në historiografinë komuniste asnjë nga këto fakte historike, në ditën e zisë për bukë të shqiptarëve.

Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet `45-`48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, botim i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore. Autori, rreth të 80-ave, jeton në Bruksel, ndërsa botimi është vlerësuar si një punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente.

Duke qenë në kaosin e debateve shpeshherë të ashpra, kryesisht politike, periudha e vendosjes së regjimit komunist e sidomos fillimi, vitet `45-`48 vazhdojnë të shqetësojnë të gjitha palët. Rishkrimi i historisë – mbetet themeli. Më poshtë kemi shkëputur një fragment ku jepen fakte e kalkulime si u shkatërrua ekonomia shqiptare, tregtarët dhe si u procedua me floririn e konfiskuar nga diktatura.

Një statistikë e ftohtë që dëshmon si iu “rrëmbye” pasuria shqiptarëve. Në fragmentin e mëposhtëm nga ky studim, jepet një nga rastet ekstreme se si Enver Hoxha pati paranojën dhe frikën e anglo-amerikanëve, që ndonëse në ditë zie për bukë, pushtetshmëria e tij lidhej me sulmet e këtyre armiqve. Nga ana tjetër, misioni i dytë i ndihmës, njohur me emrin UNRRA e ka në historinë e saj të marrëdhënieve me disa vende të Ballkanit, pra këtë me Shqipërinë si një na më të vështirat porsa i takon politikës së ndjekur nga Hoxha.

Diktatori fshehte nga sytë e shqiptarëve gjithë këtë ndihmë të dhëna nga jashtë, në drithëra e në të gjitha fushat për rimëkëmbjen e vendit, duke vështirësuar akoma më tej këtë marrëdhënie, deri në fund të kryerjes së misionit. Kjo është një nga gjurmët më të rëndësishme se si pushteti diktatorial ka shfrytëzuar “ndihmën” e huaj, për ta shndërruar në një propagandë për vete, që sot e kësaj dite shqiptarët mendojnë se janë meritë e Hoxhës, i cili fshehu dhe nuk e pasqyroi në historiografinë komuniste asnjë nga këto fakte historike, në ditën e zisë për bukë të shqiptarëve.
***
Ndihma e URRNA-s

Luan Dode

Pas LDB-së UNRRA ndihmoi 17 vende në katër kontinente. Ndihma falas për Shqipërinë, gusht 1945 –qershor 1947, luajti një rol të dorës së parë për kalimin e gjendjes së vështirë të pasluftës si dhe për rimëkëmbjen e rindërtimin e vendit.

I njohuri Vojo Sërzentiç, qëndroi si eminente grise edhe në çështjet që kishin të bënin me ardhjen e ndihmave të UNRRA-s, (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rimëkëmbje)

Në shkurt 1945 qeveria shqiptare kërkoi ndihmë nga UNRRA. Kjo sugjeroi të bëhej më parë një marrëveshje me ML-në, (Military Liaison) që kishte mundësi për një ndihmë të ngutshme. Praktika ishte pranuar në janar edhe nga jugosllavët. Por ndihma e ML-së ishte refuzuar nga Hoxha.

Bisedime të reja çuan në një marrëveshje ushtarake me ML-në, ku Hoxha që këmbëngulte për t’u njohur si kryeministër, nën shkroi si “autoritet kryesor ushtarak”.

Sipas marrëveshjes furnizimet do t’u dorëzoheshin autoriteteve shqiptare, të cilat do t’i shpërndanin pa diskriminim besimi apo përkatësie politike.

Çmimet e shitjes së mallrave do të miratoheshin nga personeli i ML-së, i cili ruante të drejtën e vëzhgimit mbi shpërndarjen. Ndihmat filluan të mbërrinin një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vazhduan për 10 javë. Rreth një e treta e ndihmave u shpërnda falas nga seksionet e Asistencës Sociale për popullatën e varfër. Përfituan në radhë të parë familjet e dëshmorët e luftës, ato të partizanëve të varfër dhe refugjatët çamë.

Përfituan edhe oficerët ushtarakë. Pjesa tjetër u shpërnda me pagesë, brenda sistemit të triskëtimit të vendosur nga qeveria, e cila arkëtoi afër 26 milionë fr.shqiptare. Qeveritë e SHBA-së, dhe të Anglisë nuk kërkuan shlyerjen e vleftës së mallrave të lëvruara nga ML-ja në Shqipëri. Personeli prej 26 vetash i ML-së mund të lëvizte nëpër Shqipëri vetëm me leje të posaçme, të shoqëruar e të vëzhguar. Organet e pushtetit lokal porositeshin për t’i mbajtur sa më të izoluar oficerët e saj kurse popullit i shpjegohej se ndihmat i detyroheshin luftës së bërë e të mos kuptoheshin se jepeshin për hatër, psikologji e njëjtë me atë të jugosllavëve. Për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë shqiptare, ML-ja u largua më 5 korrik. Hoxha mburret se ishte ai që kishte kërkuar largimin e menjëhershëm të saj. Në gjendje të vështirë, Shqipëria mbeti për dy muaj pa furnizime, derisa hyri në veprim UNRRA.

Kryetar i Misionit të UNRRA-s për Shqipërinë u emërua lejtantkoloneli OKli-Hill, një anglez që njihte mirë vendin e fliste shqip rrjedhshëm. Ky kishte qenë organizator i Gjindarmërisë në administratën e Zogut. Kjo nuk mund të përbënte veçse një element shtesë në armiqësinë e paragjykuar të Hoxhës për aleatët perëndimorë. Hilli ishte dashamirës ndaj Shqipërisë, por për komunistët nuk mund të ishte dashamirës i saj askush që nuk ishte dashamirës ndaj tyre.

Okli Hill zbriti në Tiranë, në fillim të majit. Hoxha mburret se përfaqësuesin e UNRRA-s, se cilës i ishte drejtuar zyrtarisht për ndihmë, e la “të priste nja dy javë se nuk ia kishte ngenë”. Bisedimet përfunduan pa rezultat. Me negociata që vazhduan në distancë, u pranuan kërkesat e palës shqiptare për zvogëlimin e numrit të personalit të Misionit, dhe që Enver Hoxha, me qeveri ende të panjohur nga aleatët anglo-sovjeto-amerikanë, të nënshkruante si Kryeministër dhe jo si autoritet ushtarak, etj.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë në fillim të gushtit Furnizimet do të shpërndaheshin nga autoritet shqiptare sipas nevojave e pa diskriminime; Misioni kishte të drejtën e mbikëqyrjes. Livrimet e mallrave do të bëheshin në portet Durrës, Vlorë e Sarandë.

Tri javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes mbërriti kontingjenti i parë. Sipas një kërkese të ngutshme, erdhën me aeroplan 80 mijë vaksina për të luftuar epidemi tiroide kërcënuese dhe po atë ditë me anije 1.250 ton miell gruri, 300 kv barna mjekësore, aparatura të ndryshme etj.

Një emergjencë tjetër ishte furnizimi i drithërave të bukës, që përbënin një pjesë të rëndësishme të ushqimit të kohës për popullsinë. Bashkë me sasitë e sjella nga ML-ja, furnizimi i drithit nga UNRRA gjatë gjashtëmujorit të dytë të 1945, i dha mundësi Qeverisë të ruante racionin e ulët për popullsinë, sa për të kaluar zinë e bukës në dimrin e 1945-1946.

Vetëm gjatë vitit 1945, kur prodhimi vendas i drithërave të bukës mbulonte më pas se 60 përqind të nevojave, u sollën 57.200 ton nga të cilat 34.000 t, prej ML-së e UNRRA-s, dhe 23.200 t. u importuan nga Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia. Si burim fillestar për sigurimin e drithërave që ai i rekuizimeve. UNRRA solli gjithsej 51.00 t drithë e prodhime drithi. Gjatë tre vitesh para lufte, 1936-1938, Shqipëria kishte importuar mesatarisht 27.500 t drithtë në vit.

Funksionarë të UNRRA-s mbeteshin të habitur se për mirëmbajtjen e makinerive dhe aparaturave të ndryshme qeveria shqiptare kërkoi prej saj vetëm dy specialistë makinash bujqësore për një periudhë të shkurtër kohe. Në kuadrin e përfundimit të veprimtarisë së vet, në fund të qershorit 1947 UNRRA mbylli misionet në dhjetë vende, mes të cilave në Itali, Jugosllavi, Shqipëri e Greqi. Në këtë kohë asaj i kishte mbetur pa realizuar 10 përqind e programit për Shqipërinë. Realizimi i kësaj pjese, që zgjati deri në maj 1948, u bë me livrimin e mallrave nëpërmjet kanaleve të qeverisë jugosllave.

Me shpenzimet për livrimin e mallrave në portet shqiptare, buxheti i UNRRA-s, për Shqipërinë kapi shumën 31.750.000 dollarë. Nga artikujt e konsumit vetjak, një e treta e vlerës iu shpërnda falas popullatës së varfër, nga pjesa tjetër, që u shpërnda kundrejt pagesës, qeveria arkëtoi të ardhura të konsiderueshme të cilat u përdorën po ashtu për rimëkëmbjje të ekonomisë.

Në Historinë e UNRRA-s shkruhet se Misioni i vendosur në Tiranë, ka pasur konflikte më të mëdha që mund të haseshin me qeverinë e një vendi. Stafi nuk mundi kurrë të mënjanonte dyshimet e Qeverisë se ai ishte thjesht një fasadë për qëllime të mbrapshta anglo-amerikane. Me gjithë interesat e vendit për të përfituar nga ndihmat e programit të UNRRA-s, qëndrimet e qeverive ishte haptas jodashamirëse.

Që në muajt e parë të nënshkrimit të Marrëveshjes me UNRRA- n, si dhe më pas, organet më të larta të pushtetit dhe të partisë kanë dërguar udhëzime për kufizim informatash e shmangie lidhjesh të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Misionit, për “rritjen e vigjilencës” ndaj vëzhgueseve të UNRRA-s, për të mos lejuar manifestime politike dhe “simpati” ndaj saj si dhe për t’i bërë të qartë popullit se programi i saj përbënte një kontribut minimal për Shqipërinë.

Dyshimet e persekutimet shoqëronin personelin shqiptar të punësuar te UNRRA, një pjesë e mirë e të cilit ishin njerëz të arsimuar, të kulturuar e me gjuhë të huaja, të paktë në atë kohë.

Më 1946 u kontrolluan zyrat dhe dokumentacioni i Misionit të UNRRA-s në Tiranë, duke shkelur statusin diplomatik të tij. Veçanërisht në dy muajt e fundit të 1946-s marrëdhëniet mes Qeverisë dhe Misionit kaluan një gjendje krize. Pas ardhjes në Tiranë të përfaqësuesit personal të drejtorit të përgjithshëm, e diskutimesh të papëlqyeshme me Enver Hoxhën, më 17 dhjetor ky i fundit pranoi të nënshkruante një marrëveshje prej shtatë pikash që disiplinonte marrëdhëniet e Qeverisë me Misionin si dhe hoqi dorë nga përzënia e dy funksionarëve.

Pas rreth dy muajsh pa ndihma, rifilloi livrimi i tyre. Vetëm kështu Misioni e kaloi periudhën e fundit pa ndeshur vështirësi me Qeverinë. Për qëndrimin që duhej mbajtur Hoxha kërkoi mendimin e Beogradit i cili këshilloi se nuk ishte mirë që UNRRA të largohej.

Në vitin e parë, falënderimet publike nga pala shqiptare për UNRRA-n kanë qenë tepër të kursyera. Enver Hoxha, që kishte të drejtën ekskluzive për të folur, e ka përmendur ndihmën e saj në tremujorin e fundit të 1945-s. Më shumë frynte sa mundej ndihmat minimale që vinin nga Bashkimi Sovjetik dhe nga “popujt e Jugosllavisë”. Por, marrëveshjet tregtare të nënshkruara në prill 1945 me Jugosllavinë dhe në shtator me BRSS-in nuk krahasoheshin në asnjë pikëpamje me programin e UNRRA-s.

Gjatë dy viteve të tjera është bërë vetëm një falënderim publik për UNRRA-n, me rastin e ndihmës për përmbytjet e vjeshtës së 1946-s. Në prill 1947, në pritjen që i ka bërë drejtorit të përgjithshëm, pas dyerve të mbyllura, Kryeministri ka shprehur mirënjohje për ndihmën e UNRRA-s.
Drejtuesit komunistë mundoheshin ta minimizonin ndihmën e konsiderueshme falas të UNRRA-s. Bashkë me mungesën e mirënjohjes, Qeveria e manifestonte mungesën e dëshirës për të respektuar Misionin. Shtypi jepte lajme shumë të shkurtra e tepër të varfra livrime mallrash e sidomos për veprimtari të UNRRA-s.

Në historiografinë e periudhës komunistë, ndihmat e UNRRA- s ose nuk përmenden, ose figurojnë sa për të treguar “punën armiqësore” të saj. Konsideratat ‘historike’ pasqyrojnë fobinë e Hoxhës, i cili ndihmat prej afërsisht 32 milion dollarësh i ka vlerësuar me “leckat, bathët dhe çiçibunet e krimbura” dhe me rolin e saj si “instrument i anglo-amerikanëve”.

Një pjesë e ndihmave të UNRRA-s, si makineri e pajisje: ura Bejli, centrale elektrike, makineri për minierat, për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin dhe për shëndetësinë shërbyen për 10 e 15 vjet e më shumë.

ML-ja dhe UNRRA dhanë një ndihmë të çmueshme organizativisht, financiarisht e me mjete transporti për riatdhesimin e të huajve që ndodheshin në Shqipëri.
Kaba shkruan se lidhur me riatdhesimin e shqiptarëve dokumentacioni në arkivat shqiptare është i pakët dhe e paraqet në mënyrë të zbehtë çështjen, qoftë për të internuarit në kampet naziste të përqendrimit, apo për të shpërngulurit për shkak të luftës.

Riatdhesimi i tyre u paraqit një punë e vështirë që zgjati me vite. Nga përgjigjet që Qeveria u jepte letrave e telegrameve që i drejtonin qytetarë të interesuar për fatin dhe kthimin e të afërmve, bie në sy mosaktivizimi i saj për këtë çështje.

Të parët nga shqiptarët që u kthyen në atdhe, në prill të 1945-s, ishin 50 të internuar prej gjermanëve në Selanik e të liruar prej ushtrive aleate të cilët i kishin vendosur në një kamp në Itali. Në qershor të 1945-s u kthyen 27 veta nga kampet gjermane të përqendrimit të Mathauzenit dhe të Monsbrukut. Numri i atyre që prisnin për t’u kthyer nga kampi i Monsbrukut ishte 428 shqiptarë. Në gusht dhe në shtator mbërritën edhe 109 të tjerë.

Me vonesë, në prill 1946 u botua një listë e plotë me emrat e 155 shqiptarëve të shpërndarë në Bavari të Gjermanisë, që prisnin kthimin. Për të sapokthyerit nuk u tregua kujdesi i duhur. Nga ana e pushtetit lokal përgjithësisht nuk merreshin masa të mjaftueshme për sigurimin e ushqimit, të fjetjes dhe të nevoja të tjera jetësore. Këto lloj qëndrimesh tregojnë se shumica e të internuarve nuk do të kenë qenë nga “shokët”, por nga “zotërinjtë”. /albeu.com/

Gazeta Standard
Shtuar më 19/04/2015, ora 21:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori