Xhelatët e diktaturës Emrat që torturonin të burgosurit
Çelo Hoxha

Histori/ Identifikohen torturuesit dhe llojet e torturave, duke u bërë zyrtare nga dokumentet e arkivave shqiptarë; rrëfimi i Diti Biçakut për të tmerrshmin Stavri Xharo

Një libër studimor me autor Çelo Hoxhën artikulon për herë të parë, përmes dokumenteve dhe dosjeve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Shtetit dhe ai i Ministrisë së Brendshme, mbi ardhjen e regjimit komunist me anë të ushtrisë; ky është një qëndrim zyrtar që mban i vetmi institucion publik, shtetëror, i krijuar 20 vjet pas rënies së komunizmit, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Më poshtë kemi tërhequr një fragment nga libri “Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri”, 1944-1948, ku për herë të parë artikulohen të plotë, emrat e torturuesve në burgjet komuniste vendosur në kontekstin e pranuar zyrtarisht, të vendosjes së regjimit ushtarak të Enver Hoxhës





Burgu-ne-Ballsh-dhe-vepra-Industriale-300x285Ishte vetëm fillimi i dhunës që u ushtrua mbi Veriun gjatë vitit 1945 e në vazhdim. Shkodra, në atë periudhë, mund të ketë qenë qyteti me numrin më të madh të burgjeve në gjithë Evropën, rreth 30 të tillë. Shumica e burgjeve ishin të improvizuar, një konvikt, Kuvendi i Fretërve, shumë shtëpi banimi, mes tyre dhe një e fisit Rroi, tek të cilët qëndroi, para se të shkonte në Perëndim, Mithat Frashëri.

Me ardhjen e Mehmet Shehut, në Shkodër u vendos gjendja e shtetrrethimit për disa javë. Dënimet me vdekje njoftoheshin në fjalime publike. Çdo të premte në orën 5 bëheshin pushkatimet. Pushkatimet bëheshin në sy të popullit, 10, 12, 14 vetë çdo të premte, për disa muaj. “Gjatë muejve janar-shkurt 1945 masat e terrorit mbi popullsinë erdhën tue u randue: shtoheshin kontrollet, shtoheshin të burgosunit, shtoheshin torturat, shtoheshin pushkatimet. Ndërsa pothuej për çdo natë, mbasi errej, turma të organizueme silleshin nëpër rrugë tue u çjerrë me tërbim me kangët terroriste “Hakmarrje Rini!” etj”. Me ikjen e gjermanëve, në Shkodër sundonte terrori. Të gjitha shtëpitë, pa përjashtim, kontrolloheshin nga partizanë të armatosur. Kontrollet bëheshin me pretekstin e kërkimit të “kriminelëve” dhe “reaksionarëve”, por qëllimi i vërtetë ishte terrori ndaj popullsisë. Për t’i ikur terrorit njerëzit arratiseshin në male ose fshiheshin te ndonjë mik besnik. Ata që strehonin të arratisurit i prisnin ose torturat, ose pushkatimi. Ndodhte që dikush torturohej ose pushkatohej vetëm pse emri i tij ishte i ngjashëm me emrin e personit që kërkohej. E shumta e njerëzve që kryenin kërkimin ishin ose analfabetë, ose gjysmanalfabetë. Pak pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, një person e arrestuan se i gjetën në shtëpi një gazetë “Zëri i popullit” me fotografinë e Enver Hoxhës të grisur. Kush binte në dorë të ushtrisë e Sigurimit përjetonte tortura, prej të cilave, në një rast u çmend dhe vetë hetuesi.

Ja 20 nga llojet e torturave më të shpeshta: të burgosurit rriheshin me dru derisa u bëheshin plagë dhe u binte mishi; u kruheshin plagët e qelbëzuara me dru; u shpohej mishi me tel të nxehtë; u futej rryma elektrike në veshë; u hidhej kripë në mishin e djegur; liheshin në ujë të ftohtë; liheshin pa ushqim deri në vdekje; liheshin pa ushqim për disa kohë; liheshin lakuriq në të ftohtë; u vishej jeleku; u vendosej dinamit në organet gjenitale; u shtrëngoheshin gjinjtë me pinca; u futej jashtëqitje në gojë; vareshin me kokë poshtë; lidheshin me lin; liheshin në diell; u futej macja në tumane; u përgatitej varri; u futej pushka në gojë; tentohej përdhunimi i vajzave. Muço Saliu, punonjës i Sigurimit, në deklaratën e tij për gjyqin e Koçi Xoxes, flet për torturat më me detaje: “Shumë njerëz që janë arrestuar, nuk kanë patur fare dosje ose materiale për të proceduar e nxjerrë në gjyq. Por, a mund të pranojë e të flasë një armik pa patur material kompromentues? Sigurisht që jo. Atëherë ky rrihej derisa tregonte edhe gjëra të pabëra, duke e çuar armën e Sigurimit në rrugë pa krye. Druri dhe torturat kanë qenë metodat e organeve të Sigurimit për të zhvilluar një proces e për ta bërë të arrestuarin të fliste. Në Sigurim nuk ekzistonin lloje të tjera pune për të zhvilluar një proces. Disa shokë, në fillim u thonin të burgosurve me të mirë që të tregonin gjithçka. Në rast se nuk pranonin, kërcënoheshin dhe rriheshin, derisa të tregonin edhe gënjeshtra. Liheshin me ditë të tëra në këmbë, deri në enjtje të tyre. Janë lënë në çimenton e ftohtë pa mbulesa për shumë kohë. Kanë ngelur pa bukë e ujë për javë të tëra (Myfit Shehu i lënë nga Avni Verçuni). Nuk është dhënë ujë, ose kur iu jepej, iu jepej me shumë kripë disa të dënuarve (këtë e ka bërë Irakli Kocani). Liheshin me erën e qelbur në nevojtore për ditë të tëra edhe pa ushqim. Janë lidhur me hekura prej muri me ditë e net, derisa kanë vdekur (Nazmi Qerazit i vdiq një nga Çamëria në këtë mënyrë). Futeshin kokëposhtë në një fuçi të mbushur me ujë, saqë kur dilnin, mezi qëndronin në këmbë. Kjo përdorej në fillim nga Stavro Xharra, por kjo përdorej njëlloj edhe për gratë. Njëri nga përdoruesit ishte edhe Raqi Zavalani. Janë vënë në korrent dhe telefoni qëndronte gjithnjë në dhomën ku pyeteshin të burgosurit. Janë rrahur me kamxhik, dru, shpulla e grushte, derisa iu është bërë kurrizi plagë. Në sigurimin e ushtrisë janë djegur në pulpën e këmbës me thupër pushke të nxehtë. Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke iu shkaktuar dhimbje të mëdha. Kjo u përdor në fillim nga seksioni i sigurimit të ushtrisë. Iu janë djegur organet seksuale me benzinë, si Alfred Ashikut nga Cole Bashari. Vërtiteshin njerëzit në një metër vend me kokë nga drita elektrike në tavan me orë të tëra, derisa binin përtokë. Natën detyroheshin të këndonin disa të burgosur si hoxhë, gjë që e bënte qesharake punën e hetuesisë. Kjo përdorej nga Stavri Xharra. Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër, përdorur nga Tomas Beqari. Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë. Kjo është përdorur po nga Tomas Beqari. Janë marrë në mesin e natës, duke i nxjerrë përjashta me kërcënimin e pushkatimit. Natën në dhomat e burgut u thuhej disave se do të pushkatoheshin, prandaj t’u shkruanin familjeve fjalët e fundit. U premtoheshin se do t’i lironin, në rast se tregonin, duke përdorur edhe vula të institucionit, përdorur nga Raqi Zavalani. U viheshin tek hunda çorape të qelbura, përdorur nga Avran Koja. Janë rrahur me vizore në duar, deri në shkaktim të plagëve të rënda. Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga sigurimi i ushtrisë. Janë lejuar ushtarët roje të burgut që t’iu hipnin të burgosurve në kurriz dhe të shëtisnin nëpër korridore njëlloj sikur të ishin kuaj. Viheshin të burgosurit të rrihnin njëri-tjetrin me shpulla dhe grushta. Përveç disa shokëve, ka pasur edhe të tjerë që kishin qejf të rrihnin edhe në hetuesi, si p.sh. Myftar Tare. Ky e ka rrahur shumë Tomorr Frashërin, se ky thoshte që e kishte patriot. Së fundi, nga druri pranoi se nuk ishte nga Kolonja dhe kështu Tare “shpëtoi” dhe nuk e torturoi më patriotin. Vaskë Koleci për të gjitha këto ka qenë i mirinformuar. Por shokët janë quajtur të dobët se nuk e urrenin shumë armikun, pasi nuk rrihnin shumë. Asnjë nga shokët e sigurimit nuk u dënua për këto gjëra. Vaskë Koleci nuk thoshte përdorni dru, por bëni presion dhe botëkuptimi ishte t’i linim njerëzit pa bukë për ditë të tëra, derisa t’u binte të fikët, t’i vinim në rrymë elektrike dhe t’u punonim të gjitha të zezat. Vaskë Koleci thoshte: të rrihen të burgosurit e t’u bëhet presion, por të mos qëllohen në fytyrë dhe në këmbë, sepse pastaj nuk i nxjerrim dot në gjyq. Vaskë Koleci, Nesti Kerexhi dhe Thoma Karamelo kanë rrahur anëtarin e partisë Vani Furrxhiu. Vaska ka rrahur Llazar Papastolin (Lari Post) me dru për netë të tëra, duke pasur si ndihmës Thoma Karamelon. Skënder Konica më ka thënë për Vaskë Kolecin se ai vinte shpesh në seksionin e sigurimit të ushtrisë dhe kërkonte dara e pinca. Në një dhomë ndodhej dikur një njeri që nuk shihej nga askush. Nga kjo dhomë Vaska dilte me pincat dhe darat gjithë gjak. Këtu mora vesh se ishte anëtari i partisë Galip Hatibi, i cili ishte arrestuar fshehtësisht nga Angji Faber, në kohën kur po dilte nga Komiteti Qendror i Partisë. Kur unë kam shkuar me Siri Çarçanin dhe Lefter Lakrorin në Shkodër, Vaska dhe Nesti i thanë Siriut dhe Zoi Themelit, që ishte shef i sigurimit në Shkodër, të arrestonim dhe rrihnim sa të donim e të ngopeshim. U arrestuan 300 vetë dhe u torturuan në këtë mënyrë të gjithë”. Zoi Themeli e pranon terrorin që ushtrohej në Shkodër. Në gjyqin e Koçi Xoxes, ai dëshmoi se prej tij urdhërohej me shkresa dore, të cilat, përveç udhëzimeve për tortura e pushkatime, mbaronin rregullisht me këtë porosi: “Këndoje dhe digje”.

Dhuna e diktaturës nuk ishte lokalizuar vetëm në Shkodër dhe vetëm gjatë vitit 1945. Në 1946-ën, Nesti Kerenxhi u dërgua në Peshkopi, me vendim të Byrosë Politike, të arrestonte nja 70 vetë dhe 20 prej tyre t’i pushkatonte pa gjyq. Në Burrel u pushkatuan pa gjyq njerëz që mendohej se gjatë operacioneve ushtarake mund të arratiseshin. Në vitin 1946, dega e Sigurimit të Beratit u njoftua se në Lushnjë po shkonte Gjykata e Lartë për të dënuar katër persona me vdekje. Edhe në 1947-ën, pushkatimet pa gjyq vazhdonin, me urdhra politike, ndërsa jepej porosia që formalitetet gjyqësore të bëheshin më vonë. Gjatë procesit të çarmatimit të popullsisë, 1946, ka pasur raste që fshatarët janë vrarë ose torturuar, qoftë dhe për një pushkë të vjetër. Pas rezolucionit të Byrosë Informative, 1948, në Dukagjin u vranë dy gra dhe disa fëmijë. Në një rast, kur Koçi Xoxe u pyet në gjyq se a kishin vrarë vartësit e tij pa urdhër, ai deklaroi se kishte qenë në dijeni për tri raste dhe kur i numëroi përmendi katër: “Në Peshkopi, në Kukës, në Mirditë dhe një herë në Lushnjë”. Të gjitha pushkatimet, ose shumica e tyre, bëheshin me dijeninë e Byrosë Politike. Ministria e Brendshme në të gjitha proceset jepte mendimin e saj dhe sugjeronte edhe masën e dënimit. Sugjerimet e saj për gjykatat ishin të kësaj natyre: “At Aleksi të dënohet me vdekje e të tjerët me burgime të ndryshme”. Morali i një veprimtarie të tillë antiligjore ishte se “për të mirën e punës dhe Partisë”, shkelja e ligjit ishte e lejueshme. Kush shkonte në burg nuk e priste ndonjë fat më i mirë. “Në Burrel hyn e nuk del” ishte parulla në hyrje të burgut të Burrelit. Vargu i parë i Ferrit të Dantes, i kopjuar më me korrektësi, ishte shkruar edhe në hyrjen e burgut të Romës, Rexhina Çeli, në Itali, ku burgoseshin antifashistët: “Zhvishuni nga çdo shpresë, ju që hyni këtu”.

Qeverisë shqiptare nuk i interesonte fati i qytetarëve dhe pavarësisht se e quante veten demokratike, legjitimitetin nuk e kërkonte te qytetarët e saj, por jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, në shtator 1945, ajo i dërgoi misionit të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Tiranë një promemorie, ku kërkonte njohjen e qeverisë. SHBA-të dhe Britania u treguan të gatshme ta njihnin, nëse qeveria plotësonte disa kushte, mes të cilave organizimin e zgjedhjeve të lira. Me shpresën e njohjes ndërkombëtare në mendje, zgjedhjet u bënë më 2 dhjetor. Në zgjedhje morën pjesë kandidatët e organizatës Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar; organizimi i partive politike lejohej de jure, por ndalohej de facto. SHBA-të dhe Britania e Madhe nuk e njohën qeverinë shqiptare, megjithëse më 11 janar 1946 ajo u miratua nga Asambleja Kushtetuese. Mbledhja e parë e asamblesë ka rëndësi vetëm për një fakt, ajo miratoi të gjitha ligjet e KANÇ të dala që nga Kongresi i Përmetit, duke konfirmuar kështu se gjithçka që ishte bërë deri atëherë – dënimi i shumë njerëzve si kriminelë lufte, Gjyqi Special, konfiskimet e pronës, shtetëzimet, prishja e koncesioneve etj., ishte bërë me iniciativën e institucioneve të pamiratuara nga një organ i dalë nga zgjedhjet e qytetarëve, e për rrjedhojë, të paligjshme. Diti Biçaku: Si i shpëtova torturuesit të tmerrshëm, Stavri Xharrës

Rrëfen Diti Biçaku, një prej njerëzve që i shpëtoi pushkatimit të natës së 21 shkurtit 1956, ku u hodhën në Urën e Beshirit, 22 intelektualë të pushkatuar pa gjyq, mes tyre dhe Sabiha Kasimati. Diti ka rrëfyer pak kohë më parë për “Standard”, në një intervistë të gjatë, këtë histori, si dëshmitare e asaj nate kur ishte dhe ajo e arrestuar duke shpëtuar për fije. Bashkë me rrëfimin e ngjarjes, ditët e saj kanë vijuar në burg, pa ditur çfarë u bë me 22 intelektualët, ndërsa ka treguar se në hetuesi u thirr nga Stavri Xharra që njihej nga torturuesit më të pamëshirshëm të burgjeve komuniste.

Kur ishit në burg, a ju morën në hetuesi për ngjarjen?

Mbasi u bë pushkatimit për t’u dhënë me kuptu se po i gjykojmë na çuan në një shtëpi… ishte një hetues, nuk u sjell shumë keq me mua. Nuk e mbaj mend se kush ishte, vetëm se na thoshte se “këtë libër që e kam këtu i kam plot dokumente të tuaja, se ju kam ndjek mbrapa ku ke shkuar. Prandaj trego çfarë ke bërë”. I thashë se nuk kam bërë asnjë gjë. Ajo zonja Lufi që ishte në burg me mua, më pat thënë një fjalë te veshi: “Ti qenke Didija e Biçakut, nëse do të rrish rehat, mos zër asnjë me gojë, se unë kam nëntë muaj izolim, se zura njërin me gojë”.

A ju bënin presion në hetuesi?

Ndonjë presion të madh, me na torturuar, nuk më kanë bërë. Por vetëm se më kanë pyetur pafund, me cilin rrija, çfarë bëja, ku shkoja. Shoku im i ngushtë ishte biçikleta. U thashë se nuk takoja asnjë nga rrethi im. Por torturë ishte kur të akuzonin vazhdimisht se “isha armik i popullit, kundra pushteti” – kjo më bënte të vuaja në fakt, isha pa faj. Unë mbylla gojën, por hetuesi më kërcënoi: se do ta shohësh do të t’i nxjerrim të gjitha ato që ke bërë. Jam e sigurt se po ta hapja atë fletore që më thoshte vazhdimisht hetuesi se ishte plot më bëmat e mia, e them me bindje se do ishte krejt bosh, e bardhë. Mora një kurajë që as vetë nuk e di dhe i thashë hetuesit se ishte e bardhë ajo fletore. Nguli këmbë në të vetën: mirë prapë do shihemi, dhe do t’i thuash pastaj të gjitha ato që ke bërë. Asnjë gjë s’keni prej meje – këto ishin fjalët e mia. Na çuan edhe njëherë tjetër për pyetje, dhe më vonë na nxorën. Hetuesi si tashi më kujtohet ishte Stavri Xharra.

Stavri Xharra njihet si një nga torturuesit më të egër në diktaturë. A kishte kontakt me ju?

Jo ai mori disa të dënuar të tjerë që ishin më përpara se bomba e ambasadës. Ne ashtu na merrnin, hajde dilni dhe thoshin të shkonin te Stavri Xharra. Ne e morën vesh pas daljes nga burgu kush ishte Stavri Xharra. Por kam shkuar dhe unë te Stavri Xharra për hetuesi. Ai më priti me një egërsi dhe më tha: shiko, nuk do t’i përsërisësh më gabimet që ke bërë, se këtë herë ta falëm. Herë tjetër nuk të falim më. E kishim dëgjuar si emër kush ishte Stavri Xharra.

*Pjesë nga intervista e botuar në “Standard”, shkurt 2012

Intervistoi: V. M.



Emrat e torturuesve dhe metodat e tyre



Muço Saliu – punonjës i Sigurimit… Druri dhe torturat kanë qenë metodat e organeve të Sigurimit për të zhvilluar një proces e për ta bërë të arrestuarin të fliste. Në Sigurim nuk ekzistonin lloje të tjera pune për të zhvilluar një proces. Disa shokë, në fillim u thonin të burgosurve me të mirë që të tregonin gjithçka. Në rast se nuk pranonin, kërcënoheshin dhe rriheshin, derisa të tregonin edhe gënjeshtra. Liheshin me ditë të tëra në këmbë, deri në enjtje të tyre.



Avni Verçuni – Janë lënë në çimenton e ftohtë pa mbulesa për shumë kohë. Kanë ngelur pa bukë e ujë për javë të tëra (Myfit Shehu i lënë nga Avni Verçuni).





Irakli Kocani – Nuk është dhënë ujë, ose kur u jepej, u jepej me shumë kripë disa të dënuarve (këtë e ka bërë Irakli Kocani). Liheshin me erën e qelbur në nevojtore për ditë të tëra edhe pa ushqim. Janë lidhur me hekura prej muri me ditë e net, derisa kanë vdekur (Nazmi Qerazit i vdiq një nga Çamëria në këtë mënyrë).





Stavri Xharo – Futeshin kokëposhtë në një fuçi të mbushur me ujë, saqë kur dilnin, mezi qëndronin në këmbë. Kjo përdorej në fillim nga Stavro Xharra, por kjo përdorej njëlloj edhe për gratë.

-Vërtiteshin njerëzit në një metër vend me kokë nga drita elektrike në tavan me orë të tëra, derisa binin përtokë. Natën detyroheshin të këndonin disa të burgosur si hoxhë, gjë që e bënte qesharake punën e hetuesisë. Kjo përdorej nga Stavri Xharra.





Sigurimi i ushtrisë – Janë vënë në korrent dhe telefoni qëndronte gjithnjë në dhomën ku pyeteshin të burgosurit. Janë rrahur me kamxhik, dru, shpulla e grushte, derisa iu është bërë kurrizi plagë. Në sigurimin e ushtrisë janë djegur në pulpën e këmbës me thupër pushke të nxehtë. Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha. Kjo u përdor në fillim nga seksioni i sigurimit të ushtrisë.

- Janë rrahur me vizore në duar, deri në shkaktim të plagëve të rënda. Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga sigurimi i ushtrisë.



Cole Bashari - U janë djegur organet seksuale me benzinë, si Alfred Ashikut nga Cole Bashari.



Tomas Beqari – Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër, përdorur nga Tomas Beqari. Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë. Kjo është përdorur po nga Tomas Beqari.



Raqi Zavalani – Janë marrë në mesin e natës, duke i nxjerrë përjashta me kërcënimin e pushkatimit. Natën në dhomat e burgut u thuhej disave se do të pushkatoheshin, prandaj t’u shkruanin familjeve fjalët e fundit. U premtoheshin se do t’i lironin, në rast se tregonin, duke përdorur edhe vula të institucionit, përdorur nga Raqi Zavalani.



Avran Koja – U viheshin tek hunda çorape të qelbura, përdorur nga Avran Koja.





Vaskë Koleci – Nuk thoshte përdorni dru, por bëni presion dhe botëkuptimi ishte t’i linim njerëzit pa bukë për ditë të tëra, derisa t’u binte të fikët, t’i vinim në rrymë elektrike dhe t’u punonim të gjitha të zezat. Vaskë Koleci thoshte: të rrihen të burgosurit e t’u bëhet presion, por të mos qëllohen në fytyrë dhe në këmbë, sepse pastaj nuk i nxjerrim dot në gjyq. Vaskë Koleci, Nesti Kerexhi dhe Thoma Karamelo kanë rrahur anëtarin e partisë Vani Furrxhiu. Vaska ka rrahur Llazar Papastolin (Lari Post) me dru për netë të tëra, duke pasur si ndihmës Thoma Karamelon. Skënder Konica më ka thënë për Vaskë Kolecin se ai vinte shpesh në seksionin e sigurimit të ushtrisë dhe kërkonte dara e pinca. Në një dhomë ndodhej dikur një njeri që nuk shihej nga askush. Nga kjo dhomë Vaska dilte me pincat dhe darat gjithë gjak. Këtu mora vesh se ishte anëtari i partisë Galip Hatibi, i cili ishte arrestuar fshehtësisht nga Angji Faber, në kohën kur po dilte nga Komiteti Qendror i Partisë. Kur unë kam shkuar me Siri Çarçanin dhe Lefter Lakrorin në Shkodër, Vaska dhe Nesti i thanë Siriut dhe Zoi Themelit, që ishte shef i sigurimit në Shkodër, të arrestonim dhe rrihnim sa të donim e të ngopeshim. U arrestuan 300 vetë dhe u torturuan në këtë mënyrë të gjithë”.



Zoi Themeli - E pranon terrorin që ushtrohej në Shkodër. Në gjyqin e Koçi Xoxes, ai dëshmoi se prej tij urdhërohej me shkresa dore, të cilat, përveç udhëzimeve për tortura e pushkatime, mbaronin rregullisht. (Standard)
Shtuar më 27/07/2013, ora 14:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori