Pranvera arabe nuk ishte prelud i demokracisë
Sa herë që shfaqen foto të masakrave, apo të të masakruarve rishtas në Siri, të dhunës së ushtruar dhe të gjakut që derdhet lumë, aq herë Perëndimi duket se mpreh dhëmbët dhe gatitet shpirtërisht për t’i dhënë vetes të drejtën e një ndërhyrjeje ushtarake në Siri, me qëllim parandalimin e gjakderdhjes së mëtejshme.

Është një reagim njerëzor tërësisht i kuptueshëm. Asnjë shoqëri e civilizuar, asnjë qenie që i thotë vetes qenie njerëzore nuk dëshiron dhe refuzon që të shohë pamje të therorive të tilla, refuzon që të pranojë ekzistencën e një dhune të tillë dhe një gjakderdhjeje e masakre veçanërisht kur bëhet fjalë edhe për fëmijë të vegjël, pra qenie tërësisht të pafajshme. Dhe nëse duhet bërë diçka për të ndaluar këtë situatë rrënqethëse për të parandaluar edhe viktimat e mëpasshme të një lufte potenciale civile në vend, atëherë gjithkush që ka diçka në dorë ka obligimin moral për ta ndaluar një gjë të tillë. Në fakt, ky është shndërruar në një lloj refreni shumë familjar që në ditët e para të shpërthimit të protestave arabe në fillim të vitit që shkoi. Fillimisht vendet perëndimore vendosën që t’i japin mbështetje Tunizisë në përmbysjen e Ben Ali, njeriut që për shumë vjet, së bashku e familjen e tij kishte sunduar me mandatin e një pashai mbi pasuritë e vendit duke krijuar një klimë të padurueshme dhe mungese lirish. Kundërshtarët e regjimit të tij u ndihmuan që ta përmbysnin këtë personazh, që ia mbathi nga vendi me gjithë një sasi të madhe floriri. Si përfundoi shpejt e shpejt çështja e Tunizisë e ndërsa vendi nisi që të qetësohej një tjetër vend nisi që të trazohej dhe si pasojë një tjetër “vetëndërgjegjësim” i perëndimorëve doli në pah. Bëhet fjalë për Egjiptin fqinj, një tjetër vend në veri të Afrikës, një tjetër vend i sunduar prej 30 vitesh nga një diktator dhe familja e tij. Pas përmbysjes së tij u vazhdua më pas, siç e dimë tashmë të gjithë me Libinë dhe Muhamar Gadafin, dikur armiku, më pas mikun dhe më pas tërësisht armikun e të njëjtit Perëndim. Dhe e gjithë kjo lëvizje brenda një kohe shumë të shkurtër nisi që të quhej “Pranvera arabe” dhe Perëndimi e ndjeu që duhet të rrëzonte despotët nga Bahrejni në Jemen e nga Arabia Saudite në Siri. Ka nga ata që e përkrahën këtë nxitim marramendës të Perëndimit për të mbështetur rrëzimin e këtyre despotëve, e të tjerë që ishin më të avashtë duke kërkuar më shumë kohë dhe më shumë arsye për të ndërhyrë. Dhe kjo jo për shkak të dëshirës për të parë vazhdimin e qeverisjes së qeverive tashmë të korruptuara dhe tërësisht jashtë çdo standardi njerëzor. Një pjesë e atyre që ishin për një qëndrim më të ndalur dhe më të arsyeshëm e bënë këtë për arsye thjesht pragmatiste dhe mbi të gjitha largpamëse. Pyetja që i bënë vetes në një rast të tillë ishte: çfarë qeverish do t’i zëvendësojnë këta despotë kur të ikin nga pushteti. Sepse ky është mbi të gjitha thelbi i çështjes. Që të heqësh një despot do të thotë në radhë të parë të çmontosh një sistem të tërë të ndërtuar në bazën e mungesës së meritokracisë, mbi bazën e një qeverisjeje gati skllavopronare ku gjithçka, çdo pushtet dhe pasuri qëndron në dorën e sundimtarit dhe familjes së tij dhe gjithë të tjerët janë në shërbim të tij. Për të mos folur për popullin që në të gjitha rastet e qeverisjeve të tilla autokratike-sulltanore është veçse një turmë pa kohë që ekziston vetëm për t’u bindur dhe shfrytëzuar pa gëzuar të drejtat legjitime njerëzore. E nëse do t’i shihnim këto protesta sot në lidhje me atë se cilat ishin në të vërtetë ndryshimet që sollën është e vështirë që t’i cilësosh: histori suksesi. Nëse do t’i hedhim në vështrim të gjitha vendeve që një vit më parë u përfshinë nga protesta dhe si pasojë edhe ndryshimi i regjimit mund të themi se vetëm Tunizia mund të konsiderohet deri diku një histori pozitive. Në këtë vend pati një kalim të qetë, një tranzicion të butë nga diktatura në demokraci. Sigurisht, në një demokraci që ka nevojë për kohë dhe për shumë kujdes që të rritet dhe të zhvillohet, por që të paktën mund të quhet e tillë, edhe në zanafillën e vet. Ardhja në pushtet e lëvizjes me orientim islamist An-Nahda (rilindja) në një koalicion të ri qeveritar është mundësuar dhe arritur pa vënë në rrezik themelet e Kushtetutës shekullare të vendit. E megjithatë, vetëm fundjavën e kaluar vendi përjetoi një situatë trazire me protestues që dolën në rrugë duke sulmuar lokale dhe dyqanet që shesin alkool. Bëhet fjalë për protestues islamistë. Sigurisht që kjo ka një ndikim të keq, për më tepër që tani është dhe stinë pushimesh dhe turistët mund të tremben nga një situatë e tillë dhe ata heqin vendin nga planet e tyre turistike. Por megjithatë, në përgjithësi gjithçka në këtë vend ka shkuar qetësisht drejt një tranzicioni e pushteti paqësor.

Por në vende të tjera nuk mund të thuhet fatkeqësisht e njëjta gjë. Tetë muaj pas vrasjes brutale të kolonelit të Libisë, Gadafit, libianët mbeten të ngërthyer nga situata të mungesës së rregullit, pranisë së kaosit më në kërcënim të bandave ushtarake disa të Al-Kaedës, apo edhe të grupimeve të tjera, kush i merr vesh, të cilat janë të vendosura që të mbajnë me çdo kusht dhe me çdo çmim atë copë tokë të cilën e quajnë të “tyren?”. Kjo ka bërë që gjithë këto grupime të mos duan aspak që të “përqafojnë” idenë e një shteti me drejtim e qeveri demokratike. Por njerëzit dolën në rrugë, protestuan dhe u vranë pikërisht për këtë lloj shteti, dhe libianëve iu premtua pikërisht nga Perëndimi një shtet i tillë. Por fatkeqësisht veç ikjes së Gadafit në këtë vend nuk ka asnjë ndryshim tjetër për mirë.

Në Egjiptin fqinj, ndërkohë, në Kajro nga ku mijëra vetë kërkuan me muaj të tërë përmbysjen e regjimit dhe zëvendësimin e tij me një regjim demokratik, tashmë zgjedhja e 50 milionë votuesve për presidentin e vendit është mes një kandidati islamist dhe një kandidati të ushtrisë, dy grupime që nuk njihen aspak për mbështetje të demokracisë, apo të lirive dhe të drejtave të njeriut. Dhe të mendosh se sa gjak u derdh në sheshe, se sa njerëz vunë në rrezik jetën dhe si rezultat gjithçka thuajse ka shkuar kot. Ra Mubaraku, por aspak regjimi mbi të cilin ai kishte ndërtuar pushtetin e tij 40-vjeçar. Vetëm emrat janë ndërruar dhe të gjithë kanë frikë që ajo që do ta zëvendësojë regjimin e Mubarakut mund të jetë edhe më e keqe. Pak a shumë i gjithë rajoni është përfshirë nga në situatë depresive. Destabilizimi politik në Jemen në vijim të tërheqjes nga pushteti të Presidentit të vendit, Ali Abdullah Saleh, çoi në një përshkallëzim të veprimtarive të Al-Kaedës dhe aftësive terroriste të grupimeve të tjera. Ndërkaq, tentativat e bëra në Bahrejn nga familja në pushtet për të zgjidhur dhe paqtuar diferencat mes shiitëve dhe sunitëve janë minuar nga përfshirja e Gardës Revolucionare të Iranit, ambicia afatgjatë e të cilës është që të arrijë që të përmbysë nga pushteti monarkinë sunite të vendit të vogël.

Pra “Pranvera arabe” mund të thuhet se nuk është veçse një koncept i ëndërruar e aspak realist, prej atyre që nuk e kanë idenë e forcave dhe palëve që “luajnë” në venet arabe. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Siri, ku pakica Alavite, klani i tyre i kryesuar nga Presidenti i vendit, Bashar al-Assad, që përfaqëson 10% të popullsisë është përfshirë në një betejë të dëshpëruar mbijetese kundër shumicës sunite. Nuk ka dyshim që disa anëtarë të opozitës siriane do të pëlqenin pa dyshim që të shihnin një sistem më demokratik në Damask. Por siç e tregojnë edhe përvojat e fundit të protestave të ngjashme në Libi dhe në Egjipt, zëri i atyre që thërret për reforma liberale properëndimore shtypet në mënyrë të pamëshirshme dhe të mirorganizuar nga tirania e forcave ushtarake dhe ajo e militantëve islamistë. Dhe kjo është arsyeja që në rastin e Sirisë duhet treguar një kujdes shumë i madh. Ekziston gjithmonë mundësia që diktatura e Assad-it të mund të zëvendësohet nga një demokraci e stilit libanez. Gjithsesi, kujdesi në këtë rast duhet të jetë jashtëzakonisht i madh, sepse konflikti sirian i ka të gjitha potencialet që të shndërrohet në një konflikt të madh rajonal mes forcave konkurruese të militantëve shiitë dhe sunitë. Nëse kjo do të ndodhte, Perëndimi do ta kishte shumë të vështirë për të zgjidhur se me cilën palë do të rreshtohej.(Shqip)
Shtuar më 07/06/2012, ora 17:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori