Shpëtimi i avionit të rrallë nga fundi i detit
Një avion i Luftës së Dytë Botërore, shumë i famshëm, ka humbur. Asnjë i tillë nuk i mbijetoi luftës për të qëndruar në muze. Por më në fund, një pothuajse i plotë gjendet në fund të detit ku pritet të rikuperohet…
Dornier 17”

Nick Higham, BBC



Puna filloi javën e kaluar për të ngritur një avion unik të Luftës së Dytë Botërore nga fundi i detit pranë Kanalit të Anglisë, në bregdetin e Kendit. “Dornier 17” ishte i fundit i këtij lloji dhe gjendet 15 metra nën det. Shpëtimi është vetëm fillimi i një pune dyvjeçare restaurimi nga ana e muzeut të Forcave Ajrore Mbretërore RAF në Hendon.

Është vera e vitit 1940 dhe Britania gjendet e vetme në Europë përballë suksesit ushtarak të pandalshëm të Gjermanisë. Për shumë javë, avionët gjermanë, valë pas vale kapërcyen kanalin drejt brigjeve angleze me urdhrin për të shkatërruar forcat ajrore britanike dhe për t’i hapur rrugë invazionit nazist.

Dornier 17” është një nga avionët e flotës bombarduese gjermane, në atë që më vonë Kryeministri Winston Churcill e quajti Beteja e Britanisë.

Fillimisht i konceptuar si një avion zbulues i shpejtë, i lehtë dhe i manovrueshëm, ai ishte konvertuar prej “Luftvafe” nga mesi i viteve 1930 në një bombardues të mesëm.

Sot, Gerhard Krems është njeriu i fundit i gjallë që ka pilotuar një “Dornier”. Ai ishte një pilot i shumëdekoruar, që kreu 250 misione bombardimi mes viteve 1940 dhe 1944 – 39 prej të cilave në Betejën e Britanisë.

Shumicën e shërbimit e bëri me avionët “Heinkels”, por e filloi karrierën duke drejtuar “Dorniers”. “Pjesë e trajnimit për rikonjicion të largët ishte fluturimi në lartësi të ulët”, më tha ai, ndërsa ne shikonim fotografitë e tij nga koha e luftës në apartamentin e tij në Berlin.

“Dhe ‘Dornier 17’ ishte avioni më i mirë për fluturim në kuotë të ulët. Me të mund të fluturoje me të vërtetë shumë pranë tokës. Ky jam unë duke pilotuar një prej tyre. Mund ta shohësh se sa shumë poshtë jam. Majat e pemëve janë sipër meje.”

Ai mban mend se “Dornier” ishte një avion shumë i mirë.

“Të krijonte një përshtypje fantastike në krahasim me avionët e tjerë. Dukej disi i ndryshëm dhe vetëm më vonë unë e kuptova pse. Ishte i shkathët, shumë i hollë dhe elegant, me të vërtetë elegant. Por ti e kuptoje se sa elegant qe vetëm kur e shihje në qiell. Ai mori një nofkë shumë të përshtatshme menjëherë, u quajt ‘der fliegende bleistift’, lapsi fluturues.”

Lejtnanti i fluturimit, William Walker, qe një veteran tjetër i betejës, personi që rrëzoi një “Dornier 17”. Ai vdiq vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare.

Hera e parë që pa një “Dornier”, më tha ai, ishte kur sapo ishte bashkuar me skuadronin e tij dhe qe ende në stërvitje.

“Aty isha unë dhe një trajnues tjetër i udhëhequr nga një pilot operacional. Papritur morëm një mesazh në radio se kishte një bandit në zonë dhe se ne po mbikëqyreshim. Unë kisha drejtuar një ‘Spitfire’ për vetëm pesë orë. Gjithsesi ne e rrëzuam atë dhe unë e pashë se si ra në Detin e Veriut.”

Por më shumë se 70 vjet nga luftërat e mëdha ajrore që shpëtuan Britaninë, asnjë “Dornier 17” nuk pati mbijetuar. Ose kështu besohej. Pastaj, pesë vjet më parë, një zhytës zbuloi mbetjen e një avioni që gjendej në kurriz, rreth 15 metra nën det pranë zonës së quajtur Rëra Guduin. Vëzhgimet e më vona konfirmuan se bëhej fjalë për një “Dornier 17”, i cili gjendej pothuajse i plotë.

Muzeu i forcave ajrore vendosi ta shpëtojë atë dhe ta vendosë në ekspozim në bazën e saj në Hendon. Për ta bërë këtë, ata mblodhën gjysmë milioni paund, përfshirë 345 mijë të marra nga Fondi Kombëtar i Trashëgimisë Memoriale.

Chris Goss, një historian i avionëve ushtarakë, thotë se zbulimi është “fantastik për historinë”.

“Ky avion do të jetë i vetmi i këtij lloji në ekzistencë në botë. Ka copa të vogla – Muzeu i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) ka një seksion të bishtit. Por ky avion është i plotë dhe çmimi i tij nga pikëpamja historike është i pamat.”

Avioni në fjalë besohet se u rrëzua më 26 gusht 1940, i rrëzuar nga luftëtari i RAF me emrin Boulton-Paul Defiant.

Bombarduesi i goditur fluturoi në jug, duke humbur me shpejtësi fuqinë dhe lartësinë. Piloti u përpoq ta ulte avionin në ujë. Por kur maja e krahut të tij preku sipërfaqen, ai humbi kontrollin e avioni u zhyt me shpejtësi, duke rënë në fund të detit në kurriz. Piloti dhe vëzhguesi mbijetuan. Dy anëtarët e tjerë të ekuipazhit vdiqën.

Avioni, i cili kishte emrin e thirrjes Konrad-Ashton-Richard Pesë – u zhyt në fund të detit ku shpejt u mbulua nga rëra.

Filmimet nënujore të mbetjes tregojnë se ai është gjerësisht i padëmtuar. Disa pjesë kanë humbur – dyert e bombave, xhami i pikës së kontrollit, dyert e poshtme. Ndoshta këto qenë shkëputur gjatë uljes së detyruar. Por trupi i avionit, krahët, motorët dhe shtytësit janë ende aty. Aty gjenden edhe rrotat e uljes, bashkë me gomat me ajër.

Por Bob Peacock, zhytësi vendor dhe arkeolog marin, i cili e gjeti i pari avionin dhe kreu filmimet, thotë se avioni gjendet në kushte delikate. Ngritja dhe konservimi i tij nuk do të jetë i lehtë.

Te Muzeu Teknik i Gjermanisë në Berlin, ka një grup njerëzish që kanë eksperiencë të madhe në ngritjen e avionëve të Luftës së Dytë Botërore nga uji. Profesori Holder Steinle nga ky muze, më tregoi një seksion të bishtit prej alumini nga një Focke Wolf Condor. Ai ishte i padallueshëm, shumë i ngrënë nga deti, dhe mbahej bashkë vetëm nga kapëset e lidhura.

Edhe Dornier, thotë ai, ndërtoheshin me alumin, i cili gërryhet keq në ujë deti. Ai paralajmëron kolegët e tij në Britani të mos mbajnë pritshmëri të larta.

“Brenda 20 apo 30 vjetësh, mund të mos gjesh asgjë nga ai ‘Dornier’. Kështu që përpiquni. Por nuk duhet të jesh tepër optimist. Bëje, por mos fillo të ëndërrosh para kohe.”

Por dr. Mary Ryan nga Kolegji Imperial në Londër është më optimiste. Ajo është shkencëtarja e konsultuar nga Muzeu RAF për të gjetur një mënyrë për të ndaluar gërryerjen e avionit dhe për ta stabilizuar atë për një kohë të gjatë. Duke punuar me një fragment të vogël sakaq të nxjerrë nga deti, skuadra e saj ka gjetur se zhytja e saj në një përzierje me ujë të ëmbël dhe acid citrik – pra lëng limoni – pastron metalin dhe ndalon gërryerjen.

Kështu muzeu ka ndërtuar dy tunele në qendrën e saj të konservimit në Krosford dhe i ka pajisur me një sistem spërkatjeje. Për 18 muajt e ardhshëm, dy gjysmat e avionit, krahët dhe trupi – do të zhyten në acid citrik për 10 minuta çdo 30 minuta.

Por fillimisht ata duhet të nxjerrin avionin nga uji në një copë. Për ta bërë këtë, muzeu ka punësuar një kompani të shpëtimit detar, “Seatech”.

Ata kanë dizajnuar një kuadër special ose djep, të cilin do ta ndërtojnë përreth avionit nën ujë. Me zhytësit e aftë për të punuar vetëm 45 minuta katër herë në ditë në ujë relativisht të cekët – vetëm në kohën kur rrymat ndryshojnë dhe rrymat e forta të zonës ngadalësohen përkohësisht – atyre do t’u duhet deri në katër javë punë para se të fillojnë nxjerrjen.

Ata do ta ngrenë kuadrin me avionin brenda, do ta lënë në ujë në sipërfaqe dhe do ta tërheqin në breg, nga ku me transport rrugor do të dërgohet në Krosford për t’iu nënshtruar banjës së gjatë me lëng limoni.

Nëse çdo gjë shkon mirë, avioni do të jetë në ekspozim në Hendon pas dy vjetësh.



Ana tjetër

“Ne papritur morëm një mesazh, që në zonë gjendej një bandit – një ‘Dornier’”

Piloti i “Spitfire”, William Walker



Dornier Do-17 Z-2

Gjatësia e krahëve: 18 metra

Gjatësia: 15.8 metra

Ekuipazhi: Katër

Motorë: Dy Bramo “Fafnir” 323P

Ngarkesa maksimale me bomba: 1000 kg

Armët: Gjashtë mitraloza MG-15 me fishekë 7.92 milimetra



Beteja e Britanisë

Gjermania pushtoi Francën dhe ndau me Stalinin Poloninë para se të gjendej në vitin 1940 në luftë të deklaruar me Britaninë e Madhe, por jo në luftë faktike. Pastaj Hitleri vendosi ta dorëzojë Britaninë përmes një plani pushtimi, ku hapi i parë ishte shkatërrimi i forcave ajrore britanike dhe kontrollimi i ajrit, me qëllim që të mundësohej lufta detare dhe zbarkimi në tokën britanike. Mes 10 qershorit dhe 31 tetorit, aviacioni gjerman luftoi me aviacionin britanik përgjithësisht në ngushticën detare mes Francës dhe Anglisë, ku 1963 avionë britanikë u përplasën me 2550 avionë gjermanë. Britanikët humbën 1547 avionë dhe 544 njerëz, ndërsa Gjermanisë iu vranë 2698 njerëz dhe iu shkatërruan 1887 avionë. Beteja përfundoi me një fitore të pastër britanike. Gjermania hoqi dorë nga lufta detare dhe nga zbarkimi dhe pushtimi i ishujve britanikë, pasi nuk ishte në gjendje të kontrollonte ajrin. (Shqip)

Shtuar më 09/05/2013, ora 18:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori