Trashëgimia Pangallos dhe qëndrimi i sotëm i Greqisë ndaj Çamërisë
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
ENVER KUSHI

Historia dhe Cameria (1) Historia dhe Cameria (2) Historia dhe Cameria (3)

Historia dhe Cameria (4) Historia dhe Cameria (5) Historia dhe Cameria (6)

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-greke në këto 102 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe 101 vite pas aneksimit të Çamërisë nga Greqia, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës, është karakterizuar nga stinë me ngrica, për të mos thënë të akullta. Përtej deklaratave të kahershme, apo të sotme të bëra nga politikanë grekë për “miqësi me Shqipërinë dhe shqiptarët”, si dhe dëshirës së mirë të shqiptarëve dhe të opinionit të shëndoshë grek që këto marrëdhënie me të vërtetë të ishin normale, ato asnjëherë nuk kanë qenë të tilla.

Që nga rënia e Janinës në mars të vitit 1913 dhe më pas, për të arritur në momentin më tragjik të viteve 1944-1945 gjatë të cilës u shënuan vrasje, dëbim me dhunë i popullsisë çame nga trojet e veta e deri në ditët tona, për fat të keq nuk kemi nga politika greke as pranim të krimit dhe as katarsis, nëse do të përdornim një term, që lidhet me tragjedianët grekë të lashtësisë dhe gjëmën e Trojës. Shqiptarët dhe grekët, si popujt më të lashtë të gadishullit të trazuar ballkanik, po të perifrazonin shkrimtarin e madh Ismail Kadare, kanë shekuj që jetojnë në fqinjësi dhe do të kenë shekuj të tjerë fqinjësie përpara. Prandaj, mendoj se e ardhmja e kësaj fqinjësie dhe besimi reciprok, duhet të lënë pas ankthet e së shkuarës, stinët me ngrica dhe t’u rikthehen qëndrimeve realiste dhe një fryme tjetër, që nuk kanë munguar në të shkuarën jo shumë të largët në politikën greke.

Në këtë kuadër, ia vlen t’i rikthehemi deklaratave të Kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, 14 shkurt të vitit 1926, jo vetëm thjesht si kuriozitet, por edhe për të pohuar se ka pasur edhe politikanë grekë që kanë dashur sinqerisht marrëdhënie normale me Shqipërinë dhe njohje të të drejtave të minoritetit shqiptar çam në Greqi. Koha jonë, e ardhmja e Ballkanit dhe veçmas marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe zgjidhja e çështjes çame, kanë nevojë për zëra realiste dhe deklarata e qëndrime që çuditërisht tingëllojnë aktuale edhe pas 88 viteve.

Padyshim përtej çdo entuziazmi fals, patetizmi folklorik (aq të pranishëm në këto 20 vite në manifestimet, intervistat, fjalimet publike të politikanëve çamë), kemi nevojë për një analizë më gjakftohtë dhe me këmbë në tokë. Të them të drejtën, kur në fillimvitin 2007, merresha me platformën për ekspozitën “Çamëria në rrjedhat e shekujve” dhe ndërkohë lexoja shtypin e viteve 1913-1945, isha shumë entuziast, kur për herë të parë lexova deklaratën e Teodoros Pangallos, si dhe të ministrit të Jashtëm, Rufos. Këto deklarata janë botuar në faqen e parë te “Gazeta e Korçës”, viti VIII i botimit, nr. 263, e shtunë, 27 shkurt 1926. Nën titullin “Deklarata të diktatorit grek mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke”, kemi shënimin me korsiv “Çamëvet ju njihen tërë të drejtat si minoritet”:

- Në Shqipëri të Jugës nuk ka grekë përveç pak grekofonë. – Shpërndarja e klubeve Vorioepirotë. – Marrëdhëniet Ekonomike’ e më poshtë (Nga korispodenti ynë, posaçmë) botohet deklarata e Pangallosit, ndërsa ajo e ministrit të Jashtëm Rufos, me shënimin me korsiv: “Greqia caktoj një politikë të kthjelltë dhe definitive kundrejt Shqipërisë: – Kufit e sotmë midis të dy Shteteve i quan, pa nonjë rezervë, definitive, – Miqësia Shqipëtare veprë kombëtare për Greqinë”.

Para se të ndalemi në përmbajtjen e deklaratave, shtrohet pyetja: Në ç’rrethana historike janë bërë këto deklarata dhe a ndikuan ato jo vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, por veçmas në përmirësimin e gjendjes së minoritetit shqiptar çam në Greqi dhe ndalimin e shpërnguljes së çamëve për në Turqi?

Situata në Çamëri në periudhën, kur në krye të qeverisë greke erdhi Pangallos, ishte nga më dramatiket. Mendoj se janë dy momente që duhen nënvizuar:

Së pari, Ligji i shpronësimit i vitit 1911 hyri në fuqi para vitit 1923 dhe kjo nuk ishte e rastit. “Ky ligj nuk ishte gjë tjetër veçse një grabitje zyrtare dhe ishte i mjaftë për t’i lënë shqiptarët pa bukë dhe t’i shtrëngonte të largoheshin nga Çamëria”, konkludon me të drejtë Hajredin Isufi (Shih “Çamëria, studime historike – sociologjike shek XIII – XX, Tiranë 2006, f. 116- 117).

Së dyti, që nga 30 janari i vitit 1923, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Lozanës mes Greqisë dhe Turqisë dhe deri në fund të vitit 1925, popullsia çame kishte pësuar mbi kurrizin e saj atë që Ali Dino, ish-deputet i Prevezës në Athinë, në një letër që i drejtonte gjeneralit De Lara, kryetar i Komisionit Miks për këmbimin e popullsisë greko-turke, do ta nënvizonte se: “…shqetësimi i bashkatdhetarëve të mi po kalon në ankth për arsye të disa masave të marra ndaj tyre nga qeveria greke, masa shumë të rënda në kundërshtim me Konventën e Lozanës…”. (Dokumente për Çamërinë” 1912 – 1939, Tiranë 1999, f. 158).

Po për këtë periudhë, historiani grek, Jorgos Margaritis, shkruan: “…Ndërmjet viteve 1923-1924, në zonë mbërritën disa mijëra emigrantë “të shkëmbyeshëm” nga Azia e Vogël, domethënë të dërguar atje nga shërbimet qeveritare greke, me qëllim intensifikimin e presionit ndaj çamëve për t’i detyruar të iknin… Kjo bashkëjetesë e ngushtë, detyruese me emigrantët ishte veçanërisht e dhimbshme për çamët…”. (Jorgo Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, Tiranë 2009, f. 119).

Bilanci është me të vërtetë i dhimbshëm. “Në periudhën 1913-1925, gjatë procesit të këmbimit të detyrueshëm, u përzunë me dhunë 60 mijë shqiptarë (40 mijë nga viset e Maqedonisë dhe 20 mijë nga krahina e Epirit”, citon Mehdi Frashërin, përfaqësuesin e Shqipërisë në sesionin e 50–të të Këshillit të Shoqërisë së Kombeve. Në librin e tij “Tragjedia Çame” prof. dr. Beqir Meta. (Beqir Meta, “Tragjedia Çame”, Tiranë 2007, f. 42).

Shumë banorë të Çamërisë braktisën shtëpitë e tyre për të shpëtuar kokën. “Kështu Gardhiqi, nga 400 shtëpi, që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80, Dragomia nga 160 në 18, Karbunari nga 300 në 120, Parga nga 300 në 40, ndërsa në Petrovicë, Shëndëlli etj., nuk mbeti asnjë”. (Hasan Minga, “Çamëria, vështrim historik”, Tiranë 2006, f. 34).

Në këtë situatë dramatike, vjen deklarata e Kryeministrit grek mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe minoritetin shqiptar çam, e shkurtit të vitit 1926.

Po të lexosh informatat e ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë, Mid’hat Frashëri, veçanërisht ato të gjysmës së dytë të vitit 1925, ndien se po fryn një erë e re në marrëdhëniet shqiptaro-greke, me gjithë vazhdimin e gjendjes së njëjtë të çamëve në Epir.

Kështu, më datën 17 tetor 1925, Mid’hat Frashëri, për takimin me Kryeministrin Pangallo, mes të tjerash, ai e informon Tiranën: “U përgjigj (Pangallo – shënimi im) se dëshiron edhe ai fort shumë që të jemi miq dhe prandaj ka dhënë urdhër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të kërkohetë nga Shqipëria agrement për Gjeneral Kondilin, si Ministrë: Shtoj se Kondilin e ka mik personal dhe se është shovinist shqipëtar”. (Mid’hat Frashëri Ministër Fuqiplotë. Athinë (1923- 1926), Çështja çame” Luan Malltezi, Sherif Delvina. Tiranë 2013, f. 299). Gjithashtu, më datë 5 nëntor 1925, Mid’hat Frashëri i shkruan Tiranës se: “Këtu kam folur tri herë me z. Pangallos për çamët: më ka dhënë fjalë të jap urdhrë në Janinë, se edhe vetë e njohu që faji u bë në fillim duke pandehurë turq çamët. Më premtoj që sjelljet e autoriteteve helenike do të ndreqenë. (Po aty, f. 317- 318).

Po kush është Teodoros Pangallos? Në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, jepen këto të dhëna për të: “Personalitet politik dhe ushtarak i shtetit grek. Lindi në Salaminë (Greqi), në një familje arvanitase. Kreu shkollën e oficerëve dhe vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake në Paris(1914).

Me 1918 u gradua gjeneral. Ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke, Ministër i Mbrojtjes (1922) dhe President i Greqisë (1926-1930). Ndoqi politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së tij u shpreh kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria dhe e konsideroi trajtimin e tyre në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar si faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve normale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ka pohuar me krenari në raste të ndryshme origjinën e tij shqiptare dhe ka vlerësuar meritat e arvanitasve në historinë e Greqisë”. (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, f. 1924- 1925).

Cilat janë idetë e deklaratës së Pangallosit të shkurtit 1926?

Së pari, përmirësimi rrënjësor i marrëdhënieve me Shqipërinë fqinje, duke hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj saj. Ai e sheh Shqipërinë si një vend mik dhe i duhen lënë së kaluarës mosmarrëveshjet. “Sa për Shqipërinë”, – deklaron ai, – “me të cilën veçanërisht na bashkojnë lidhje origjine, gjaku, luftërash të përbashkëta, marrëdhëniet tona gjenden në pozitë shumë të kënaqshme dhe për dita po zhvillohen më mirë… . Kujdesi im ka qenë, që kurse mora në dorë fuqinë, të bëj sa më tepër të ngushta lidhjet që na bashkojnë dhe për këtë qëllim nuk kurseva asgjë. Është e vërtetë nga ana tjetër, dhe kudo ngjan, që midis shteteve kufitare të mos kënaqen plotësisht pretendimet e të dy palëve, kështu që një pjesë e popullit të shtetit tjetër të mbetet brenda kufijve të tjetrit dhe anasjelltas, duke u konsideruar si minoritet. Por kjo nuk duhet të formojë ndarje dhe nuk duhet të bëhet shkak për grindje midis dy popujve vëllezër, por përkundrazi të bëhet ura e bashkimit midis tyre”.

Së dyti, për herë të parë shteti grek njohu ekzistencën e minoritetit shqiptar çam në Epir, si dhe garantoi të drejtat themelore të tij.

Pangallos deklaron: “Kemi në Epir, disa mijë çamër, të cilët i njohmë tani si minoritet shqiptar në shtetin tonë. Në qoftë se në kohën e shkuar u bënë disa të papëlqyera mi kuris të tyre nga an’ e organëve të shtetit, kjo nukë formon direktiv politik të qeverisë greke karshi atyre. Përkundrazi, qeveria inspirohet nga dispozita më të mira karshi atyre dhe ka vendosur të ndëshkojë pa mëshirë çdo veprim të keq mi kuris të minoritetit nga an’ e disa kokëndezurve të papërgjegjshëm dhe do të zbatojë plotësisht të gjitha obligimet që ka marrë përsipër në favor të minoriteteve në Maqedhoni dhe Epir, obligata që rjedhin prej traktateve ndërkombëtare”.

Së treti, Pangallos bëri një dallim dhe diferencim të qartë mes minoritetit grek në Shqipëri dhe ortodoksëve shqiptarë. Ai nuk i quan këta të fundit, grekë apo minoritet grek në Shqipëri. “Kur thom pakicë greke në Shqipëri”, – deklaron Pangallos, – “kujtoj dhe kam ndërmend vetëm Grekofonët të Shqipërisë Jugës dhe aspak orthodoksë shqiptarë, të cilët si shqiptarë nga raca, gjuha e kombësia janë zot shtëpie. Jam kundra asaj theorie të gabuar të disave këtu që çdo Orthodoks e quajnë grek”.

Së katërti, ai deklaroi shpërndarjen e klubeve vorio-epirote “të cilat ishin bërë baza e këtij mentaliteti. Këto klube nukë kishin më arësye eksistimi. Do ta aplikoj masën e shpërndarjes dhe për organizata të tjera të tilla po të gjykohen si pengim në zbatimin e politikës së përjashtme të caktuar prej qeverisë”.

Në fund të kësaj deklarate, Kryeministri Pangallo, edhe një herë hapur dhe qartë, thekson rëndësinë që i kushton qeveria që ai drejtonte, marrëdhënieve të sinqerta me Shqipërinë fqinje: “Duam të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie dhe miqësie dhe po bëjmë një politikë të hapur dhe jo të mbuluar; shpresojmë se qëndrimi ynë do të çmohet prej gjithë shqiptarëvet…. Kështu të bashkuar të dy popujt vëllezër në dashuri e në solidaritet do të ecin në të pritmen për në misionin e tyre…”

Deklarata e mësipërme e Pangallosit është bërë më 14 shkurt 1926. Po në këtë datë është dhënë edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Lukas Kanakaris Rufos, i cili mes të tjerash thekson: “Çështjes së Çamërisë ju dha fund definitive, amnisti për të gjithë çamët të dënuar ose të pandehur dhe të kthyerit e t’internuarve në shtëpitë e tyre; gjuha shqipe do të vihet në disa shkolla të Greqisë; klubet vorioepirote në tërë Greqinë u shpërndanë dhe arkivat e tyre ju dorëzuan prefektëve… . Pa asnjë rezervë dhe prapamendim i quajmë kufijtë e sotmë midis Greqisë e Shqipërisë si kufi definitive. Greqia e njeh dhe e respekton tërësinë tokësore dhe independencën të Shqipërisë pa rezerv녔. Historiani Hajredin Isufi shkruan: “Por kjo erë e ngrohtë në marrëdhëniet greko-shqiptare, nuk zgjati shumë. Rrëzimi i Pangallosit, në verën e viti 1926, e prishi klimën e re të tyre”. (Hajredin Isufi, “Çamëria studime historike-sociologjike, shek. XIII- XX, Tiranë 2006, f. 119).

Pas këtij momenti të marrëdhënieve të ngrohta dhe miqësore ndërmjet dy shteteve fqinje, për Çamërinë do të vinin ditë tmerri dhe do të zbatoheshin metodat nga më barbaret për zhbërjen e saj, që arritën në epilogun tragjik të viteve 1944-1945. Deklarata e Pangallos duhet vlerësuar si e para dhe e fundit e një politikani grek për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona fqinje, si dhe dëshmoi një qëndrim realist ndaj minoritetit shqiptar çam në Greqi. Ajo është bërë publike në shtypin shqiptar e grek, duke shënuar një qëndrim të mençur të një politikani me vizion të qartë, që edhe sot tingëllon aktuale.

Edhe pas 88 viteve nga deklarata e Kryeministrit grek, Teodoros Pangallos, ka vend për reflektim nga politika dhe politikanët e shtetit fqinj.

Kush qe Teodoros Pangallos?
…Ndoqi politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së tij u shpreh kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria dhe e konsideroi trajtimin e tyre në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar si faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve normale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë…

Enciklopedia Shqiptare
“Duam të japim prova të gjalla kundrejt motrës së vogël, Shqipërisë, që ushqejmë ndjenjat më të sinqerta, ndjenja dashurie dhe miqësie dhe po bëjmë një politikë të hapur dhe jo të mbuluar; shpresojmë se qëndrimi ynë do të çmohet prej gjithë shqiptarëvet…

Teodoros Pangallos
“Në periudhën 1913-1925, gjatë procesit të këmbimit të detyrueshëm, u përzunë me dhunë 60 mijë shqiptarë (40 mijë nga viset e Maqedonisë dhe 20 mijë nga krahina e Epirit”
Mehdi Frashëri
(Shqip)
Shtuar më 22/02/2014, ora 15:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 

"Lumturi dhe krenari, mes arbëreshevë që ruajtën gjuhën dhe kulturën për më shumë se 5 shekuj dhe me fëmijë Të mrekulluëshëm!" {Lorik Cana}