Pse nomadët mund të kërkojnë të regjistrojnë emrin e tyre
Marka Masai
Cordelia Hebblethëaite

Imagjinoni një luftëtar Masai, apo një grua Masai e zbukuruar me rruaza – është një nga imazhet më të fuqishme të Afrikës tribale. Dhjetëra kompani e përdorin atë për të shitur produktet e veta dhe për këtë arsye, udhëheqësit e Masait tashmë po mendojnë të kërkojnë një mbrojtje për “markën” e tyre.

I veshur me një këmishë të bardhë dhe me një bluzë gri, ai nuk është fare i dallueshëm. Megjithëse nuk duket, Isaac ole Tialolo është nga fisi Masai.

Vrimat e mëdha tej për tej në veshët e tij janë vendet ku varen në disa raste bizhuteritë dhe ato vrima mund ta bëjnë të dallueshme të shkuarën e tij. Isaac është një udhëheqës i Masait. Në shtëpinë e tij në malet pranë Naivashës, në Kenian e Jugut, ai jeton në mënyrë gjysmë nomade, duke kullotur dele dhe dhi, dhe – më e rëndësishmja – bagëti të trasha.

Por Isaac është gjithashtu kryetar i një organizate të re, Iniciativa për Pronësinë IntelektualeMasait, dhe projekti i tyre është ajo çfarë e ka çuar të udhëtojë nëpër botë, përfshirë Londrën.

“Ne të gjithë e dimë se kemi qenë shfrytëzuar nga njerëz që thjesht ndodhën të jenë afër nesh, na fotografuan dhe përfituan prej nesh”, thotë ai. “Ne jemi shfrytëzuar për kaq shumë gjëra sa janë të paimagjinueshme”.

Pika e kthesës për Isaac erdhi rreth 20 vjet më parë, kur një turist i bëri një foto, pa i marrë leje – diçka që për Masait është shumë e rëndësishme. “Ne besonim se nëse dikush ju nxjerr në fotografi, ai sakaq të ka marrë gjakun”, shpjegon ai.

Isaac u zemërua aq shumë sa ia theu aparatin fotografik turistit. Njëzet vjet më pas, ai ka maniera më të buta dhe është shumë i komunikueshëm – por po aq me pasion sa i përket asaj që sheh si përdorim dhe abuzim me kulturën e tij.

“Unë mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë kulturën e të tjerëve dhe ta respektojnë atë”, tha ai. “Ju nuk duhet ta përdorni atë për përfitimet tuaja duke e lënë komunitetin – apo pronarin e kulturës – pa përfituar asgjë. Nëse thjesht merr atë që i takon dikujt tjetër dhe shkon ta ekspozosh atë e fiton para, atëherë kjo është shumë e gabuar. Është me të vërtetë e gabuar”, thotë ai.

Sipas “Light Years IP”, një organizatë e specializuar në sigurimin e të drejtave të pronësisë intelektuale për vendet në zhvillim, rreth 80 kompani nëpër të gjithë botën janë duke përdorur aktualisht imazhin apo emrin e Masait.

Këtu përfshihet një gamë e gjerë aksesorësh të quajtur Masai që prodhohen për “Land Rover”, si dhe veshje apo aksesorë të modës së lartë të krijuara nga Louis Vuitton, e cila me emrin Masai kryen pajisje plazhi, kapele, shalle apo çanta.

“Është pothuajse me siguri marka më e madhe kulturore e botës”, argumenton Ron Layton, themeluesi dhe kreu i organizatës. “Është me të vërtetë shumë lart, është një markë shumë serioze. Këto kompani mund të jenë duke e përdorur markën Masai në mënyra që të rrisin biznesin e vet, pra është e arsyeshme që Masait të thonë ‘e pra, pse ata nuk vijnë të flasin me ne? Pse nuk po kërkojnë lejen tonë? Pse nuk hyjnë në marrëdhënie me ne?’”, thotë Layton.

Por në realitet nuk ka pasur kurrë një grup të bashkuar Masai për të biseduar me kompanitë për të drejtat. Dhe kjo gjë mund të ndryshojë së shpejti.

“Light Years IP” është e angazhuar në një segment të vogël por në rritje të politikave të zhvillimit, të njohur si “kapja e vlerës së pronësisë intelektuale”.

Argumenti është që rregullat për pronën intelektuale ofrojnë potencialin për të siguruar një burim të çmuar të ardhurash për njerëzit në botën në zhvillim, të cilët kanë tendencën të marrin vetëm një pjesë të vogël të fitimeve të realizuara mbi mallrat e tyre në tregun ndërkombëtar.

Nëse “marka” Masai do të ishte nën pronësinë e një korporate, ajo do të kishte vlerë më të madhe se 10 milionë dollarë në vit dhe ndoshta “dhjetëra milionë dollarë”, sipas Layton. Se sa pjesë të kësaj Masait do të jenë në gjendje të marrin, do të jetë rezultat i negociatave.

“Është koha që bota të ulet dhe të kuptojë realitetin”, thotë Lord Boateng, një anëtar i Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, gjyshi i të cilit ishte një fermer kakaoje në Gana. “Është një ide së cilës i ka ardhur koha”.

Boateng është në bordin e drejtorëve të të sapokrijuarit Trusti i IP (Pronësisë Intelektuale) të Afrikës. Masai është çështja e parë me të cilën Trusti po merret.

“Ata nuk po marrin asnjë vlerë. Me imazhin e tyre po abuzohet”, thotë ai. “Masait janë një popull i lashtë dhe i sofistikuar – ata e dinë që po vidhen dhe dëshirojnë që kjo që të ndalohet”.

Nuk është ende e sigurt që Masait do të zgjedhin rrugën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale – udhëheqësit e Masait si Isaac ole Tialolo duan të sigurohen që e gjithë bashkësia të jetë pjesë e nismës fillimisht. Bashkë me shoqatën “Light Years IP”, ai ka udhëtuar nëpër zonat e Masait duke zhvilluar takime pune.

Kjo është një punë e stërmadhe, – sipas disa vlerësimeve, mund të ketë deri në 3 milionë masai të shpërndarë në 12 distrikte dhe në një sipërfaqe të madhe toke në Kenia dhe Tanzani. Deri tani ata kanë arritur në 1.2 milionë njerëz.

Por sapo konsultimi të përfundojë – dhe nëse Masait vendosin të ecin përpara – plani është të krijohet një Asamble e Përgjithshme e Udhëheqësve Masai, të trajnuar në pronësinë intelektuale, organizatë që duhet të punojë si organi ligjor i posaçëm për këtë çështje, i autorizuar për të negociuar me kompanitë përmes një agjenti të licencuar, me bazë rast pas rasti.

Së paku kjo është ëndrra. Por sipas disa avokatëve, rasti i Masait nuk është tamam një çështje e fortë në termat e ligjit ndërkombëtar të pronësisë intelektuale.

“Ata janë shumë të anashkaluar nga ligji”, thotë Ben Goodger, një ekspert në ligjin ndërkombëtar të pronësisë intelektuale. Ligji, thotë ai, është krijuar për të mbrojtur biznese të reja dhe njerëz që krijojnë novacion dhe nuk është shumë i përshtatshëm për të mbështetur një kauzë të kësaj natyre.

Patentat, për shembull, do të ofrojnë shumë pak ose aspak mbrojtje për Masait, për shkak se produkti apo shërbimi duhet të jetë i ri.

Markat e regjistruara kanë potencialin të ofrojnë një rrugë më të mirë. Por edhe markat regjistrohen me bazën që i pari që vjen, shërbehet i pari dhe një numër kompanish sakaq kanë marrë marka të regjistruara për emrin apo imazhin Masai.

“Mua më ngjan se ata kanë me të vërtetë disa kundërshtarë të fuqishëm, – thotë Googger. Kundërshtarët ndoshta nuk do të heqin dorë lehtë”.

Ideja që kulturat të kërkojnë mbrojtje të pronësisë intelektuale nuk është tërësisht e re – fisi vendës amerikan Navajo së fundmi ngritën padi kundër kompanisë së veshjeve “Urban Outfitters”, për përdorimin e emrit të tyre.

Por ndoshta shembulli më i mirë për Masain është një çështje e aborigjenëve në Australi të cilët, pesëmbëdhjetë vjet më parë, siguruan një “kod vullnetar” pra një set rregullash që qeverisin përdorimin e pronës së tyre kulturore dhe intelektuale. Kodet vullnetare mund të jenë shtigje ligjore po aq të fuqishme, argumenton Ron Layton.

Ato janë të nevojshme për të krijuar një normë për industrinë, e cila mund të shërbejë si një lloj mjeti për demaskim dhe turpërim për ata që nuk pranojnë të binden.

“Është shumë inteligjente. Është ekzaktësisht çfarë ata duhet të bëjnë”, thotë Bruce Webster, një ekspert i pavarur për markat ndërkombëtare.

“Pastaj është ideja e një populli të lashtë dhe krenar që luftojnë kundër multinacionaleve shfrytëzuese të Perëndimit – është një betejë marrëdhëniesh publike që ata do ta fitojnë patjetër”.

Tani për tani, Masait nuk do të përndjekin asnjë kompani – megjithëse ata u kanë shkruar disave prej tyre, në rastet kur ata kanë zbuluar përdorimin e emrit apo imazhit të tyre në situata veçanërisht agresive.

Ata janë të ndjeshëm sa i përket portretizimit të trupit të tyre, për shembull ata nuk pëlqejnë imazhet e bizhuterive të tyre të përdorura në mënyrë të papërshtatshme.

Çdo ngjyrë e rruazave ka një kuptim të veçantë. “Kjo është ajo që ne e quajmë norkiteng”, thotë Isaac, duke treguar një varëse në formë rrethi me rruaza të thurura. Ajo i jepet si dhuratë një dhëndri të ri. Duke e përdorur në disa raste tregtare, ajo mund të keqpërdoret. “Ajo na fyen sepse ata nuk e dinë kuptimin e saj – ata e keqpërdorin atë”, thotë Isaac.

Nëse Masait marrin kontrollin e markës së tyre, shuma të mëdha parash mund të fillojnë të përfitohen papritur nga komuniteti. “Masait janë markuar, sakaq a thua se nuk ka një të nesërme, por ata nuk kanë parë asnjë përfitim”, thotë Duncan Green, zyrtar i çështjeve strategjike për shoqatën “Oxfam”. Ai e mbështet fushatën për pronësinë intelektuale në parim, por paralajmëron se mund të ketë probleme në rast se nuk ka një sistem funksional për mënyrën se si do të përdoren paratë.

Por kjo është një çështje për të cilën Masait kanë menduar sakaq. Asambleja e Përgjithshme e Pleqve që është propozuar të krijohet, do të punojë në bazë të një kushtetute që specifikon se si duhet të përdoren dhe shpërndahen paratë.

Por për Isaac, çështja nuk është vetëm për paratë. “Ajo që ka më shumë rëndësi, është respekti”, thotë ai. Ai ka zhvilluar shumë biseda përmes telefonit në gjuhën Ma, të cilat kanë qenë shumë të gjalla.

Për veshin e një perëndimori, mund të ngjajë si e pakuptimtë që Masait të debatojnë me zjarr koncepte të tilla si pronësia intelektuale, e drejta e autorit apo markat – të cilat janë emblema të kapitalizmit modern.

Por, thotë Isaac, megjithëse këto mund të mos jenë terma me të cilat ata janë familjarë, Masait kanë një ndjenjë të fortë pronësie në kulturën e tyre – si dhe një ndjenjë neverie për shkeljen e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për keqpërdorimin e imazhit të tyre.

“Njerëzit janë shumë të kënaqur. Ata po pyesin çdo ditë: ‘kur do të ndodhë kjo?’ Ideja e markës po përhapet si zjarr në të gjithë bashkësinë”. (Gazeta Shqip)
Shtuar më 31/05/2013, ora 17:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori