Profecitë Maja, jeta pas apokalipsit të rremë
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Jon Kelly, BBC
Pavarësisht të gjitha parashikimeve mbi apokalipsin Maja, bota mbeti ashtu siç ishte mes së premtes dhe së shtunës, 21 dhe 22 dhjetorit 2012. Pyetja është se çfarë mund të bëjnë tani ata që e besuan seriozisht apokalipsin?

Ndërsa ora godet mesnatën, data e mallkuar mbërrin dhe, edhe një herë, apokalipsi na zhgënjen dhe nuk mbërrin. Parashikime të tilla për ngjarje apokaliptike dhe për fundin e botës janë bërë çuditërisht shumë shpesh përgjatë të gjithë historisë.

Çdo herë një grup besimtarësh mbetet i tronditur nga mosmbërritja e fundit, vdekjes dhe shkatërrimit. Nëse e kanë marrë parashikimin për apokalips tepër seriozisht, ata do të kenë kaluar një periudhë të çmendur në ditët para fundit, kanë braktisur apo përqafuar më shumë kënaqësitë tokësore dhe janë përgatitur materialisht dhe shpirtërisht për një epokë të re.


Data e fundit që ka shkaktuar një alarm të tillë ishte dje, 21 dhjetori, dita përmbyllëse e një kalendari të popullit Maja, i cili kishte llogaritur ecurinë për 5,125 vjet. Nëpër botë u morën masa për këtë fund të botës.

Në shumë vende raportohet një blerje në panik e qirinjve apo të mallrave të tjerë. Në Rusi raportohet shitje e ekzagjeruar e shkrepëseve dhe konservave aq sa Kryeministri Dmitry Medvedev u detyrua të dalë në televizor në një përpjekje për të qetësuar të alarmuarit.

Autoritetet në anën franceze të maleve Pirene u përballën gjatë ditëve të fundit me shumë njerëz që shkuan te mali Pic de Bugarach, për të cilin thashethemet thonë se do të jetë vendi ku UFO-t do të vijnë të shpëtojnë njerëzit e mbledhur aty.

Nuk është e nevojshme që njerëzit të jenë pjesë e ndonjë sekti fetar për ta gjetur veten të alarmuar nga një parashikim i tillë. Njerëzimi ka qenë gjithmonë i magjepsur nga ideja se gjithçka do të përmbytet një ditë. Kjo magjepsje dallohet qartë në numrin e madh të librave dhe filmave që i dedikohen një ngjarjeje të tillë. Filma si “Armagedon”, “Dita pas të nesërmes” etj., janë angazhuar të imagjinojnë se si mund të vijë fundi i jetës në planetin tonë. Ndërkohë, vlerësohet se romanët që tregojnë jetën në Tokë pas apokalipsit, kanë shitur më shumë se 70 milionë kopje gjatë dekadave të fundit.

Njerëzimi është alarmuar shpesh edhe në të shkuarën për apokalipse të pritshme.

Romakët e lashtë i zuri paniku nga ideja se qyteti i tyre do të shkatërrohej nga një forcë e panjohur në vitin 634 para Krishtit. Afrimi i vitit 1000 pas Krishtit e mbushi Europën me frikë se diçka e tmerrshme do të ndodhte kur data të shënonte tri zero. E njëjta frikë u përsërit me përmasa më të vogla një mijëvjeçar më vonë. Gjatë luftës civile angleze kishte disa grupime që besonin se fundi i botës ishte pranë.

Apokalipset e dekadave të fundit janë shfaqur pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Pasuesit e Nostradamusit e përgatitën veten për mbërritjen e “Mbretit të terrorit” më “1999-n dhe gjashtë muaj”. Evangjelisti televiziv amerikan, Pat Robertson, parashikoi diçka si një sulm bërthamor për fundin e vitit 2007.

Predikuesi radiofonik Harold Camping në Kaliforni e përcaktoi datën e fundit të botës gjashtë herë dhe së fundmi e përcaktoi 22 tetorin 2011 si dita finale para se të hiqte dorë nga parashikimet.

Për ata që i besuan këto parashikime, lajmi se jeta do të vijojë njësoj si më parë mund të kthehet në një eksperiencë traumatike. Por në mënyrë habitëse, grupimet që parashikojnë fundin e botës rezultojnë se ia dalin të kthehen në normalitet, pasi parashikimi i tyre del i pasaktë, thotë Lorne Dawson, një ekspert në sociologjinë e religjionit në Britaninë e Madhe.

“Shumica dërrmuese duket se e kapërcejnë dështimin e një profecie relativisht mirë”, thotë ai. Nga 75 grupime të identifikuara nga Dawson si religjione që kanë parashikuar një apokalips, që të gjitha me përjashtim të gjashtë prej tyre vijuan të ekzistojnë normalisht. Përkundrazi, disa prej tyre arritën të vijojnë të lulëzojnë. Dëshmitarët e Jehovait janë një nga grupimet që kanë parashikuar një formë apo të tjetër fund bote dhe megjithatë ata vijojnë të shtojnë radhët e tyre e aktualisht numërojnë shtatë milionë besimtarë.

Kisha e Ditës së Shtatë (mormonët), të cilët vlerësohet se ka 17 milionë besimtarë, lindi nga një grup i njohur si Mileritesit, të cilët parashikuan një apokalips për vitin 1844 dhe që u njoh më vonë si “Zhgënjimi i madh”.

Një studim gjithëpërfshirës mbi këtë fenomen u publikua më 1956-n nga psikologu Leon Festinger. Ai përshkruan aty se si studentët e tij infiltruan një grup që besonte se bota po jetonte ditët e fundit dhe se vetëm anëtarët e këtij grupi do të shpëtonin nga një pjatë filxhani fluturuese.

Kur as apokalipsi dhe as UFO-t nuk u shfaqën, Festinger zbuloi se udhëheqësja e grupit u pati deklaruar besimtarëve të tij se “ai kishte përhapur aq shumë dritë” sa Zoti kishte ndryshuar mendim dhe e kishte shpëtuar planetin. Besimtarët e shumëfishuan lajmin e saj të mirë mes jobesimtarëve dhe Festinger konkludoi se ky është një rast tipik i disonancës konjiktive.

Në një ushtrim të ngjashëm, psikiatri Simon Dein kaloi disa kohë me një bashkësi të vogël hebrenjsh Hasidikë në veri të Londrës. Për shumë vite, ndjekësit e këtij sekti patën besuar se udhëheqësi i tyre shpirtëror Menechem Mendel Schneerson, i njohur si rebe, ishte Mesia. Sipas teologjisë së tyre, ai do të mbyllte një qytetërim dhe do t’i jepte jetë një epoke të re. Besimi i tyre u testua gjithsesi kur rebe vdiq si çdo i vdekshëm tjetër në Nju Jork, më 1994-n.

“Unë isha atje në kohën kur ai vdiq”, thotë Dein. “Ata po qanin, po mbanin zi. Kishte një ndjenjë të madhe refuzimi për të besuar, ai nuk mund të vdiste. A do të rishfaqej ai?”

Por Dein thotë se besimtarët e këtij grupi nuk hoqën dorë nga sistemi i tyre i besimit. Shumë shpejt ata filluan të besojnë se udhëheqësi i tyre është ende gjallë dhe se nuk mund të shihet ose se ai në një farë mënyre do të ngrihet sërish.

“Ka debate shumë të ashpra mes atyre që besojnë se ai është gjallë dhe ata që besojnë se ka vdekur, por vetë vdekja nuk duket se e ka ulur numrin e njerëzve në grup”, thotë Dein.

Sipas Dawson, 200 familjet hebraike në Samford Hill të Londrës kishin një fije të rëndësishme lidhjeje për ta mbajtur grupin së bashku pas dështimit të apokalipsit, një ndjenjë të fortë komunitare.

Është gjithashtu e rëndësishme, thotë ai, prania e një udhëheqësi të vendosur që mund të ofrojë shpjegime të shpejta. “Nëse një shpjegim mbërrin shpejt, grupi mund t’u qëndrojë talljeve nga jashtë”, shton ai.

Disa udhëheqës, si Camping, në shumë raste thjesht japin një datë të re për apokalipsin. Të tjerë kërkojnë ndjesë para anëtarëve të grupit për parashikimin e gabuar. Për fat të keq, disa marrin veprime më drastike. Trupat e pajetë të 39 anëtarëve të një kulti u zbuluan në vitin 1997. Ata kishin vrarë veten me besimin se do të shpëtoheshin nëse bënin diçka të tillë.

Por shumica gjejnë një mënyrë paqësore për t’u përshtatur. “Kur investon kaq shumë në një besim, prirja është që të shpëtosh diçka prej tij”, thotë Philip Jenkins, një historian i fesë në Universitetin e Teksasit.

Për Jenkins, joshja nga udhëheqësi që predikon një apokalips të pritshëm në të gjithë historinë ka qenë faktori kryesor më shumë se sa specifikat e profecive të tyre.

“Është një lloj refuzimi me rendin e botës siç është aktualisht”, thotë ai. “Është njësoj si të imagjinosh diçka shumë më të mirë. Kur bëhet e qartë se rendi i ri nuk do të mbërrijë, ka mënyra për ta ndryshuar disi mesazhin.”



Fundi (që nuk erdhi) i botës

Dr. Geoffrey Braswell

Universiteti i Kalifornisë, San Diego

Fenomeni i vitit 2012 është në thelb një problem në llogaritje; një keqinterpretim i një libri llogarish shumë të vjetër. Ajo bazohet në kalendarin Maja, i cili i numëron ditët që nga një e shkuar mitike. Kjo llogaritje fillon që nga krijimi i fundit (11 gusht viti 3114 para Krishtit). Më 21 dhjetor, ky kalendar do të nisë numërimin nga e para, por shumë e kanë interpretuar këtë zerim llogarish si fundi i botës.

Por nuk është e qartë as nëse vetë Majat qenë dakord me këtë mënyrë llogaritjeje. Dy shkrime të lashta theksojnë rëndësinë e datës. Por një tjetër fokusohet më 13 tetorin e vitit 4772, fundi i një cikli edhe më të madh që nuk mund të ndodhë nëse zerimi bëhet më 2012-n.

Ky tekst më i detajuar parashikon që, në një datë edhe më të largët, mbreti i madh Kiniç Janab Pakal do të kthehet në Palenkue për të sunduar. Nëse kjo profeci e Majave është e vërtetë, atëherë bota nuk do të përfundojë as më 2012-n dhe as më 4772-shin dhe nuk ka rëndësi se si funksiononte kalendari i gjatë.



Nuk ka apokalips tani

“Më 1988-n pati një skenar të vërtetë apokaliptik. Unë isha 14 vjeç dhe sapo kishte filluar viti shkollor në Amarillo Texas”, thotë Jason Boylett, autor i “Guidë xhepi për tek apokalipsi”.

“Një ish-shkencëtar i NASA-s dhe matematikan, i quajtur Edgar Whisenant, kishte parashikuar se bota po shkonte drejt apokalipsit në fund të shtatorit, bazuar kjo nga llogaritjet të kryera mbi Biblën. Ai i dërgoi pamfletet e tij te qindra dhe mijëra kisha në të gjithë vendin. Pastori baptist jugor i lagjes sime, foli para turmës.

“Unë e kalova verën shumë i frikësuar, për shkak se njerëzit me autoritet mbi jetët tona thoshin se diçka mund të ndodhë në shtator. Kisha frikë se kjo do të ishte vera ime e fundit. Kur mbërriti shtatori, unë shkoja në krevat duke menduar se nuk do t’i shihja më kurrë prindërit e mi. Por shpejt u lehtësova. Vetëm se mbeta shumë i zhgënjyer. Kuptova se jo gjithmonë mund t’i besoja pastorit tim. Unë jam ende një kristian praktikant dhe nuk po eci përqark i plagosur shpirtërisht. Por që nga ajo kohë besimi im fetar është shoqëruar me shumë pyetje, dyshime dhe cinizëm.
Shtuar më 22/12/2012, ora 14:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
A mendoni se Shqipëria do të kalojë fazën e grupeve në EURO 2016?
65.63 %
28.89 %
5.47 %
Total 9064 Vota!
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian