Vizitat “e mëdha”, që dikur prodhonin luftë
Pëlqej
Nga Armand Plaka

Të gjithë kemi përjetuar gjatë gjithë këtyre ditëve, duke kulmuar me atë të djeshmen, atmosferën e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. Ishte më shumë se një event madhor, ishte një bekim fatlum për të gjithë shqiptarët, një vizitë historike që, përveç shumë aspekteve të tjera, e katapulton Shqipërinë dhe shqiptarët drejt një imazhi të ri. Pikësëpari, vetë fjalët e Papës, në lidhje me vuajtjet e shqiptarëve dhe cilësimin e tyre si popull martirësh, por edhe një popull që prodhon harmoni mes religjioneve dhe promovon paqen, na bëjnë vërtet të ndihemi krenarë.

Por jo më pak, ashtu siç pritej, edhe vlerësimet dhe raportimet e agjencive të huaja, të cilat na kanë bërë të gjendemi në qendër të vëmendjes botërore, në një dimension që mbart një konotacion tejet pozitiv. Masat e marra, bashkëpunimi institucional, korrektësia, përpjekja për perfeksion dhe si në çdo rast, “mikpritja shqiptare”, u shfaqën këtë radhë si rrallëherë të kombinuara më së miri me njëra-tjetrën.

“Mikpritja!”. Një sinonim për shqiptarët në kohë të vjetra e të reja. Le të ndalemi pak këtu e të bëjmë një krahasim, për të cilin ndoshta këto ditë nuk do t’i kishte shkuar ndërmend askujt, por që në një mënyrë shumë simbolike, na bën të mendojmë se çfarë ishim në gjendje të “prodhonim” dikur, dhe se çfarë jemi në gjendje të “prodhojmë” sot si popull, duke përdorur në fakt paradoksalisht të njëjtin “tipar themelor të shqiptarit”, i cili dikur, në diktaturë, thjesht shpërdorohej, shfrytëzohej, abuzohej. Vijojmë të flasim për mikpritjen. Gjithë ajo masë njerëzore që sfidonin dje edhe shiun e rrebeshin, që ishin derdhur në rrugë e sheshe, plot besim e entuziazëm, përcillnin vërtet një atmosferë mbresëlënëse.

vizitat e medha historike (2)Por dikur, po ky popull, apo paraardhësit tanë të një apo dy brezave më parë, prisnin e duartrokisnin edhe diktatorë e kampionë të luftës, armiq të paqes e projektues planesh ogurzeza, që e shndërronin këtë vend në një pikënisje raketash për të shkatërruar vendet fqinje e kështjellat e civilizimit europian, sikurse kërcënon sot edhe ISIS, për shembull. Analogjia do të ishte sigurisht çmenduri, por përputhet paradoksalisht në disa pika, duke na bërë të mendojmë se mikpritja shqiptare, duhet menaxhuar e rezervuar vërtet për miqtë, miqësinë dhe paqen, e jo për të na nxirë faqen e na izoluar nga bota e civilizuar, sikurse ndodhte dikur.

Duke u marrë prej një kohe të gjatë me raportimet mediatike perëndimore për Shqipërinë moniste, më tërhoqi vëmendjen një artikull i gazetës gjermane “Die Zeit”, në vitin 1959 (shih: Chruschtschow in Albanien – Der große Mann in einem kleinen, armen Lande, Die Zeit. 29 Maj 1959, fq. 2, nr. 22), e cila u referohej objektivave të vizitës së ish-kreut të Kremlinit (e para dhe e vetmja deri më tani në mbarë historinë tonë), duke përcjellë me shifra, citate e fakte konkrete, frikën e motivuar që Perëndimi tashmë duhet të kishte nga një vend i vogël e kokëshkretë si Shqipëria, i marrë peng në atë kohë nga Moska dhe që u nënshtrohej eksperimenteve shumë të rrezikshme të një kaste pushtetarësh aventurierë. Tashmë, për shumëkënd, besoj se lidhja bëhet më e kuptueshme.

Në fakt, rezulton si një nga ngjarjet me përcjelljen më të madhe mediatike përgjatë gjithë historisë së monizmit në Shqipëri. Dhe historia përsëritet. Mund të merret si etalon i vërtetë, për të krahasuar dy kohë, dy epoka, dy mentalitete. Sot po përjetojmë sërish të njëjtën gjë. Një kulm të raportimit mediatik për vendin tonë, për epokën ku jetojmë.

Nikita Hrushov zhvillonte në Shqipëri në maj 1959, pak para se marrëdhëniet partiake, diplomatike e shtetërore mes dy vendeve të merrnin tatëpjetën, një vizitë të cilësuar paradoksalisht, sikurse edhe sot, “historike”. Asaj i paraprinë plot artikuj e analiza, të cilat rrekeshin të zgjidhnin atë që papritur dukej të ishte thuajse një “rrufe në qiell të pastër” në qiellin e politikëbërjes botërore, e të zbulonin pikëpyetjet e objektivat e një ndërmarrjeje të tillë të mbushur plot butafori e propagandë.

Duke lexuar ndër rreshta, të bën përshtypje sidomos një paragraf që “Die Zeit” e merrte nga një e përditshme romane, e që shprehte në një mënyrë më të përmbledhur edhe misionin e mbrapshtë të vizitës së “mikut” të shqiptarëve, Hrushovit, e shumë më tepër qorrsokakun ku kishte hyrë tashmë Shqipëria, e cila ishte shndërruar potencialisht në një armik shumë serioz e kërbaç moskovit për të goditur fqinjët e vet me vokacion perëndimor, apo vetë paqen botërore. Diku aty theksohet se: “Shqipëria është një pistoletë e drejtuar në zemër të Italisë”. Më tej ka plot informacione e hamendësime, shumë prej të cilave kanë qenë të ditura e disa të tjera ndoshta na shfaqen për herë të parë.

Por ajo që ka më shumë rëndësi, është se Shqipëria tashmë i ka hyrë më në fund rrugës së duhur, që na siguron paqen, duke na promovuar si promotorë të saj, e duke na shfaqur ashtu siç jemi e duam të jemi. Mikpritja jonë më në fund, po e merr shpërblimin e merituar, e bota po e njeh shqiptarin e vërtetë, vlerat që ai mbart, të shpërfaqura lirisht, pa u masakruar e abuzuar nga elita e “miq” të rremë.



* * *

Hrushovi në Shqipëri – Njeriu i madh në një vend të vogël e të varfër

Vizitës së papritur të Hrushovit në Shqipëri, deri më tani nuk është mundur t’i jepet dot asnjë shpjegim. Fakt është se ai po zhytet sërish në një sfond të errët ballkanik: satelitët ballkanikë të Moskës e kanë vënë tashmë Greqinë e Italinë në një zjarr artilerik propagandistik. E sigurt është se Beogradi megjithatë, e ka pritur me shumë mosbesim fluturimin e shefit të Kremlinit, me gjithë telegramin që ky i fundit i dërgoi plot urime Titos. Grotewohl ndodhet ndërkohë në Tiranë dhe pritet që atij t’i bashkohen edhe kryeministrat e Rumanisë e të Bullgarisë. Raporti ynë na tregon se si është pritur e komentuar kjo vizitë në Romë.

A.d.F., Romë, fundmaji 1959

Udhëtimi që Nikita Hrushovi ka ndërmarrë në Shqipëri, në vendin më të vogël satelit sovjetik, ka shkaktuar jo pak shqetësim në Italinë fqinje. Dymbëdhjetë ditë do të qëndrojë ai atje. E kështu që lind vetvetiu pyetja: Cili është qëllimi i kësaj vizite kaq të gjatë të shefit të Kremlinit në një vend, ku diktatori i saj i kuq, Enver Hoxha, s’është veçse një Ulbricht në miniaturë dhe që nuk tregon asgjë tjetër veç ndërtimit të platformave të reja ushtarake me paratë e sovjetikëve, të vendosura gjithashtu nën komandën e oficerëve sovjetikë?

Demonstrim force në Mesdhe

Hrushovi dëshiron, e kjo në Romë është edhe pikëpamja mbizotëruese, që ndoshta të mos ushtrojë vetëm presion mbi Titon plotësisht autonom, duke i rrahuar fort krahët pushtetmbajtësit më të bindur ndaj Moskës në rajon, por edhe t’i demonstrojë Perëndimit fuqinë sovjetike në Mesdhe – dhe këtë ta bëjë sidomos me Shqipërinë, e cila ndodhet vetëm 150 kilometra larg brigjeve italiane në Ngushticën e Otrantos. “Shqipëria është”, thekson gazeta romane, proqeveritare, “një pistoletë e drejtuar në zemër të Italisë”.

“Në vitet e fundit në fakt, vendi malor e i egër i shqiptarëve” është bërë një kështjellë e vërtetë, që mund të përbënte tashmë një bazë të mirë e solide për operacione ofensive drejt Veriut (Jugosllavisë), sikurse edhe ndaj Jugut (Greqisë) dhe Perëndimit (Italisë dhe bazës së saj të NATO-s në Napoli). Dhe sigurisht se, sipas informacioneve që vijnë nga Roma, rreziku shqiptar ka dy aspekte. I pari: nëndetëset sovjetike të Flotës së Detit të Zi, që do të strehohen pjesërisht në bunkerët e Gjirit të Vlorës. E dyta: raketat sovjetike të vendosura në territorin shqiptar.

Misioni ushtarak sovjetik në Shqipëri përfshin të paktën 3000 teknikë e oficerë. Ata jetojnë me të vërtetë nën kushte shumë të mira me familjet e tyre në vileta druri, që janë parafabrikuar në Rusi. Ata lëvizin shumë rrallë nga territori i bazave ushtarake ku jetojnë e punojnë, territor në të cilin civilëve shqiptarë u është ndaluar rreptësisht hyrja. Nevojat e këtyre kolonive ruse, në krahasim me varfërinë e madhe të vendit, mbulohen me mallra që vijnë direkt nga BRSS-ja. Një anije me 16 000 tonë furnizime, udhëton rregullisht në itinerarin nga Novorosijski kaukazian në Shqipëri dhe sjell – siç thonë komunistët shqiptarë – “dhuratat që populli sovjetik ua dërgon me shumë përzemërsi popullit shqiptar”.

Dy bunkerët e nëndetëseve në ishullin e Sazanit, që kontrollojnë Gjirin e Vlorës, mund të strehojnë më shumë se 150 nëndetëse. Edhe Porti i Vlorës tashmë teknikisht është në gjendje që të sigurojë furnizimin e njësive të komanduara të Flotës Luftarake të Kuqe në Mesdhe. Se sa aeroporte ushtarake ekzistojnë në Shqipëri, kjo është akoma e panjohur. Ndërkohë, një avion ushtarak britanik që gabimisht shkeli në hapësirën ajrore shqiptare, thuhet se është detyruar të bëjë ulje të detyrueshme, pas paralajmërimit të shqiptarëve. A mos vallë atje pra, mund të jenë stacionuar avionë reaktivë sovjetikë?

Sepse me këto armë të reja ofensive konvencionale, siç thamë, janë pajisur së fundmi bateritë raketore sovjetike. Para një viti e gjysmë, në ngushticën mes Vlorës e Kepit të Linguettas, u ndërtuan tri baza të mëdha për raketa me rreze të mesme veprimi. Prej këtej, personeli shqiptar i trajnuar në Moskë, vihet nën urdhrat e misionit ushtarak sovjetik. Me një popullsi prej vetëm një milion banorësh, Shqipëria ka vënë 50 000 burra nën armë.

Në fillim, tri bazat ishin pajisur me raketa të tipit “Comet 2”, që kapin një rreze të mesme veprimi prej 1000 kilometrash. Para pak kohësh, megjithatë mbërriti edhe një parti furnizimesh me raketa të telekomanduara të tipit “Golem 5”, që janë të krahasueshme me raketat amerikane të tipit “Polaris”. Raketat janë çmontuar në pjesë, janë transportuar drejt Shqipërisë dhe atje janë montuar sërish në një uzinë ushtarake të nëndheshme. Çdo bazë e përmendur këtu, posedon në vetvete gjashtë baza lëshimi, në mënyrë që të nisen 18 raketa njëkohësisht. Në këtë mënyrë, mund të arrihej madje edhe qendra industriale e Veriut të Italisë, me distancë prej 900 kilometrash, sikurse edhe Roma dhe gjithashtu edhe baza e NATO-s në Napoli, 420 kilometra larg.

Nën dritën e këtyre fakteve, po ngre krye protesta që qeveria shqiptare e nënshkroi si masë kundër “paktit raketor amerikano-italian” që u arrit gjatë Pashkëve, si një kryevepër e hipokrizisë.

Baza për lëshim raketash

Qysh nga fillimi i vitit – po sipas informacioneve që na vijnë nga Roma – një zonë e dytë rreth qytetit port të Durrësit, është shpronësuar për qëllime ushtarake. Me ç’duket, edhe atje do të ndërtohen baza për lëshim raketor. Thuhet se do të vendosen raketa sovjetike të tipit T-4, me një rreze veprimi prej 1700 kilometrash. Këto mund të arrinin madje edhe Jugun e Gjermanisë.

“Hrushovi me siguri se nuk po shkon si turist në Shqipëri”, shkruan “Messaggero”. “Atje nuk ka as vepra arti e as objekte historike për të parë? Do të vizitojë përmendore e lapidarë? Qëndrimi i tij mund t’i shërbejë vetëm inspektimit të platformave ushtarake. Është mënyra tipike ruse që, në të njëjtën kohë kur gjatë bisedimeve diplomatike shfaq një fytyrë të qeshur –mundësisht edhe nga larg – të tregojë nga ana tjetër, edhe grushtin e mbledhur kërcënueshëm.”

“Die Zeit”, 29 maj 1959
(Shqip)
Shtuar më 22/09/2014, ora 13:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori