Revolucionarë në fushë golfi
Si ndodhi që sporti borgjez u rikthye në Kubën komuniste?

The Economist

Pas revolucionit të vitit 1959, Fidel Castro e denoncoi golfin si një sport borgjez. Megjithëse ai një herë bëri një raund golfi me Çe Gevarën, komandanti parapëlqente që kubanezët e zakonshëm të merreshin me sporte më tokësore, të tilla si bejsbolli. Pavarësisht kërkesave nga vizitorët e huaj, asnjë fushë golfi nuk u ndërtua në Kubë që nga koha e revolucionit. Ishulli kishte vetëm një fushë disi shkatarraqe me nëntë vrima në Havana, si dhe një fushë të plotë në Varadero, një qytezë turistike.

Por së fundmi, qeveria u dha leje kompanive të ndërtojnë një resort të stërmadh golfi, duke i premtuar “një politikë krejtësisht të re për rritjen e pranisë së këtij sporti në Kubë”. Po si ndodhi që kjo dashuri e pavlerë e borgjezisë papritur është bërë sport i lejueshëm për revolucionarët?

Kuba është transformuar ngadalë për të pranuar modën e Perëndimit që më herët e pati nxjerrë të paligjshme për një arsye apo një tjetër. “Beatles” qenë ndaluar në kohën e tyre në Kubë; tashmë një statujë bronzi e John Lennon është ulur në një park në Havana. Një klub nate aty pranë e ka emrin “Submarino Amarillo” (nëndetësja e verdhë) dhe aty varen posterat e “Beatles”. Edhe ato pranë qeverisë kanë rënë në mëkatin e kënaqësive perëndimore: Antonio Castro, një nga djemtë e Fidelit, fitoi një turne golfi në ishull muajin e kaluar.

Por arsyeja kryesore për entuziazmin e papritur për të ndryshuar vjen si pasojë e domosdoshmërisë për të tërhequr më shumë turistë. Ishulli tërhoqi 2.8 milionë vizitorë vitin e kaluar, shumë më pak sesa 4.6 milionët që shkuan në Republikën Dominikane, fqinjin e Kubës që ka përmasa shumë më të vogla.

Kuba përballet me dizavantazhin që Amerika, e cila gjendet vetëm 170 kilometra më larg, e bën të vështirë për qytetarët e vet të shkojnë për pushime në ishull. Nëse kërkon për fluturime ajrore drejt Havanës nëpër faqet amerikane të internetit, do të dalësh i pafat, pavarësisht se sa shumë lodhesh duke kërkuar.

Tashmë politika e paqëndrueshme rajonale e ka bërë të domosdoshme për Kubën të rrisë të ardhurat nga Turizmi. Venezuela, petrodollarët e së cilës kanë ndihmuar ekonominë e Kubës për shumë vite, po zhytet në një krizë ekonomike. Presidenti i ri, Nicolas Maduro, ka premtuar besnikëri ndaj Castros, por është shumë më pak popullor në shtëpi sesa paraardhësi, Hugo Çavez. Ndërkohë, përpjekjet e kohëve të fundit për të gjetur naftë në ujërat e Kubës kanë dalë një zhgjëndërr.

Revolucioni për rrjedhim ka nevojë për lojtarë golfi. Klubi Carbonera me vlerë 350 milionë dollarë do të zhvillohet nga Esencia, një kompani britanike dhe është projekti i parë që do të fillojë të zbatohet. Një fushë tjetër do të përfundohet në fund të vitit. Një marinë detare me gjatësi 1300 metra, më e gjata në Karaibe, do të ndërtohet në Varadero. Dhe aeroportet e ishullit do të rindërtohen, me ndihmën e bankës për zhvillim të Brazilit.

Në të njëjtën kohë, qeveria ka sinjalizuar se shumë biznesmenë të huaj që janë dyshuar për korrupsion dhe të burgosur për më shumë se dy vjet, do të përballen së shpejti me gjyqin. Gjyqi i tyre do të fillojë këtë muaj dhe ndoshta ky do të jetë hapi i parë drejt lirimit të tyre. Politika e ishullit mbetet po aq opake sa më parë, por duket se ishulli gradualisht po hapet për biznes.
Shtuar më 28/05/2013, ora 13:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori