Si po e ndryshon Italia jetën e princave të mafies
Pëlqej
Fillimisht Italia i luftoi anëtarët e mafies duke i konfiskuar pasurinë. Tani gjykatësit po u marrin mafiozëve diçka edhe më të shtrenjtë, djemtë.

Rikardo Kordi (Riccardo Cordi), një 18-vjeçar i ndrojtur që i përket njërës prej familjeve më famëkeqe në Itali, është një pionier në strategjinë e re të luftës ndaj mafies, asaj të largimit të djemve të klaneve të krimit nga shtëpitë dhe familjet e tyre.

Rikardo është i pari prej 20 djemve të larguar nga mafia në një lloj qendre rehabilitimi nga gjykata për të mitur në rajonin jugor të Kalabrisë, shtëpi e organizatës së rrezikshme Ndrageta.

Në moshën 16-vjeçare, Rikardo dukej se kishte fatin e përcaktuar që të ndiqte rrugën e të atit, një bos me reputacion, që u vra në një luftë të ashpër bandash, dhe në rrugën e tre vëllezërve më të mëdhenj që janë në burg të dënuar për krime mafioze.

Fotot e tyre janë rreshtuar në shtëpinë-kështjellë Kordi në Kalabri, të vizituar nga “Associated Press” në një dëshmi për sundimin e gjakut në Ndrageta.

Por kur Rikardo u akuzua për vjedhje në tentativë dhe dëmtim të një makine policie, gjykatësi Roberto di Bela i shtoi dënimit edhe një urdhër tjetër: princi i Ndragetas duhej të largohej nga familja deri sa të mbushë 18 vjeç.

Ndrageta, një organizatë kriminale me qendër në Kalabri, u bë sindikata më e fuqishme e krimit në Itali në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Ajo operon e pavarur nga mafia siciliane dhe zotëron tregun më të madh të kokainës në botë. Fitimet e saj përbëjnë tre për qind të GDP-së së Italisë. Aktualisht, Ndrageta është organizata më e fuqishme e krimit në botë. Arrin rreth 53 miliardë euro të ardhura në vit.

Di Bela i kishte çuar në burg tre vëllezërit e Rikardos dhe donte t’ia kursente atij një fat të ngjashëm. Ai përdori masën ligjore që i lejon gjykatës të urdhërojë largimin e minorenëve nga familja e papërgjegjshme.

Nëna e Rikardos vloi përbrenda, por nuk mundi të bëjë asgjë.

“Edhe nëse nuk të pëlqen, do ta largojmë gjithsesi”, i tha ai, asaj.

Rikardo u dërgua në një ndërtesë në Sicili, ku futeshin të rinjtë trazovaçë, vend ku askujt nuk i interesonte që ai ishte një Krodi. Ligjet ishin të ashpra dhe nuk përfshiheshin largimet gjatë natës. Kushdo rregullonte shtratin e tij dhe ulej për të ngrënë vaktet në tavolinën e përbashkët.

“Ishte e vështirë. Po numëroja ditët”, thotë Rikardo në intervistën për AP. Gjykatësi e la Rikardon nën kujdesin e një psikologu, Enriko Interdonato. Psikologu kishte ndihmuar në fillimin e një nisme që inkurajonte pronarët e bizneseve në Sicili të mos paguanin për “mbrojtje” te mafia.

Ishte një grupim i guximshëm, pasi Krodit, si klan kriminal, ofronin edhe vetë të njëjtin ‘shërbim’. Ky mentor i pazakontë e ndihmoi Rikardon të kuptojë koston e tmerrshme njerëzore të krimit të organizuar, duke e marrë atë me vete në mënyrë anonime në ceremonitë e viktimave të mafies.

Ndërsa psikologu ishte zëvendësues i vëllezërve, një pronar kompanie ndërtimi, u bë praktikisht babai i dytë i Rikardos. Mariano Nikotra i tha atij se çfarë i ndodhi kur nuk pranoi të paguante për mbrojtje: makina iu dogj dhe vajza iu izolua. Nikotra largoi edhe qenin e familjes, sepse kërcënimet e mafies ia kthyen shëtitjet në të rrezikshme.

Nikotra pa te Rikardo atë që familjarët e tij nuk mund të shihnin, që ai ishte një fëmijë normal.

Dalëngadalë Rikardo filloi të ndryshojë. Dy herë në javë, ndihmonte në një qendër jashtëshkollore për fëmijët e familjeve të divorcuara, pa asgjë në këmbim, një koncept i panjohur për Ndragetën.

Ai vinte me dëshirë, kujton një mbikëqyrës. Një ditë, ai befasoi këdo duke imituar një pulë që t’i bënte fëmijët të qeshnin. Largimi i Rikardos nga shtëpia, nuk ishte gjithnjë një eksperiencë e vështirë. Të shtunave mbrëma, Interdanto e nxirrte Rikardon për pica dhe birra, madje edhe në disko. Atje ai fitonte respekt për personalitetin dhe jo për emrin që kishte.

Disa javë përpara se të largohej, Rikardo u rebelua. Ai mblodhi plaçkat. Donte të ikte, por e ëma e bindi të qëndronte.

Në ditëlindjen e tij të 18, më 8 shkurt 2014, largimi i Rikardos nga familja përfundoi. Pasi qendra jashtëshkollore i festoi ditëlindjen me një tortë me luleshtrydhe, ai u kthye në shtëpi, në Locri.

Në një letër për “Corriere della Sera” në maj, Rikardo e bëri të qartë se ai nuk e hidhte poshtë familjen. Por shkroi se donte një jetë të pastër. Ai rikujtoi një mëngjes, kur ishte në qendrën e rehabilitimit, se kishte shkuar buzë detit, nga ku mund të shihte Kalabrinë.

“Këtë herë, gjithsesi, e pashë nga një perspektivë tjetër. Po e shihja nga një vend tjetër”, tha ai. “Por isha unë ai që ishte tjetërsuar.” (Shqip)
Shtuar më 30/09/2014, ora 12:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori