Interi rinovon me kapitenin dhe “piketon” zëvendësuesin

Pandemia e Coronavirusit ka ndalur futbollin e luajtur, por jo merkaton e futbollistëve. Në këtë këndvështrim, Interi po sheh perspektivën. Teksa janë shtuar zërat për një largim të mundshëm të Lautaro Martinezit drejt Barcelonës (ziklatrit kërkojnë Vidalin, duke ulur çmimin e argjentinasit), Marotta po punon shumë në frontin e blerjeve dhe rinovimeve.

Tek Interi e konsiderojnë shumë të rëndësishme zgjatjen e bashkëpunimit me portierin slloven, Samir Handanovic, kapitenin e zikaltërve, liderin e grupit të Antonio Contes, pozicioni i të cilit konsiderohet thelbësor jo vetëm teknikisht (mungesa e tij për shkak të një dëmtimi në dorë u ndje shumë).

35-vjeçari është i gatshëm të zgjasë kontratën deri në vitin 2022, duke u lidhur në njëfarë mënyrë përjetë me klubin zikaltër.

Sidoqoftë, çështja e zëvendësit të tij mbetet për t’u zgjidhur. Interi synon “të mbrojë veten” duke rikthyer rumunin Radu e duke i besuar atij rolin e portierit të dytë. Por, siç raporton sot “Gazzetta dello Sport”, trashëgimtarin e Handanovicit Interi e ka gjetur në shtëpinë e Udineses (siç ndodhi vite më parë me vetë Handanovicin).

Ideja e drejtuesve ziklatër është të prenotojnë Juan Musson, i vlerësuar 30 milionë euro nga friulanët, por duke e lënë edhe një vit tjetër tek kjo skuadër, për të fituar më shumë përvojë.


Shtuar 17.03.2020 10:36